Ballina Kulturë Agjërimi – përtej urisë

Agjërimi – përtej urisë

52
0

Nga Dedë Palokaj 

Në ferr nuk çon thjesht mungesa e agjërimit, por këmbëngulja në mëkat. Ta reduktosh fenë në një veprim të vetëm është ta varfërosh kuptimin e saj. Agjërimi është një mjet për pastrim dhe vetëdijesim, një derë drejt përmirësimit – jo vetë shpëtimi. Shpëtimi lidhet me betejën e përditshme kundër arrogancës, padrejtësisë, urrejtjes dhe dëmtimit të tjetrit. Mëkati bëhet shkatërrues kur kthehet në zgjedhje të vazhdueshme dhe kur njeriu refuzon të ndryshojë. Njeriu nuk dënohet sepse bie, por sepse nuk do të ngrihet; nuk humbet sepse gabon, por sepse e pranon gabimin si gjendje të përhershme. Ai shpëton kur kërkon të bëhet më i mirë, edhe nëse mbetet i papërsosur – sepse feja nuk kërkon përsosmëri të menjëhershme, por një zemër që nuk pushon së u përmirësuari.

Nesër fillon Kreshma në Kishën Katolike. Këtë vit ajo përkonë me Ramazanin islam, duke krijuar një rast të rrallë që besimtarët, si bij shpirtërorë të Abrahamit, të ecin njëkohësisht në një udhëtim të përbashkët reflektimi dhe përkushtimi.

Kjo periudhë, si për të krishterët ashtu edhe për besimtarët myslimanë, karakterizohet nga agjërimi, i cili nuk duhet parë thjesht vetëm si një praktikë ushqimore apo disiplinë trupore, por si një kohë e thellë pastrimi të brendshëm dhe rritjeje shpirtërore. Kreshma dhe Ramazani përbëjnë momente të veçanta për t’u ndalur, për të reflektuar dhe për të thelluar kuptimin mbi vlerat e përbashkëta që lidhin dy traditat. Për të dyja fetë, kjo është një periudhë e pasur me përmbajtje shpirtërore, respekt ndërfetar, dashuri, lutje dhe meditim, ku besimtarët ftohen të rishikojnë jetën e tyre, marrëdhëniet me të tjerët dhe lidhjen me Krijuesin.

Praktika e agjërimit është shumë e lashtë dhe haset në shumë fe dhe tradita shpirtërore në mbarë botën. Ajo ka qenë e njohur që në periudha të hershme të historisë njerëzore dhe është përdorur prej shekujsh si përgatitje për rite dhe ceremoni fetare. Kjo praktikë gjendet, ndër të tjera, në konfucianizëm, hinduizëm, taoizëm, judaizëm, krishterim dhe islam, si dhe në kultura të ndryshme tradicionale.

Fjala “agjërim” rrjedh nga termi latin ieiunus, që nënkupton “i uritur” ose “me stomak bosh” dhe përshkruan gjendjen e përmbajtjes nga ushqimi, qoftë me vetëdije, qoftë nga nevoja. Në Romën e lashtë, ky term kishte rëndësi të veçantë, pasi agjërimi ishte pjesë e zakonshme e praktikave fetare. Ai shërbente si mënyrë për përgatitje para ritualeve, duke ndihmuar në ruajtjen e pastërtisë fizike dhe shpirtërore të pjesëmarrësve.

Sipas Shkrimit të Shenjtë, njeriu nuk është thjesht një qenie biologjike, por një qenie marrëdhënieje: me Zotin, me të tjerët dhe me gjithë krijimin. Historia e Adamit dhe Evës tregon se njeriu nuk është i plotë në vetmi; ai ka nevojë për bashkim dhe marrëdhënie. Para rënies, njeriu jetonte në harmoni: arsyeja sundonte dëshirat, trupi ishte në paqe me shpirtin, natyra bashkëpunonte me njeriun dhe njeriu jetonte në besim dhe dashuri ndaj Zotit.

