Ballina Politika Osman Stafa: Rama po qeveris si diktator, 20 shkurt protestë kombëtare për...

Osman Stafa: Rama po qeveris si diktator, 20 shkurt protestë kombëtare për ta rrëzuar

50
0

Osman Stafa, kryetar i degës së PD-së Sukth, në fjalën e tij gjatë Foltores së PD të mbajtur sot në Sukth, u shpreh se qeveria e Edi Ramës është një “diktaturë kriminale” dhe bëri thirrje për një protestë masive kombëtare më 20 shkurt për ta rrëzuar atë.

Ai akuzoi kryeministrin se po përdor metoda presioni dhe shantazhi ndaj qytetarëve dhe paralajmëroi se situata politike në vend është e njëjtë si gjatë regjimit komunist, ku qytetarët duhet të rezistojnë dhe të përballojnë pushtetin autoritar.

Stafa denoncoi gjithashtu mungesën totale të investimeve dhe shpërndarjen klienteliste të ndihmave për zonën e Sukthit, Ishmit dhe Manzës, duke theksuar se paratë për të dëmtuarit nga tërmeti dhe përmbytjet nuk kanë shkuar tek banorët, por tek bashkëpunëtorët e pushtetit.

Ai përfundoi me thirrjen që qytetarët të bëhen pjesë e PD-së dhe të vërshojnë në protestën e 20 shkurtit, duke nënvizuar se vetëm përmes pjesëmarrjes direkte mund të rrëzohet ky regjim.

Pjesë nga deklarata:

Një falenderim të veçantë kam për ju, qytetarë të kësaj zone, të Bashkisë Sukth, të Komunës së Ishmit, të ish-Bashkisë Manzë, dhe në mënyrë të veçantë për zonën e Rrushkullit dhe të Hidrovorit. Një vlerësim maksimal për ju. Doktor Berisha, mirë se erdhe. Kënaqësi për ne. Është një vlerësim, është një respekt në lidhje me sfidat që kemi përballuar bashkërisht si degë e Partisë Demokratike.

Të nderuar miqtë e mi, unë do të jem i drejtpërdrejtë në këtë komunikim me ju. Ndjej kënaqësi, respekt dhe vlerësim nga ju, për gjithçka kemi bërë gjatë këtyre viteve bashkërisht. Kemi kaluar beteja të vështira. Jemi përballur me një sekt, me një diktator, me një diktaturë kriminale, ku çdo ditë shqiptarët po e provojnë dhimbjen mbi shpinën e tyre dhe ku çdo familje shqiptare është pjesë e viktimës së këtij pushteti kriminal.

Unë, në komunikimin tim me ju, sot do të kujtoj dy episode. Nuk do të flas si kryetar i Partisë Demokratike; unë do të flas si student i dhjetorit. Do t’ju kujtoj dy episode të cilët lidhen me atë çfarë kemi bërë ne në vitin 1990 dhe 1991. Kam qenë kryetar i lëvizjes studentore të Universitetit Bujqësor të Kamzës. Kam qenë kryetar i lëvizjes që ka filluar më 4 shkurt deri në ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit.

Dikush do të më pyesë pse e lidh miku jonë dhe pse na e kujton një ngjarje. Nga data 12 apo 13 shkurt, ish-regjimi, ish-kryeministri Adil Çarçani, thirri një përfaqësi ku unë isha kryetar i asaj përfaqësie. Ai ushtronte presion, trysni dhe oferta komprometuese për të kompromentuar atë lëvizje. Ne i qëndruam dhe përfundimi ishte fillimi i grevës së urisë dhe rrëzimi i bustit të diktatorit.

Pse e lidha unë një ngjarje të tillë? Para pak ditësh, kryeministri Rama ishte në një takim në Durrës. Këtë takim e organizoi me shumë dinakëri, sepse ai është pjellë e një pushteti dhe e një dinakërie për të manipuluar qytetarët durrsakë, pasi bëri një projekt për interesa të miqve të tij, pa u konsultuar aspak me banorët dhe qytetarët, të cilët, për hir të vërtetës, janë zemra e qytetit. Nga aty e dy lagje të tjera ka filluar lindja e këtij qyteti të mrekullueshëm siç është Durrësi.

