Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka akuzuar administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për “fshehje” lidhur me mënyrën se si po trajtohen dosjet që kanë të bëjnë me të ndjerin, të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
“Publikoni dosjet. Po e zvarrisin qëllimisht procesin,” tha ajo për BBC-në në Berlin, ku mori pjesë në Forumin Botëror vjetor.
Shtëpia e Bardhë këmbënguli se, duke publikuar dokumentet, ka bërë më shumë për viktimat sesa demokratët ndonjëherë.
E pyetur nëse Andrew Mountbatten-Windsor duhet të dëshmojë para një komiteti të Kongresit, Clinton u përgjigj: “Mendoj se të gjithë duhet të dëshmojnë nëse u kërkohet.”
Përmendja e një emri në dosje nuk nënkupton automatikisht fajësi. Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje. Vetë Clinton-ët pritet të paraqiten para komitetit të Kongresit, ku Bill Clinton do të dëshmojë më 27 shkurt, ndërsa Hillary Clinton një ditë më herët.
Kjo do të jetë hera e parë që një ish-president amerikan dëshmon para një paneli të Kongresit që prej vitit 1983, kur dëshmoi Gerald Ford. Bill Clinton, i përmendur disa herë në dosjet Epstein, ka qenë i njohur me Epstein, por ka deklaruar se ka ndërprerë kontaktet me të para dy dekadash.
Asnjëri prej Clinton-ëve nuk është akuzuar për keqbërje nga të mbijetuarit e abuzimeve të Epstein, dhe të dy kanë mohuar se kishin dijeni për krimet seksuale të tij në kohën kur ndodhën.
Miliona dokumente të reja lidhur me Epstein u bënë publike më herët këtë muaj nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, pasi Kongresi miratoi një ligj që kërkon publikimin e materialeve që lidhen me hetimet ndaj tij.
Departamenti i Drejtësisë (DoJ) ka deklaruar se ka publikuar të gjitha dokumentet e kërkuara nga ligji për transparencën e dosjeve Epstein, por ligjvënësit kanë argumentuar se publikimi është i pamjaftueshëm. Kongresmeni republikan nga Kentaki, Thomas Massie, bashkautor i ligjit, ka kërkuar që DoJ të publikojë edhe memorandume të brendshme që shpjegojnë vendimet e mëparshme nëse duhej ngritur padi ndaj Epstein dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Epstein vdiq në një qeli burgu në Nju Jork më 10 gusht 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza për trafikim seksual, pa të drejtë lirimi me kusht. Kjo ndodhi më shumë se një dekadë pasi ai ishte dënuar për kërkim prostitucioni nga një e mitur, për çka ishte regjistruar si autor i krimeve seksuale.
Andrew, ish-princi, është përballur me presion në rritje nga zyrtarë amerikanë dhe nga familja e akuzueses së tij më të njohur, Virginia Giuffre, për të dëshmuar para Komitetit të Mbikëqyrjes lidhur me lidhjet e tij me Epstein.
Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje dhe në vitin 2022 arriti një marrëveshje jashtë gjykate me Giuffre, pa pranim përgjegjësie. Giuffre vdiq nga vetëvrasja në vitin 2025.
Clinton-ët kanë kërkuar që seanca e tyre para komitetit të zhvillohet publikisht dhe jo me dyer të mbyllura.
“Do të paraqitemi, por mendojmë se do të ishte më mirë të ishte publike,” tha Hillary Clinton për BBC-në. Kryetari republikan i komitetit, James Comer, i kishte akuzuar Clintonët për “zvarritje”, duke thënë se ata u dorëzuan ndërsa afrohej votimi për përbuzje të Kongresit.
“Unë thjesht dua që të jetë e drejtë,” tha Hillary Clinton. “Dua që të gjithë të trajtohen njësoj. Nuk kemi asgjë për të fshehur. Kemi kërkuar vazhdimisht publikimin e plotë të këtyre dosjeve. Mendojmë se transparenca është dezinfektuesi më i mirë.”
Ish-kandidatja për presidente argumentoi se ajo dhe bashkëshorti i saj po përdoren për të larguar vëmendjen nga Trump.
Hillary Clinton tha se e kishte takuar Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtore e dënuar e Epstein, në disa raste.
Trump, i përmendur qindra herë në dosjet Epstein, ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje në lidhje me Epstein, me të cilin thotë se i ka ndërprerë kontaktet dekada më parë, dhe nuk është akuzuar për ndonjë krim nga viktimat e Epstein.
I pyetur për komentet e Hillary Clinton gjatë intervistës, Trump i tha BBC-së se nuk kishte asgjë për të fshehur.
“Jam shfajësuar. Nuk kam pasur asgjë të bëj me Jeffrey Epstein. Ata hynë duke shpresuar se do të gjenin diçka, por gjetën krejt të kundërtën,” tha ai në bordin e Air Force One.
“Po përfshihen gjithnjë e më shumë. Dhe ky është problemi i tyre… Clinton dhe shumë demokratë të tjerë janë përfshirë”, tha ai.
Sa i përket pretendimeve kundër Trump, DoJ ka deklaruar më herët: “Disa dokumente përmbajnë pretendime të pavërteta dhe sensacionaliste kundër Trump, të paraqitura në FBI pak para zgjedhjeve të vitit 2020. Të jemi të qartë, këto pretendime janë të pabazuara dhe të rreme; nëse do të kishin ndonjë bazë, me siguri do të ishin përdorur tashmë kundër Trump.”
Shtëpia e Bardhë tha: “Duke publikuar mijëra faqe dokumentesh, duke bashkëpunuar me kërkesën për thirrje zyrtare (subpoena) të Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve dhe me thirrjen e fundit të Presidentit Trump për hetime të mëtejshme ndaj miqve demokratë të Epstein, administrata Trump ka bërë më shumë për viktimat sesa demokratët ndonjëherë.”