Zoti i dha Adamit një udhëzim të qartë: të mos hante nga pema e njohjes së së mirës dhe të së keqes. Ky urdhër nuk ishte thjesht një kufizim arbitrer, por një shprehje dashurie dhe mundësi për të zgjedhur besimin dhe përmbajtjen. Mosbindja e Adamit dhe Evës shënon mëkatin e parë – jo thjesht si një veprim, por si refuzim i besimit dhe i përulësisë ndaj Zotit. Tundimi që erdhi nga gjarpri (Satani) shfaqi egoizmin, frikën dhe fajësimin, duke thyer harmoninë origjinale midis njeriut, krijimit dhe Krijuesit. Pasojat ishin të mëdha: punë e vështirë, marrëdhënie të tensionuara, natyrë armiqësore dhe vdekje fizike. Megjithatë, paralajmërimi i shpëtimit – “fara e gruas do të shtypë gjarprin” – tregon se rënia nuk është fundi i historisë njerëzore.

Bibla mëson se njeriu është i krijuar për bashkim me Zotin, por jeta në ndarje nga Ai sjell vuajtje dhe mëkat. Agjërimi, besimi dhe bindja nuk janë mjete për të kënaqur Zotin, por për të disiplinuar trupin dhe pasionet, për të përmirësuar shpirtin dhe për të rikthyer marrëdhënien me Të. Agjërimi nuk ka të bëjë vetëm me ushqimin, por me largimin nga mendimet, dëshirat dhe veprimet e këqija; pa ndryshim të zemrës, vetëkontrolli fizik mbetet i zbrazët.

Jezusi paralajmëronte kundër hipokrizisë së farisenjve, të cilët e shndërruan fenë në shfaqje të jashtme, dhe tregoi se asnjë rregull i jashtëm nuk mund të zëvendësojë besimin dhe dashurinë e vërtetë ndaj Zotit. Përmes Tij, “Adami i ri”, njeriu mund të rikthehet në jetën e shpëtimit, pasi bindja e plotë ndaj Atit mposht mëkatin dhe vdekjen, duke hapur rrugën për bashkim dhe jetë të përjetshme.

Në këtë kuptim, historia e Adamit dhe Evës nuk është vetëm tregim i së kaluarës, por reflektim i gjendjes universale të njeriut: të krijuar për dashuri dhe bashkim me Zotin, por shpesh duke jetuar në ndarje dhe egoizëm. Rruga drejt shërimit dhe lirisë shpirtërore kalon përmes vetëpërmbajtjes, përulësisë, agjërimit të vërtetë dhe dashurisë, duke i dhënë kuptim çdo sakrifice dhe përpjekjeje për të jetuar sipas fjalës së Zotit.

Agjërimi – më shumë se uri

Agjërimi nuk është domosdoshmërisht i lidhur me fenë. Njeriu mund të agjërojë për arsye shëndetësore, për disiplinë trupore apo për përfitime fizike. Por kur reduktohet vetëm në kalori dhe dietë, ai humb thelbin e tij shpirtëror dhe mbetet thjesht një praktikë trupore.

Në kuptimin fetar, agjërimi nuk është vetëm të jesh i uritur apo i etur. Ai është një akt i brendshëm që përfshin mendjen, zemrën dhe vullnetin. Nuk është sakrificë e zbrazët të mos hash përballë një tryeze të mbushur, por ushtrim vetëpërmbajtjeje, pastrim i brendshëm dhe kthim kah e mira.

Çfarë vlere ka të përmbahesh nga ushqimi nëse njëkohësisht lëndon të tjerët me fjalë? Cili është mëkat më i madh: të thyesh agjërimin me ushqim apo ta shkelësh atë me padrejtësi? Çfarë kuptimi ka të mbash barkun bosh, por zemrën plot me ligësi, shpifje dhe urrejtje? Çfarë lidhjeje ka kjo me agjërimin?

Agjërimi i vërtetë nuk matet me mungesën e ushqimit, por me largimin nga e keqja. Ai nuk është vetëm heqje dorë nga buka, por heqje dorë nga mëkati; jo vetëm përmbajtje trupore, por pastrim shpirtëror. Vetëm atëherë njeriu nuk agjëron thjesht me stomakun – por me gjithë qenien.

