Ballina Politika “Mbroni prodhuesit artizanalë”, Braçe akuza të forta: Evazioni i birrës ka blerë...

“Mbroni prodhuesit artizanalë”, Braçe akuza të forta: Evazioni i birrës ka blerë ministra e zyrtarë

62
0

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka deklaruar se prodhuesit e birrave kanë bërë evazion fiskal, që të mos paguanin akcizën.

Komentet Braçe i bëri nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ku komentoi deklaratat e deputetes demokrate Jorida Tabaku, e cila kërkoi që prodhuesit e birrës artizanale të paguajnë më pak akcizë dhe të mos trajtohen njësoj si prodhuesit e mëdhenj të birrës.

Ligjvënësi socialist tha gjithashtu se prodhuesit e birrës kanë arritur që të korruptojnë edhe ministra dhe zyrtarë tatimesh.

Braçe shtoi se pavarësisht se që prej vitit 2022 të gjithë paguajnë njësoj, prodhuesit e vegjël artizanal janë goditur.

“Në vitin 2010, sistemi i akcizës për birrën ishte deri 200 mijë hektolitra dhe mbi 200 mijë. Presioni ka qenë shume i madh, sepse prodhuesit ishin rritur prodhonin mbi 200 mijë dhe deklaronin më pak, dhe këtu vijmë tek klientelizimi, sytë e mbyllura të organeve fiskale, pranin të evazionit dhe natyrisht korrupsioni ndahej në politikë, në qeveri dhe zyrtarë tatimesh.

Organet fiskale kanë lejuar evazionin fiskal për prodhimin e birrës dhe vijmë tek korrupsioni që ndahej mes prodhuesve që nuk deklaronin sasinë reale të birrës që prodhonin dhe kontrolluesve.

Që nga viti 2012 kur u rrit akciza, për 5 vite kam kërkuar që të hiqej ky kufi, sepse ishte evidente që po bëhej evazion, paratë e të cilave po korruptonin edhe ministra, edhe politikanë edhe drejtorë të administratës fiskale. Nuk u bë kjo gjë për shkak të korrupsionit.

Prej 2022 të gjithë paguajnë njësoj, por i ka goditur prodhuesit e vegjël artizanal. Duhen mbrojtur patjetër, por jo me rikthimin e fashës së 200 mijë hektolitër”, shtoi Braçe.

Braçe kërkoi gjithashtu në Kuvend që të rritet fuqishëm akciza e duhanit, pasi sipas tij, Shqipëria ka çmimin më të ulët të cigarevë në Europë.

“Ka ardhur koha të rritet fort akciza e duhanit se kemi çmimin më të ulët të duhanit në Evropë, nisin nga 2 euro”, shtoi më tej Braçe.