I ftuar në Syri Tv, gazetari Enton Qyno tha se qytetari i është drejtuar kryeministrit me fjalët “O hajdut, shko se po të pret Gysi me shishen e verës”, një koment që u cilësua më shumë si një batutë sesa një fyerje apo kërcënim.
Sipas Qynos, veprimi i policisë ishte tërësisht i pajustifikuar. Qytetari ndodhej në një distancë të sigurt dhe nuk përbënte asnjë rrezik fizik për kryeministrin, çka e bën shoqërimin e tij në polici një masë disproporcionale dhe pa bazë ligjore.
Ky veprim ngre pikëpyetje serioze mbi autoritetin e kryeministrit për të urdhëruar drejtpërdrejt veprime policore dhe mbi atë që cilësohet si “bindja e verbër” e policisë ndaj urdhrave politikë.
Ky incident nuk shihet si një rast i izoluar, por si pjesë e një modeli sjelljeje të Ramës ndaj zërave kritikë.
Përdorimi i aparatit shtetëror për të heshtur zëra, qoftë edhe për një shaka, konsiderohet një shenjë shqetësuese për shëndetin e demokracisë dhe lirinë e fjalës në vend.
Tani e ndoqëm videon dhe kishte një situatë atje që qytetari më tepër ka bërë një batutë sesa ka bërë një thyerje apo një ofendim apo qoftë dhe një bullizim ndaj kryeministrit. Sepse ka bërtitur në drejtim të kryeministrit që ‘o hajdut, shko se po të pret Gysi me shishen e verës’. Edhe që këtu pastaj ka filluar debati në distancë. S’kishte pse të bëheshe ndalimi apo shoqërimi i personit kur ai ishte larg një perimetri… s’e rrezikonte… dhe një distance ndaj kryeministrit që mund të kishte një agravim të situatës për ta goditur qoftë dhe fizikisht, apo për të krijuar një situatë përplasje fizike.
Por që jemi në një kohë kur Rama nuk do as edhe një kritikë, nuk do as edhe një batutë, nuk do as edhe kundërshtim ndaj qytetarëve dhe unë po marr rastin e takimit në Divjakë me fermerët e Divjakës, ku gjithë ajo sallë e madhe, vetëm njëri doli kundër atje, dhe ju lëshua atij fermerit dhe e telendisi, por që nuk i pëlqeu situata, analiza e qytetarit, që po falimentonin dhe po futeshin shumë fruta dhe prodhime bujqësore nga vendet e tjera.
Dhe ai e vuri në dukje këtë gjë, por që u përball me një situatë jo të këndshme pikërisht në këtë takim. E njëjta gjë ndodhi edhe në Durrës, ku një qytetar vetëm se bëri një batutë, ë, doli kryeministri me një sjellje të tipit Kadri Hazbiu, edhe ata atje m’i kapni, m’i hiqni çuna, ma spastroni zonën, ma çoni në komisariat. Ai vërtet nuk është arrestuar, por dhe nuk duheshe të ishte shoqëruar? Pse duhet të shoqërohet një qytetar kur mund të bëjë qoftë edhe një batutë ndaj kryeministrit?
Dhe kush është kryeministri që urdhëron se kush duhet të shoqërohet dhe kush duhet të arrestohet, apo kush duhet të mbahet dy orë në polici larg vëmendjes apo larg aktivitetit të tij politik pikërisht në një institucion shtetëror. Pra kjo gjë mund të ishte evituar, aq më tepër naiviteti i policisë që i bindet në mënyrë të verbër çdo sinjali, çdo urdhri të kryeministrit. Çfarë kishte në, në atë situatë për të shoqëruar një qytetar nga ana e policisë? Mua më duk shumë e tepruar edhe si rast, edhe si reagim i kryeministrit, sepse mund të ishte edhe të anashkaluar, mund të ishte injoruar nga ana e kreut të shtetit.







