Ballina Aktualitet Rruga e investuar me 1.4 miliardë lekë degradohet, aksi drejt sektorit ‘Rinia’...

Rruga e investuar me 1.4 miliardë lekë degradohet, aksi drejt sektorit ‘Rinia’ pothuajse i pakalueshëm

79
0

Një nga akset më problematike në Durrës është rruga që të çon drejt zonës së njohur si “Sektori Rinia”, një prej hapësirave më të frekuentuara për shkak të brezit të pishave dhe vijës bregdetare.

Reshjet e dendura të shiut gjatë natës e kanë përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e kësaj rruge, duke e bërë pothuajse të pakalueshme. Kanalet anësore janë mbushur me ujë, ndërsa segmenti rrugor është i dëmtuar nga gropa të mëdha dhe rrëshqitje e asfaltit, duke sjellë vështirësi serioze për banorët dhe drejtuesit e mjeteve.

Banorët e zonës shprehen të revoltuar për situatën, duke theksuar se dëmtimet e automjeteve janë të përditshme.

“Është katastrofë. Po prishim makinat çdo ditë, na bien gomat, na dëmtohen amortizatorët,” shprehen ata.

Rruga e “Sektorit Rinia” është rikonstruktuar në vitet 2014 dhe 2016, me një investim total prej rreth 1.4 miliardë lekësh të vjetra. Megjithatë, sot pjesa më e madhe e asfaltit ka rrëshqitur, ndërsa segmenti paraqet dëmtime të shumta, pavarësisht investimeve të kryera ndër vite.

Banorët theksojnë se rruga është kthyer në një pikë të rrezikshme, ku nuk kanë munguar aksidentet, ndërsa përgjatë saj janë vendosur edhe memoriale në kujtim të viktimave.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe një zgjidhje përfundimtare, duke theksuar se amortizimi i mëtejshëm i rrugës rrit rrezikun për aksidente dhe dëme materiale.