Në një takim special presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është pritur nga sekretari i Shtetit Marco Rubio. Ky takim vjen pas interesit të shtuar të Donald Trump për presidenten e Kosovës, ku presidenti amerikan ka treguar kujdes të jashtëzakonshëm, duke deklaruar haptazi mbrojtjen ndaj saj. Ndërkohë që presidentes së Kosovës i janë hapur dyert e administratës Trump, ndaj kryeministrit shqiptar duket qartë se nuk ka shkritrje akujsh. Pas takimit në Bordin e Paqes dhe fotot e grabitura me dhunë nga presidenti amerikan, Edi Rama nuk ka realizuar asnjë takim në DASH, me zyrtarë të këtij institucioni. Edhe pse siguroi foton me Trump, Edi Rama u kthye në datën 20 në Shqipëri i refuzuar nga administrata amerikane. Mbrëmjen e djeshme Edi Rama ka qenë i ftuar në një organizatë të financuar nga Soros, pasi nuk ka siguruar asnjë takim.
Edi Rama ka postuar foto të takimit me komentin:“Në tryezën e Atlantic Council, një nga organizatat më të rëndësishme të politikave strategjike në SHBA, ku pati një interes të lartë për Shqipërinë, profilin e saj të ri ndërkombëtar dhe pikëpamjet tona mbi Bordin e Paqes, konfliktet e hapura, si edhe rrugën e zgjerimit të Bashkimit Europian”, shprehet Rama.
Ndërkohë që Vjosa Osmani ka qenë në një takim ekskluziv kokë më kokë me Sekretarin e Departamentit të Shtetit Marco Rubio.
“Me SHBA-të jemi të bashkuar në vendosmërinë për të mbrojtur paqen dhe për të garantuar një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj! Në 18-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, ishte nder i veçantë që sot u prita në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Diskutuam mundësitë për forcimin e aleancës sonë, si dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin tonë. Në veçanti, e falenderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyqe për paqen e stabilitetin në rajon. Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik. Krah për krah me Shtetet e Bashkuara, mbetemi të përkushtuar ndaj forcimit të paqes dhe sigurisë, adresimit të sfidave të përbashkëta globale dhe avancimit drejt integrimit euroatlantik të Kosovës”, ka qenë deklarata e Vjosa Osmanit.







