Ballina Politika ‘Korrupsion, blerje votash në zgjedhje, përdorim të burimeve shtetërore’/ Zbardhet draft-raporti i...

‘Korrupsion, blerje votash në zgjedhje, përdorim të burimeve shtetërore’/ Zbardhet draft-raporti i PE që nxin Shqipërinë

54
0

Komiteti për Punët e Jashtme i Parlamentit Europian ka publikuar draft-raportin për Shqipërinë në kuadër të vlerësimit të progresit për vitin 2025, i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder.

Dokumenti vlerëson ecurinë e vendit në procesin e integrimit europian, por njëkohësisht evidenton sfidat që kërkojnë reforma më të thelluara dhe zbatim të qëndrueshëm.

Raporti përshëndet angazhimin e Shqipërisë ndaj integrimit në BE dhe faktin që vendi ka hapur të gjitha grup-kapitujt e negociatave brenda një periudhe 13-mujore.

Po ashtu, nënvizohet ambicia për të përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027. Megjithatë, theksi vihet tek nevoja për zbatim efektiv të legjislacionit dhe reformave të miratuara, përtej miratimit formal të tyre, shkruan Voxnews.

Sa i përket zgjedhjeve, vlerësohet se kuadri ligjor është përgjithësisht i përshtatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve konkurruese, por mbeten shqetësime lidhur me pabarazinë në garë, përdorimin e burimeve administrative, pretendimet për blerje vote dhe presion ndaj votuesve.

Në këtë drejtim, i bëhet thirrje mazhorancës dhe opozitës që të ndërmarrin një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias përpara proceseve të ardhshme zgjedhore.

Draft-raporti shpreh shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin përplasës, të cilat, sipas dokumentit, minojnë kontrollin parlamentar, besimin publik dhe funksionimin efektiv të institucioneve demokratike.

Parlamenti Europian inkurajon forcimin e mbikëqyrjes parlamentare ndaj ekzekutivit, rritjen e transparencës në procedurat legjislative dhe konsultim më domethënës me shoqërinë civile dhe institucionet e pavarura.

Në fushën e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, raporti përshëndet vijimin e reformës në drejtësi dhe procesin e vetingut, por thekson se korrupsioni mbetet një shqetësim serioz. Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta.

Po ashtu, kërkohet që korrupsioni të adresohet në të gjitha nivelet për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të krijuar një mjedis biznesi të parashikueshëm, shkruan Voxnews.

Raporti nënvizon rëndësinë e luftës kundër krimit të organizuar, përfshirë pastrimin e parave dhe trafikun e drogës, si dhe kërkon bashkëpunim të shtuar me agjencitë europiane si Europol dhe Eurojust.

Në aspektin e të drejtave themelore, theksohet nevoja për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik, transparencë mbi pronësinë e mediave dhe hetim efektiv të kërcënimeve ndaj gazetarëve. Gjithashtu kërkohen masa më të forta për mbrojtjen e grupeve vulnerabël dhe zbatim efektiv i legjislacionit kundër diskriminimit.

Sa i përket administratës publike, raporti njeh progresin në planifikimin strategjik, por kërkon përpjekje të mëtejshme për të garantuar rekrutimin mbi bazë merite dhe depolitizimin e shërbimit civil.

Në fushën socio-ekonomike, dokumenti përshëndet angazhimin e Shqipërisë në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, por thekson se mbeten dobësi strukturore si informaliteti dhe produktiviteti i ulët. Ndërkohë, vihet në dukje me shqetësim mungesa e progresit gjatë vitit të fundit në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.

Në përfundim, draft-raporti rithekson se procesi i zgjerimit mbetet një investim strategjik për paqen dhe stabilitetin në Europë, ndërsa përparimi i Shqipërisë do të varet nga zbatimi i plotë dhe i qëndrueshëm i reformave, forcimi i institucioneve demokratike dhe konsolidimi i sundimit të ligjit.