Zoti në fakt nuk ka nevojë për agjërimin tonë; ne nuk agjërojmë për ta kënaqur Atë, por sepse kemi nevojë për Të. Zoti nuk është i pakënaqur nëse njeriu nuk agjëron; Ai vepron gjithmonë nga dashuria e pafund, si një prind i mirë që çdo gjë e bën për të mirën e fëmijës së vet, jo për kënaqësi egoiste. Kjo perspektivë na kujton se agjërimi nuk është një mënyrë për të imponuar vlerën tonë tek Zoti, por një instrument për të rritur vetëdijen shpirtërore dhe për të forcuar lidhjen tonë me Të.

Nga kjo pikëpamje lind një kritikë e rëndësishme: shpesh njerëzit e kuptojnë agjërimin si një veprim magjik ose ritual formal, që me vetë faktin e kryerjes së tij, “fiton” pëlqimin hyjnor. Kjo mund të çojë në një shpirtmadhësi të rrejshme ose një interpretim mekanik të fesë, ku thelbi shpirtëror humbet. Në realitet, agjërimi është një mjet, jo qëllim. Ai ndihmon të disiplinosh trupin, por gjithmonë për të mbajtur shpirtin vigjilent dhe për të kultivuar ndjeshmëri ndaj nevojave të të tjerëve dhe të vetvetes.

Prandaj, qëllimi i vërtetë nuk është ta kënaqim Zotin, por ta duam, ta adhurojmë dhe ta lejojmë dashurinë e Tij të ndryshojë jetën tonë. Çdo praktikë e fesë, përfshirë agjërimin, duhet të shihet në këtë kontekst: si një shërbim ndaj shpirtit dhe jo si një instrument për të imponuar meritë ose moral të jashtëm. Vetëm kështu, rituali merr kuptim të vërtetë dhe i shërben qëllimit të tij të lartë: afrimit me Zotin dhe me dashurinë që Ai ofron pa kushte.

Agjërimi në Traditën e Krishterë dhe Islame

Agjërimi është një praktikë shpirtërore e pranuar në shumë tradita fetare në mbarë botën. Ai është një akt i përkohshëm i vetëkontrollit mbi ushqimin, pijen, ose ndonjëherë edhe mbi zakonet e tjera të jetës, me qëllim për të forcuar lidhjen me Zotin, për të zhvilluar disiplinën shpirtërore dhe për të reflektuar mbi jetën dhe moralin personal.

Në traditën e krishterë, agjërimi nuk është thjesht heqja e ushqimit, por një praktikë shpirtërore e cila ndihmon individin të afrohet më shumë me Zotin. Ai është një mënyrë për të përmbushur thirrjen biblike për pendesë dhe për të pastruar shpirtin. Agjërimi shpesh lidhet me lutjen dhe bamirësinë, duke i dhënë përparësi të madhe jetës morale dhe shpirtërore.

Agjërimi ka qenë pjesë e krishterimit që nga kohët e hershme. Në shekujt e parë të krishterimit, besimtarët praktikuan agjërime strikte, shpesh të shoqëruara me vetëpërmbajtje dhe izolim. Në shekullin e katërt, agjërimi u institucionalizua në disa forma, si:

Periudha 40-ditore para Pashkëve – kohë përgatitjeje shpirtërore gjatë së cilës besimtarët agjërojnë, kryesisht duke hequr dorë nga mishi dhe duke shtuar lutjen, pendesën dhe veprat e mira.

Agjërimi i së Mërkurës së Përhime dhe së Premtes së Madhe lidhet drejtpërdrejt me misterin e Mundimit të Jezu Krishtit.

Këto praktika u zhvilluan në forma më strukturore në Mesjetë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e liturgjisë së krishterë edhe sot. Krishterimi ka disa forma agjërimi:

Agjërimi i plotë – shmangia e të gjitha ushqimeve për një periudhë të caktuar, zakonisht 24 orë.

