Aktori i njohur nga seriali The Big Bang Theory Kunal Nayyar, ka zbuluar se përdor platformën GoFundMe për të paguar në mënyrë anonime faturat mjekësore të familjeve në nevojë.
Nayyar, i cili gjatë kulmit të suksesit të serialit ishte ndër aktorët më të paguar në botë me rreth 1 milion dollarë për episod, tha se pasuria i ka dhënë lirinë për të ndihmuar të tjerët.
“Paratë më kanë dhënë më shumë liri dhe dhurata më e madhe është aftësia për të dhënë, për të ndryshuar jetën e njerëzve. Ajo që më pëlqen vërtet është të hyj në GoFundMe natën dhe të paguaj rastësisht faturat mjekësore të familjeve. Kjo është si misioni im i maskuar”, u shpreh ai për The i Paper.
Aktori shtoi se, përveç ndihmës ndaj njerëzve, ai dhe bashkëshortja e tij mbështesin edhe organizata për mbrojtjen e kafshëve, veçanërisht për qentë.
Sipas Nayyar, për të, paratë nuk janë barrë, por një “hir nga universi” që i jep mundësinë të bëjë mirë.







