Ballina Aktualitet Lumi Erzen del nga shtrati, përmbyten toka bujqësore dhe sera në Katund...

Lumi Erzen del nga shtrati, përmbyten toka bujqësore dhe sera në Katund Sukth

69
0

Dalja nga shtrati e lumit Erzen rreth orës 01:00 pas mesnate ka sjellë përmbytje të konsiderueshme në zonën e Katund Sukthit, duke dëmtuar toka bujqësore dhe sera të fermerëve vendas.

Uji ka vërshuar me shpejtësi drejt parcelave të mbjella, duke shkaktuar humbje të mëdha në prodhim dhe investime të sezonit.

Situata paraqitet problematike edhe në njësinë administrative Katund i Ri, konkretisht në fshatin Erzen, ku është konstatuar çarja e argjinaturës mbrojtëse.

Sipas banorëve, dobësimi i strukturës mbrojtëse ka qenë i dukshëm prej kohësh, ndërsa ndërhyrjet kanë munguar.

Fermerët shprehen se përmbytja ka goditur pikërisht në kulmin e sezonit, duke rrezikuar të shkatërrojë muaj të tërë pune dhe investime të konsiderueshme financiare.

Disa prej tyre raportojnë dëmtime serioze në sera, ndërsa sipërfaqe të tëra toke janë mbuluar nga balta dhe inertet e sjella nga rrjedha e fortë e lumit.

Banorët theksojnë se problematika e argjinaturës nuk është e re dhe se ndërhyrjet kanë qenë të pjesshme ose të pamjaftueshme. Ata kërkojnë verifikim të plotë të situatës, si dhe përgjegjësi institucionale për dëmet e shkaktuara.

Aktualisht, sipas informacioneve nga terreni, niveli i ujit ka nisur të tërhiqet gradualisht, por dëmet materiale mbeten të konsiderueshme.

Banorët po përpiqen të pastrojnë serat dhe tokat nga uji dhe balta, ndërsa kërkojnë mbështetje emergjente për të përballuar humbjet.