Ballina Politika Denoncimi i Blushit: Ish-Oficerit të Policisë i mbajtën të fshehtë 4 ditë...

Denoncimi i Blushit: Ish-Oficerit të Policisë i mbajtën të fshehtë 4 ditë vdekjen e djalit në QSUT

79
0

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka sulmuar sistemin shëndetësor në vend, duke sjellë në Kuvend rastin e një 35-vjeçari që ndërroi jetë në spital.

Blushi tha se i riu Ardit Rapushi, djali i ish-oficerit të Policisë, Ilirjan Rapushi, ndërroi jetë në shkurt të vitit të kaluar. Sipas Blushit, spitali e mbajti 4 ditë të fshehur nga familja vdekjen e 35-vjeçarit. Ai vijoi më tej duke thënë se familja e të ndjerit ka 1 vit dhe ende nuk e ka marrë kartelën e vdekjes së Arditit

Blushi tha gjithashtu se ende sot e kësaj dite familja e Arditit nuk ka marrë një përgjigje nga spitali për shkakun e vdekjes së 35-vjeçarit.

Teksa kërkoi nga SPAK që të nisë hetimet për këtë rast, Blushi një thirrje e kishte edhe për Ministrinë e Brendshme, që ta ngrenë më shumë zërin e ish-oficerit të Policisë, që kërkon përgjigje për ndarjen nga jeta të të birit.

Fjala e plotë e Tedi Blushit:

Të nderuar qytetarë!

E mora në fakt fjalën në këtë pikë të rendit të ditës, jo më shumë për të folur, në fakt për projektligjin, por për të denoncuar një rast kriminal, pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit flagrant të sistemit të shëndetësisë, që tanimë udhëhiqet nga parimi, paguaj ose vdis.

Ditën e djeshme jam takuar me një ish-oficer të ndershëm të policisë së shtetit, me Z. Ilirjan Rapushi.

Vitin e kaluar, në datën 21 Shkurt, djali i tij, i ndjeri Ardit Rapushi, u shtrua për vizitë në Qendrën Spitalore Universitare ‘ Nënë Tereza’ dhe për katër ditë me rradhë familja e tij nuk lejohej të vizitonte djalin e shtruar në spital.

Katër ditë më vonë babai, familja merr vesh që djali kishte vdekur në spital.

Pra katër ditë, ky sistem shëndetësor, mbante pa jetë, pa i treguar familjes, trupin e pa jetë të djalit të tij.

Po tmerri dhe makabriteti i këtij sistemi shëndetësor nuk mbaron këtu.

Ka një vit që familja e tij ende nuk ka marrë kartelën e vdekjes.

Nuk ka fund makabriteti, antihumanizmi dhe sjellja kriminale e kujtdo drejtuesi, mjeku, përfaqësuesi të Ministrisë së Shëndetësisë , që sot e kësaj dite nuk i jep përgjigje pyetjes së familjes Rapushi.

Përse humbi jetën në spital ku shkoi për tu kuruar djali i tyre i vetëm?

Unë po kërkoj sot publikisht nga Ministrja e Shëndetësisë, e cila as sot nuk ka gjetur kohën të vijë në këtë sallë, që të japi një përgjigje të shpejtë, pa vonesë lutjes së një prindi, i cili është endur dhe vijon të endet dyerve të Ministrisë, të të gjithë Institucioneve shtetërore, vijon të trokasë çdo ditë në spitalin ‘Nënë Tereza ‘ dhe ende nuk ka një përgjigje.

Përse humbi jetën në spitalin shtetëror ‘Nënë Tereza ‘ djali i tij i vetëm.

Makabriteti vijon, nuk mbaron me kaq.

Pas më shumë se një vit lutjeje, Qëndra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza ‘ i jep familjes së viktimës një vërtetim, një letër bakalli ku nuk sqarohet arsyeja se përse i ndjeri, 35 vjeç në moshën kur humbi jetën për arsye ende të paqarta, ende të paditura Ardit Rapushi dhe diagnoza në këtë vërtetim shkruan sëmundje e rëndë dhe vetëm kaq.

Unë i kërkoj ndjesë në fakt familjes Rapushi, por u detyrova me kërkesë të saj ta bëja publik këtë rast që duhet të tronditi sot të gjithë ne në këtë sallë.

Në rradhë të parë atë që paguhet për të qenë titullarja e një sistemi të dështuar, e një sistemi që është shndërruar në një sistem kriminal, antihuman, çnjerëzor, Ministres së Shëndetësisë.

Gjithashtu shfrytëzoj rastin ti bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme dhe gjithë organeve ligjzbatuese, do ftoja Ministren e Brendshme ti jepte më shumë zë familjes së oficerit të policisë së shtetit, i cili edhe pse ka kontribuar një jetë për rendin dhe sigurinë në Qarkun e Fierit, ende sot ky drejtues apo ish-drejtues i lartë më saktë i policisë së shtetit, nuk ka një përgjigje se përse djali i tij humbi jetën dhe kush ja fshehu trupin pa jetë të djalit për më shumë se katër ditë.

Shpresoj shumë që SPAK të fillojë hetimet për këtë rast, që jam i bindur nuk është i vetëm, sepse kjo në fakt është drama e madhe, pasojat e së cilës nuk i vuan vetëm një familje, por i vuajnë shumica dërrmuese e shqiptarëve, për të cilët sot sistemi shëndetësor është kthyer jo vetëm në një makth, jo vetëm në pasiguri, por mbi të gjithanë një sistem kriminal, i cili të merr dhe jetën dhe nuk të jep arsyet se përse ka ndodhur kjo.

Shpresoj shumë në fakt edhe pse besimi te një shumicë, e cila qartësisht premtim-mashtrimin e shëndetësisë falas e ktheu në mëto, por tani e ka kthyer në një akt kriminal, ti japi fund këtij trajtimi çnjerëzor ndaj një populli, i cili nuk gjen dot shpëtim dhe shërim as në ato institucione, të cilat paguhen me taksat e të gjithë shqiptarëve që sot paguajnë 50% deri 70% të buxhetit të tyre për kurim.

Në fakt nuk ju jep jo vetëm shërim, por përkundrazi është kthyer në arsyen se përse qytetarët humbin jetën në këto institucione.

Unë sigurisht do të kërkoj dhe një interpelancë të veçantë për këtë rast për ta bërë shembull në të ardhmen dhe sigurisht do ti drejtohem dhe të gjithë organeve të Drejtësisë, për ti dhënë drejtësi familjes Rapushi, që ende pas një viti nuk ka marrë kartelën mjekësore të arsyeve se përse një 35 vjeçar, në lule të rinisë që zgjedh spitalin shtetëror, ndoshta i mashtruar nga deklaratat tuaja, se do të gjejë aty gjithë përkujdesjen e duhur, ka humbur jetën.

Djalë i vetëm i një familjeje, në moshë të re, që sigurisht mund të ketë patur sëmundje të cilat ende familja nuk është në dijeni, por për të cilat pret nga shteti dhe kërkon nga shteti, prej më shumë se një viti, ti japi këtë përgjigje.

Përse Ardit Rapushi humbi jetën në 21 Shkurt të vitit të kaluar dhe kush e fshehu trupin e tij pa jetë për katër ditë në morgun e Tiranës.

Këto janë drama që jo vetëm tronditin këdo që ka një ndërgjegje qytetare, por që në fakt revoltojnë me pashpirtësinë, me cinizmin, me arrogancën, me kriminalitetine një sistemi, i cili është kthyer jo vetëm në makth, por dhe në arsyen se përse sot shqiptarët humbin edhe jetën.