Agjërimi i pjesshëm – shmangia e ushqimeve të caktuara, si mishi, ëmbëlsirat ose pijet alkoolike.

Agjërimi i shpirtit – praktikë e bashkuar me lutjen dhe meditimin, që nuk lidhet thjesht me ushqimin, por edhe me largimin nga zakonet negative.

Agjërimi në krishterim ka një rëndësi shpirtërore të madhe. Ai ndihmon besimtarët të zhvillojnë vetëdisiplinë, përkujdesje ndaj të tjerëve dhe një ndjeshmëri më të madhe ndaj vuajtjes së njerëzve. Në disa komunitete, agjërimi shoqërohet me aktivitete bamirësie, si ndihma për të varfrit dhe të sëmurët, duke e bërë atë një praktikë jo vetëm personale, por edhe sociale.

Në islam, agjërimi është një nga pesë shtyllat e fesë dhe ka një rëndësi në zhvillimin shpirtëror dhe moral të besimtarit. Ai kryhet kryesisht gjatë muajit të Ramazanit. Agjërimi nuk është vetëm për të hequr ushqimin dhe pijen, por edhe për të kontrolluar epshet, për të ushtruar durim dhe për të rritur ndërgjegjësimin ndaj Zotit.

Në Islam, agjërimi praktikohet që nga kohët e hershme të fesë. Muhamed e praktikon agjërimin dhe e rekomandon atë si një mënyrë për të fituar shpërblim shpirtëror. Islami e ka bërë të qartë se agjërimi është një detyrë fetare për të gjithë myslimanët e shëndetshëm, përveç rasteve të veçanta, si sëmundja ose udhëtimi.

Formati më i njohur i agjërimit në islam është agjërimi gjatë Ramazanit:

Agjërimi ditor: shmangia e ushqimit, pijeve, duhanit dhe marrëdhënieve intime nga lindja deri në perëndim të diellit.

Agjërimi vullnetar: besimtarët mund të agjërojnë edhe ditë të tjera të vitit për shpërblim shpirtëror.

Agjërimi është një praktikë universale që ka ruajtur një vend të rëndësishëm në jetën fetare të besimtarëve krishterë dhe myslimanë. Ndërsa formati dhe rregullat ndryshojnë, thelbi është i njëjtë: të kultivohet vetëkontrolli, të forcohet lidhja me Zotin dhe të stimulohet solidariteti shoqëror. Duke kuptuar traditat e ndryshme të agjërimit, ne mund të arrijmë një vlerësim më të thellë të mënyrave në të cilat njerëzit përpiqen të përmirësojnë vetveten dhe shoqërinë përmes praktikave shpirtërore.

Formalizmi dhe hipokrizia (farizeizmi) në agjërim

Agjërimi është një praktikë fetare e njohur në shumë tradita, veçanërisht në fenë islame dhe hebraike, që synon pastrimin shpirtëror dhe forcimin e vetëdisiplinës. Në Islam, agjërimi i muajit të Ramazanit përbën një nga pesë shtyllat kryesore të besimit, ndërsa në Judaizëm, agjërimi është pjesë e praktikave të pendesës dhe reflektimit. Megjithatë, agjërimi mund të shndërrohet në një mekanizëm hipokrit, kur qëllimi primar bëhet për t’u dukur i devotshëm para njerëzve, duke humbur dimensionin e tij shpirtëror. Kjo dukuri është e lidhur ngushtë me farizeizmin.

Farizeizmi, si lëvizje fetare hebraike e periudhës së shekullit të parë para dhe pas Krishtit, karakterizohet nga një përqendrim i tepërt në ligjin dhe ritualet e dukshme, shpesh pa pasur një angazhim të vërtetë shpirtëror. Farizenjët shpesh theksonin zbatimin rigoroz të ligjeve, ndërsa shpesh injoronin parimet morale dhe shpirtërore që këto ligje synonin të kultivonin. Kështu, ata shpesh shiheshin si model i hipokrizisë fetare: angazhimi i jashtëm ishte i madh, por transformimi i brendshëm shpirtëror mungonte.

