Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mbrojti projektin kontrovers të Parkut Teknologjik “Durana Tech Park”, duke deklaruar se Durana nuk është një parajsë fiskale, por një katalizator për nxitjen e Ekonomisë.
“Durana Tech Park është një projekt që prek zhvillimin ekonomik dhe lidhet me objektivat që ka Qeveria”, tha ministrja Ibrahimaj.
Ministrja e Ekonomisë ka justifikuar dhe variantin virtual të operimit të Parkut. Sipas saj, faza virtuale 36-mujore, shërben për të testuar proceset administrative, interesin e tregut dhe funksionimin e strukturës përpara ndërtimit të infrastrukturës fizike.
“Qëllimi ynë ka qenë të krijojmë një ekosistem të qëndrueshëm inovacioni, që tërheq investime të huaja dhe vendase dhe krijon mundësi punësimi për të rinjtë shqiptarë. Durana nuk është parajsë fiskale, nuk ka lidhje me evazion ose shmangie tatimore, dhe funksionon në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar”, shtoi ministrja Ibrahimaj.
Ibrahimaj informoi se aktualisht, parku ka 80 rezidentë, nga të cilët 57 kanë finalizuar kontratat, ndërsa pjesa tjetër ndodhet në proces regjistrimi dhe licensimi.
“Nga këto subjekte, 52% janë me kapital të huaj dhe 48% me kapital shqiptar, duke reflektuar interesin ndërkombëtar dhe zhvillimin e sipërmarrjes vendase. Nga 52 kompanitë e regjistruara, 27 ende nuk kanë nisur faturimin, gjysma nuk kanë nisur për arsye kohe dhe natyre të projekteve inovative që kanë nevojë për fazë inkubimi. Numri real i kompanive që kanë përfituar nga lehtësirat fiskale gjatë vitit 2025 është 5. Nga këto, 3 janë shqiptare dhe 2 janë të huaja. Pa operuar brenda parkut, ato do të kishin paguar 37.616 euro tatimfitim jashtë parkut, ndërsa duke operuar brenda parkut kanë paguar 59.938 euro ndaj parkut të aplikuara mbi qarkullimin e tyre vjetor sipas rregullave të Duranës, pasi ka të parashikuar që një pjesë e qarkullimit kalon si kontribut. Pra në këtë rast meqë po flasim për Duranën si entitet 100%, shteti ka fituar dhe nuk ka humbur. Konkluzioni për zotin Shehaj: Teoria e evazionit dhe parajsës fiskale nuk qëndron. Këtu shteti ka ndërtuar një strukturë që funksionon dhe që monitoron aktivitetin ekonomik, brenda parimeve ligjore dhe ndërkombëtare”, tha Ibrahimaj.