Ai tentoi t’i kompromentojë, t’i ofrojë, t’i shantazhojë. Në dalje, një qytetar durrsak, një zë i lirë, i kujtoi se ku e kishte lënë Agasin e famshëm, dhe në mënyrë të paskrupullt, pra vetë kryeministri drejtpërdrejt, urdhëroi arrestimin dhe shoqërimin e këtij qytetari, të këtij zëri të lirë.

Kjo ishte arsyeja që unë e kujtova dhe hapa këtë lloj bashkëbisedimi me ju, për t’ju kujtuar se diktaturat kanë të njëjtën formë, të njëjtën ngjyrë, dhe kërkojnë përballje dhe rezistencë.

I dashur doktor Berisha, unë e di mirë që këto miq, bashkëpunëtorë dhe qytetarë, tërë vëmendjen sot e kanë tek ju. Por, para se t’ia kaloj fjalën juve, unë dua që këtyre miqve të mi t’ju kujtoj disa gjëra.

Doktor Berisha, kjo është një zonë që, për hir të vërtetës, pushteti qëndror dhe lokal nuk ka bërë asnjë investim. Janë përmbytur, doktor Berisha. Nuk janë dëmshpërblyer, doktor Berisha. Janë dëmtuar nga tërmeti, doktor Berisha. Por ata që janë dëmtuar, është vështirë të kenë marrë para. Paratë i kanë marrë bashkëpunëtorët e pushtetit, jo njëherë, doktor, por dy, tri dhe katër herë.

I njëjti skenar po vazhdon sot dhe me përmbytjet. Është një zonë që nuk ka asnjë investim, doktor Berisha. Investimet e fundit ndoshta i përkasin vitit të largët 2013. Kjo është për të ardhur keq. Pse i kujtova këto? I kujtova, doktor, sepse kjo është zemra e Partisë Demokratike dhe ne jemi borxhli këtyre banorëve, këtyre qytetarëve. Dhe këta kanë nevojë për mbështetje, për përkrahje.

Miqtë e mi, para se ta mbyll fjalën, dua t’ju them diçka. Ky takim ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Data 20 shkurt është një datë e jashtëzakonshme, jo vetëm për demokratët, jo vetëm për Partinë Demokratike, por për gjithë Shqipërinë. Dhe me datën 20 shkurt, jo vetëm ne që jemi këtu, bashkë me familjarët tanë, duhet të vërshojmë drejt Tiranës, sepse Shqipëria është në momentet e fundit. Diktatura është instaluar, ne duhet ta pranojmë.

Miqtë e mi, ne sot jetojmë në diktaturë. Thjesht ka emrin pluralizëm, por s’ka aspak lidhje me demokracinë. Ne jetojmë në diktaturë dhe kemi një detyrë dhe një mision të gjithë bashkërisht, me doktor Berishën në krye, të rrëzojmë diktaturën. Ky është misioni dhe kauza jonë. Nuk ka alternativë tjetër.

Në mbyllje, kam një koment shumë të shkurtër për ata që na sugjerojnë dhe japin këshilla, por nuk bëhen pjesë e lëvizjes. Na sugjerojnë që duhet të ndryshojë Partia Demokratike. Të nderuar qytetarë, kudo që jeni, dhe ju që na ndiqni nga kafeneja apo nga shtëpia, unë kam një thirrje për ju: për të ndryshuar duhet të marrësh pjesë.

E përsëris, për të ndryshuar diçka, duhet të bëhesh pjesë. Ky regjim ndryshon duke u bërë pjesë, duke u vërshuar të gjithë bashkë në shesh, jo duke komentuar nga kafeneja apo nga shtëpia. Nëpërmjet qëndrimit tonë pasiv, ky regjim nuk rrëzohet.

Unë ju përshëndes, ju falenderoj. Është kënaqësi për mua të jem një nga bashkëpunëtorët tuaj. Përkulem para jush, miq. Jeni të mrekullueshëm. Zoti ju bekoftë, Zoti bekoftë Shqipërinë, Zoti bekoftë Partinë Demokratike.

Dhe e fundit, meqënëse nesër fillon muaji i madh i Ramazanit, për të gjithë agjëruesit, uroj agjërim të mbarë dhe të pranuar. Zoti e shpëtoftë Shqipërinë. Ju faleminderit të gjithëve.