Në këtë kontekst, agjërimi mund të kthehet në një praktikë formale dhe e jashtme, më shumë se në një akt devocioni të sinqertë. Jezusi shpesh kritikon farizët për këtë lloj devocioni “spektakolar”. Në Ungjillin sipas Mateut (6:16 –18), ai thotë: “Kur agjëroni, mos bëni si hipokritët që e shfaqin agjërimin e tyre përpara njerëzve…”. Kjo nxjerr në pah rrezikun që vetë akti fetar të humbasë kuptimin e tij të brendshëm, duke u shndërruar në një mjet për të fituar miratimin dhe respektin e shoqërisë.

Historikisht, fenomeni i agjërimit të jashtëm për të treguar devotshmëri është i përhapur. Në shoqëritë ku religjioni ka rol të madh social, agjërimi mund të shihet jo vetëm si akt devocioni, por edhe si një mënyrë për të treguar status moral. Kjo qasje ka pasoja të dukshme në psikologjinë fetare: individët mund të humbasin lidhjen autentike me Zotit dhe të kultivojnë një etikë të bazuar në vlerësimin e të tjerëve, jo në sinqeritetin shpirtëror.

Një aspekt tjetër i lidhjes mes agjërimit dhe farizeizmit lidhet me veprat e tjera të devotshmërisë, si lutja dhe bamirësia. Farizenjët shpesh praktikojnë këto veprime në mënyrë që të jenë të dukshme nga të tjerët. Kur agjërimi shndërrohet në një “armë” për të fituar lavdërim publik, ai humbet funksionin e tij themelor si instrument për pastrimin e zemrës. Kjo është ajo që teorikisht mund të quhet “hipokrizi rituale”: veprimi i jashtëm është korrekt, por qëllimi i brendshëm nuk është i pastër.

Sot, kjo çështje mbetet e rëndësishme. Në shumë komunitete, njerëzit mund të agjërojnë për arsye sociale, për t’u dukur të devotshëm, ose për të ndier superioritet moral, duke imituar farizeizmin antik. Kjo tregon se hipokrizia nuk është një dukuri historike e kaluara, por një sfidë e vazhdueshme e praktikave fetare që kërkojnë balancë midis formës dhe përmbajtjes.

Lidhja mes agjërimit si formë hipokrizie dhe farizeizmit tregon një tension të thellë midis dukjes dhe realitetit shpirtëror. Historia dhe tekstet fetare mësojnë se kur devocioni bëhet një spektakël për sy të tjerëve, ai humbet dimensionin transformues. Farizenjët shërbejnë si paralajmërim për rrezikun e shpirtërisë që mbetet e jashtme, dhe praktikuesit e sotëm mund të mësojnë të ruajnë sinqeritetin në agjërim dhe çdo akt fetar tjetër. Vetëm kur veprimi është i lidhur me një qëllim të brendshëm të pastër, agjërimi mund të kryejë funksionin e tij shpirtëror dhe moral. Pra problemi nuk është agjërimi publik – problemi është synimi publik. Farizeu nuk është person historik, është është mundësi psikologjike brënda nesh. Ai shfaqet kur: postojmë bamirësinë për duartrokitje, kur përmendim sakrificat tona pa pyetje, kur matim devotshmërinë e të tjerëve, kur kërkojmë të njihemi si njerëz të mire etj.

Jezusi flet për sistemin e ligjit farise dhe rregullave që rëndonin jetën e njeriut të zakonshëm (Mateu 23:4). Farisenjtë shtuan 600 rregulla të tjera të Ligjit në lidhje me punën në Sabat (të shtunën – dita e shtatë e kalendarit hebre), 365 ndalime dhe 250 urdhërime për ata që ishin pasuesit e tyre. Kështu, Ligji nuk solli lirinë, por imponoi skllavërinë dhe shtypjen, një ndjenjë mëkati dhe faji të plotë. Si interpretues dhe mësues të Ligjit, edhe farisenjtë dhe skribët përvetësuan autoritetin e Moisiut duke abuzuar me të. Jezusi paralajmëron se asnjë masë e mbajtjes së Ligjit nuk mund të zëvendësojë “hendekun” që qëndron midis mëkatit tonë dhe shenjtërisë së Zotit i cili nepër Krishtin na shëlboi me vdekjen dhe ngjalljen e tij.

