Greqia po ecën përpara me krijimin e qendrave të riatdhesimit për azilkërkuesit e refuzuar në vendet jashtë Bashkimit Evropian.
“Këto qendra, idealisht duhet të ngrihen në vendet afrikane që do të ishin të gatshme të pranonin azilkërkuesit e refuzuar”, tha sot ministri i Migracionit, Thanos Plevris për televizionin grek (ERT).
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt njoftoi në janar se Gjermania kishte arritur marrëveshje për qendra të tilla kthimi në një grup pune me Greqinë, Austrinë, Danimarkën dhe Holandën.
Së bashku, do të hartohet një plan veprimi me të cilin mund të zhvillohen modele inovative, që përfshijnë vende jo-anëtare të BE-së.
Në nivel evropian, shtetet anëtare të BE-së duan të krijojnë bazën ligjore për ngritjen e qendrave të kthimit në vendet jo-anëtare të BE-së.
Në intervistën e së mërkurës në ERT, Plevris tha se qëllimi ishte të akomodoheshin njerëz në këto qendra, kërkesat e të cilëve për azil refuzohen dhe që nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës.
Ai theksoi se edhe perspektiva e kthimit në një vend të tillë jo-anëtar të BE-së mund të veprojë si një pengesë për migrantët potencialë.
Ai njoftoi se koncepti do të zhvillohej më tej në muajt në vijim në koordinim me legjislacionin evropian për kthimin e migrantëve.
Në të njëjtën kohë, ministri grek për Migracionin pranoi se problemi themelor për vendin e tij vazhdon të jetë numri i ulët i kthimeve aktuale.
Greqia kthen midis 5 000 dhe 7 000 migrantë në vit, një shifër që konsiderohet e pamjaftueshme duke pasur parasysh më shumë se 40,000 migrantë që mbërrijnë çdo vit.







