Ballina Aktualitet Markeljan Hoti, vëllai i deputetes Elda Hoti, arrestohet në Romë si i...

Markeljan Hoti, vëllai i deputetes Elda Hoti, arrestohet në Romë si i kërkuar për trafik ndërkombëtar kokaine

83
0

Një trafikant shqiptar i drogës, i kërkuar me mandat arresti europian, është arrestuar në periferi të Romës pas një operacioni të policisë italiane. 27-vjeçari Markeljan Hoti u kap në zonën e Ponte di Nona, ku fshihej në një “bed & breakfast” së bashku me të fejuarën e tij.

Sipas autoriteteve italiane, Hoti dyshohet se kishte rol të rëndësishëm në një organizatë kriminale të specializuar në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës. Droga mbërrinte fillimisht në portin e Antwerp dhe më pas transportohej me automjete nga Europa Veriore drejt destinacioneve të tjera. Pas sekuestrimit të 50 kilogramëve kokainë të fshehura në konteinerë në port, 27-vjeçari kishte humbur gjurmët.

Ndaj tij ishte lëshuar një mandat arresti europian në janar, për akuzën e pjesëmarrjes në organizatë të trafikut të lëndëve narkotike, vepër për të cilën parashikohet deri në 15 vite burg. Kapja u bë e mundur falë bashkëpunimit të strukturave të policisë kriminale italiane dhe njësive antidrogë të Rome.

Hetimet tregojnë se i kërkuari kishte arritur të qëndronte “i padukshëm” për autoritetet për shkak se të dhënat e tij nuk ishin regjistruar në sistemin zyrtar të akomodimit nga pronari i strukturës ku qëndronte. Pas identifikimit, ai u dërgua menjëherë në burg, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave të ekstradimit.