Agjërimi nuk është vetëm të heqësh dorë nga ushqimi, por të heqësh dorë nga ajo që të rëndon shpirtin. Sakrifica zgjat pak javë, por njeriu i ri që lind prej saj mund të zgjasë gjithë jetën. Agjërimi i trupit është i përkohshëm, pendesa dhe dashuria që lind prej tij janë të përhershme. Agjërimi nuk është thjesht një periudhë pa ushqim – është një proces i ndërtimit të njeriut. Zoti nuk e dënon njeriun pse nuk ka agjëruar, por pse ka bërë mëkat.

Në diskursin fetar shpesh ndodh që disa vepra të veçohen aq shumë, saqë njerëzit fillojnë t’i shohin si të vetmet kritere të shpëtimit ose të dënimit. Një nga këto është agjërimi. Ka njerëz që mendojnë se ai që nuk agjëron automatikisht është i dënuar, ndërsa ai që agjëron është i sigurt nga ndëshkimi. Por realiteti shpirtëror është shumë më i thellë: njeriu nuk hyn në ferr për shkak të një detaji të vetëm ritual, por për shkak të mëkatit, domethënë për shkak të qëndrimit të tij ndaj Zotit, njerëzve dhe vetes. Të thuash se njeriu shkon në ferr vetëm sepse nuk agjëroi është një reduktim i madh i fesë. Agjërimi është një derë drejt përmirësimit, jo vetë shpëtimi. Shpëtimi lidhet me luftën kundër mëkatit: arrogancës, padrejtësisë, urrejtjes dhe dëmtimit të tjetrit. Agjërimi që nuk të ndryshon, nuk është agjërim.

Nëse agjëron, mos e kufizo agjërimin vetëm në stomak; le të agjërojë zemra, mendja dhe karakteri. Sepse agjërimi i vërtetë është shndërrim i brendshëm shpirtëror, jo thjesht heqje dorë nga ushqimi. Nëse agjëron, atëherë agjëro shpirtërisht pa hipokrizi, jo vetëm fizikisht.

Agjëro nga lakmia – mëso të kënaqesh edhe me pak.

Agjëro nga armiqësia – zgjidh paqen para krenarisë.

Agjëro nga xhelozia – gëzohu për të mirën e tjetrit.

Agjëro nga mendjemadhësia – kujto se çdo njeri ka vlerë.

Agjëro nga dyfytyrësia – të jesh i njëjtë në publik dhe në vetmi.

Agjëro nga koprracia – jep edhe pa t’u kërkuar.

Agjëro nga gënjeshtra – fol vetëm të vërtetën që bën dobi.

Agjëro nga kokëfortësia – prano kur gabon.

Agjëro nga sjelljet e këqija – edukata është adhurim.

Agjëro nga padrejtësia – mos dëmto askënd me fjalë as me vepra.

Agjëro nga hidhërimi – fal për të liruar veten.

Agjëro nga përgojimi – hesht kur fjala nuk shëron.

Agjëro nga padurimi – pritja është forcë, jo dobësi.

Agjëro nga shpifja – mos ndërto qetësinë mbi nderin e tjetrit.

Agjëro nga egoizmi – mendo për “ne”, jo vetëm për “unë”.

Agjëro nga hedonizmi – sundo dëshirat para se të të sundojnë.

Agjëro nga parazitizmi – puno për atë që kërkon.

Agjëro nga servilizmi – ruaj dinjitetin.

Agjëro nga imoraliteti – pastërtia fillon nga qëllimi.

Agjëro nga agresiviteti – vetëpërmbajtja është forca më e madhe.

Agjëro nga etja për të qenë gjithmonë i pari – madhështia ndonjëherë është të lësh rrugë.