Ballina Ekonomia Ibrahimaj: Korridori VIII rrit konkurrencën, investimet dhe stabilitetin

Ibrahimaj: Korridori VIII rrit konkurrencën, investimet dhe stabilitetin

61
0

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se Korridori VIII është shumë më tepër sesa një projekt transporti, është një instrument kyç për integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e stabilitetit rajonal.

Ibrahimaj mori pjesë sot në Forumin Ekonomik për Korridorin VIII, i cili u zhvillua në kuadër të Ministerialit të Korridorit VIII, me temë: “Korridori VIII në momentin strategjik të Europës: lidhshmëria, qëndrueshmëria dhe prosperiteti i përbashkët përmes integrimit”.

Në fjalën e saj përpara ministrave, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, partnerëve financiarë dhe biznesit, ministrja Ibrahimaj theksoi se ndërlidhja fizike dhe ekonomike është kusht për rritjen e konkurrueshmërisë, garanci për sigurinë dhe themel për prosperitet të përbashkët.

“Korridori VIII është shumë më tepër sesa një projekt transporti, dhe më lejoni që ta them me bindje se është një instrument kyç për integrimin evropian, për zhvillimin ekonomik dhe për forcimin e stabilitetit rajonal. Kjo pasi në kontekstin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe të rikonfigurimit të prioriteteve strategjike të Europës, ndërlidhja fizike dhe ekonomike është kusht për rritjen e konkurrueshmërisë, si garanci për sigurinë, dhe patjetër si themel për prosperitet të përbashkët”, tha Ibrahimaj.

Ajo theksoi se ripozicionimi i Korridorit VIII në arkitekturën TEN-T është një çështje thelbësore që kërkon kalimin nga angazhimet politike në prioritete të zbatueshme evropiane, me projekte të planifikuara mirë, të financuara qëndrueshëm dhe të implementuara me efikasitet.

“Ripozicionimi i Korridorit VIII në arkitekturën TEN-T, më lejoni ta them, por është një nga çështjet më thelbësore, që përfshin kalimin nga angazhimet politike në prioritete të zbatueshme evropiane, në projekte të planifikuara mirë, të financuara në mënyrë të qëndrueshme dhe të implementuara me efikasitet”, u shpreh ministrja.