Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum deklaroi dje se Meksika nuk do t’i bashkohet Bordit të Paqes, të sapokrijuar nga presidenti amerikan Donald Trump, por do të marrë pjesë vetëm si vëzhguese.
Sheinbaum theksoi se ”Meksika mbështet çdo përpjekje për paqe në forumet ndërkombëtare”.
”Megjithatë, kur bëhet fjalë për paqen në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Palestinë, pozicioni i Meksikës është i qartë. Ne e njohim Palestinën si shtet, ndaj është e rëndësishme që të dy shtetet, Izraeli dhe Palestina, të marrin pjesë. Dhe kjo nuk është mënyra si është strukturuar ky takim”, u shpreh ajo.
Presidentja meksikane bëri të ditur se vendi i saj me shumë gjasa do të dërgojë ambasadorin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të ndjekur si vëzhgues mbledhjen e parë të organit të ri, e cila pritet të mbahet të enjten.
Bordi është krijuar nga presidenti Trump si pjesë e një plani paqeje për luftën mes Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas.
I ashtuquajturi Bordi i Paqes u prezantua zyrtarisht muajin e kaluar nga Trump në kuadër të Forumit Ekonomik të Davosit.
Shumë vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, e shohin këtë strukturë si një alternativë ose konkurrencë ndaj OKB-së dhe kanë refuzuar ftesën për t’iu bashkuar.







