Ballina Kulturë Autoriteti i Dosjeve përkujton 20 Shkurtin

Autoriteti i Dosjeve përkujton 20 Shkurtin

62
0

20 shkurti është një moment i rëndësishëm kujtese, por mbi të gjitha një mundësi për të afruar historinë me brezin e ri. Për këtë arsye, ne e kthejmë këtë datë në një pikë takimi me nxënësit, duke e çuar historinë aty ku ajo duhet të kuptohet më mirë: në shkolla, në hapësirat e edukimit dhe reflektimit.

Vijuam sot me kalendarin “Udha e kujtesës” në shkollën jopublike TES (Tomorrow Education School), ku me nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle diskutuam për të drejtat e njeriut në diktaturë, pas transmetimit të dokumentarit «Ana tjetër e Valiasit».

Dokumentari, prodhim i Autoritetit (2025), flet mbi realitetin e mijëra shqiptarëve të dënuar me internim në kampin e Valiasit dhe kampe të tjera në kohën e diktaturës komuniste.

Me fëmijët foli edhe specialistja e Autoritetit, Vilma Mirakaj, e lindur dhe e rritur në internim, e cila rrëfeu mbi jetën në izolim, vuajtjet, por edhe qëndresën e të gjithë atyre që vuajtën një dënim të padrejtë.

Përgjegjësja e edukimit, Brunilda Cërraga, dhe shkrimtarja për fëmijë e AIDSSH-së, Rovena Rrozhani, u ndalën te botimi i librave me këtë temë, të dedikuara për arsimin parauniversitar, pjesë e përmbajtjes së Platformës “Mësojmë nga e Kaluara 1944–1991”.

Botimet tona iu shtuan bibliotekës së shkollës, të cilat, nën kujdesin e drejtoreshës së shkollës, Najada Hoxha, dhe mësueses së përkushtuar të historisë, Yllka Muka, do të kthehen në një burim parësor në mësimin e historisë.