Ballina Politika Shëndetësia shqiptare në krizë, por ministrja ka kohë t’i tregojë Europës si...

Shëndetësia shqiptare në krizë, por ministrja ka kohë t’i tregojë Europës si bëhet mjekësia me IA

57
0

Ministrja e shëndetësisë Evis Sala pasi i zgjidhi problemet e shëndetësisë, tani ka shkuar t’i japë orientim shëndetësisë italiane. Kjo është tabloja që ajo përpiqet të shesë në daljet e saj publike, ndërsa në Shqipëri realiteti i pacientëve është krejt tjetër: të sëmurë me kancer që presin jashtë spitaleve, familje që enden pa shpresë për një trajtim dhe një sistem që çdo ditë dëshmon limitet e tij.

Postimi i saj nga Istituto Superiore di Sanità në Romë, ku flet për inteligjencën artificiale dhe për të ardhmen e mjekësisë europiane, tingëllon si një realitet paralel. Teksa flitet për radiomikë, të dhëna multimodale dhe lidership institucional, pacientët në Shqipëri përballen me mungesa elementare dhe me një sistem që shpesh nuk arrin t’u japë as minimumin e sigurisë.

Nuk është problem fakti që një ministre flet për inovacionin apo teknologjinë. Problemi është kontrasti brutal mes imazhit që promovohet jashtë vendit dhe gjendjes që përjetohet brenda tij. Në vend që të tregojë vizione për mjekësinë europiane, detyra e parë duhet të ishte të shihte dhe të dëgjonte atë që ndodh në korridoret e spitaleve shqiptare.

Me fodullëkun e qeverisë që përfaqëson, Evis Sala shfaqet si njeriu që po jep zgjidhje për sfidat e së ardhmes, ndërkohë që mjekësia falas në vend vazhdon të jetë një premtim i pambajtur për shumë qytetarë. Dhe pikërisht këtu lind pyetja që shumëkush e bën sot: a mund të flasësh për të ardhmen e mjekësisë europiane, kur e tashmja e sistemit tënd është në krizë?/vna