Ballina Aktualitet Rriten tensionet në Durrës, banorët kundër projektit TID: Do reagojmë me çdo...

Rriten tensionet në Durrës, banorët kundër projektit TID: Do reagojmë me çdo mjet për të mbrojtur pronën

121
0

Lagjja nr. 2 në Durrës mbetet një nga zonat më të nxehta për shkak të projektit TID, i cili parashikon shembjen e një numri të konsiderueshëm banesash.

Banorët e prekur nga projekti shprehen hapur kundër zbatimit të tij dhe kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të procedurave.

Vizita e një dite më parë e kryetares së Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, së bashku me përfaqësues të tjerë institucionalë në zonën që preket nga projekti, ka shtuar shqetësimin mes banorëve.

Edhe pse ka pasur kontakte direkte me ta, qytetarët thonë se nuk kanë marrë sqarime të qarta mbi qëllimin e vizitës apo mbi hapat konkretë që do të ndiqen.

Pas takimit të së shtunës me kryeministrin Edi Rama dhe inspektimeve në terren, banorët që prej muajsh protestojnë, vijojnë të këmbëngulin në kërkesat e tyre: pezullimin e projektit, hapjen e një dialogu real me autoritetet për fatin e banesave dhe bizneseve, si dhe rishikimin e vlerës së shpronësimit sipas çmimit të tregut.

Ndërkohë, komuniteti ka nisur firmosjen e një peticioni drejtuar kryebashkiakes dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), ku kërkohet anulimi i vendimit që i detyronte të lironin vullnetarisht banesat deri më 16 shkurt.

Vendimi i IMT-së për prishjet vazhdon të qëndrojë në fuqi, duke rënduar mbi banorët si një kërcënim i vazhdueshëm.

Disa prej tyre shprehen të vendosur se, nëse fadromat paraqiten përpara shtëpive të tyre, do të reagojnë me çdo mjet për të mbrojtur pronën.