Ballina Politika Korreshi kritika në Kuvend: Mburrni SPAK-un, por pse nuk lejoni arrestimin e...

Korreshi kritika në Kuvend: Mburrni SPAK-un, por pse nuk lejoni arrestimin e Ballukut?

72
0

Deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Saimir Korreshi, ka mbajtur një fjalim kritik në Kuvend, ku ka akuzuar qeverinë për dështim në disa reforma kyçe, nga drejtësia te shëndetësia dhe arsimi.

Gjatë fjalës së tij, Korreshi iu drejtua ministres së Jashtme me tone ironike, duke komentuar një vizitë të saj në Vjenë dhe duke e krahasuar me situatën e brendshme politike. “Shkuat në Vjenë në koncertin e harqeve, por këtu erdhët dhe i ratë fyellit me një vrimë prapë. Vetëm këtu ndodh kjo,” u shpreh ai.

Në vijim, deputeti demokrat u ndal te reforma në drejtësi, duke ngritur pikëpyetje mbi kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore. Sipas tij, me reformën e re një gjyq mund të zgjasë deri në 16 vite, ndërsa me sistemin e vjetër përfundonte për 4–5 vite. “Pra, është të mos marrësh drejtësi sot,” deklaroi ai.

Korreshi përmendi edhe SPAK, duke akuzuar mazhorancën se, ndërsa mburret me këtë institucion, në praktikë e pengon atë të veprojë ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë zv/kryeministren.

Në fjalën e tij ai kritikoi edhe situatën në shëndetësi, duke sjellë si shembull Spitalin e Lushnjës, ku sipas tij godina është shembur për rikonstruksion, por pas tetë muajsh nuk ka ende themele dhe procesi është vonuar për shkak të lejeve nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT). “Ndërsa njerëzit rrinë nëpër qenefe, kjo është reforma juaj,” u shpreh ai me tone të ashpra.

Korreshi kritikoi edhe reformën në arsim, duke përmendur kushtet në shkollat rurale, ku sipas tij nxënës nga disa klasa mësojnë së bashku në një ambient të vetëm, si dhe tarifat e larta universitare. “Kështu bëjnë në Europë? Do hyjmë në Europë ne, thoni ju,” përfundoi ai.