Ervin Salianji ka zhvilluar një takim me demokratët në Berat, duke sfiduar edhe një herë linjën e vendosur nga Sali Berisha dhe duke kërkuar reflektim brenda Partisë Demokratike. Në një deklaratë me tone kritike, ai theksoi se partia duhet të hapë garën dhe të respektojë statutin, sipas të cilit kryetari duhet të japë dorëheqjen nëse nuk e çon PD-në drejt fitores.
Salianji kritikoi figurat që, sipas tij, vazhdojnë të mbajnë poste pavarësisht humbjeve të përsëritura, ndërsa nënvizoi se ka pasur edhe raste suksesi në zona tradicionalisht të majta që nuk janë vlerësuar. Ai hodhi poshtë akuzat ndaj takimeve të tij, duke deklaruar se demokratët kërkojnë ndershmëri dhe konkurrencë reale.
Në një moment kur tensionet brenda opozitës janë sërish në rritje, Ervin Salianji ka zgjedhur të vijojë turin e takimeve me demokratët, këtë herë në qytetin e Berat, duke dhënë një mesazh të qartë për lidershipin e PD se pa reflektim dhe pa garë të ndershme, partia nuk mund të rikthehet fituese.
“Po e them qartësisht, turpi do t’i mbulojë në histori cilindo që tallet me popullin opozitar, që rrëzon Ramën në mënyrë imagjinare çdo javë dhe pastaj thotë për javën tjetër që do ta rrëzojmë këtë javë që vjen”, u shpreh ai.
Takimi në Berat vjen në vazhdën e një serie bashkëbisedimesh që Salianji ka zhvilluar në qytete të ndryshme të vendit, një lëvizje që shihet si sfidë e drejtpërdrejtë ndaj linjës së përcaktuar nga Sali Berisha. Vetë Salianji ka theksuar se këto takime synojnë “ta bëjnë Partinë Demokratike fituese”, duke insistuar në nevojën për riorganizim dhe hapje të brendshme.







