Thomas J. Pritzker, një nga figurat më të njohura të biznesit amerikan, ka njoftuar dorëheqjen e menjëhershme nga posti i kryetarit ekzekutiv të Hyatt Hotels Corporation.
Vendimi vjen pas publikimit të dosjeve të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, ku zbulohet lidhja e tij me Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij Ghislaine Maxwell, të dënuar për krime seksuale.
Sipas The New York Times, në letrën drejtuar bordit të Hyatt, 75-vjeçari shprehu keqardhje për kontaktet me çiftin Epstein-Maxwell, duke pranuar se kishte patur një “gjykim të tmerrshëm” dhe duhej të ishte distancuar më herët.
Dokumentet tregojnë se Pritzker kishte komunikuar rregullisht me Epstein edhe pas dënimit të tij në vitin 2008, duke u takuar shpesh në rezidencën e tij në Manhattan.
Në një email të vitit 2018, Epstein i kërkoi Pritzker-it të ndihmonte të dashurën e tij për një udhëtim në Azinë Juglindore, ku ajo do të përpiqej të gjente një partner të ri për Epstein, një mesazh që Pritzker e komentoi me humor.
Një shkëmbim tjetër emailesh nga viti 2015 tregon se Epstein bëri shaka për një takim që përfshinte Dalai Lama dhe Woody Allen, duke e përshkruar si një “ngjarje të paharrueshme”.
Pas dorëheqjes, Pritzker deklaroi se nuk do të rikandidojë për bordin e Hyatt në mbledhjen e aksionarëve në maj. Bordi ka emëruar presidentin aktual të kompanisë, Mark S. Hoplamazian, si kryetar të ri.
Në një deklaratë zyrtare, Hyatt falënderoi Pritzker-in për kontributin e tij në strategjinë dhe rritjen afatgjatë të kompanisë, duke e cilësuar udhëheqjen e tij si “instrumentale” për zhvillimin e markës.






