Ballina Politika Dërgohet në Kuvend nisma për ndryshimin e nenit 242, firmosur nga Edi...

Dërgohet në Kuvend nisma për ndryshimin e nenit 242, firmosur nga Edi Rama, Taulant Balla dhe Ulsi Manja

107
0

Shumica socialiste ka dorëzuar në Kuvend nismën për ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, që lidhet me pezullimin e zyrtarëve shtetërorë. Dokumenti i siguruar nga Top Channel mban firmat e kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja. Sipas projekt-propozimit, i cili i është dërguar kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi për shqyrtim fillestar, ndryshimi konsiston në një shtesë të vetme në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.

Drafti synon të rregullojë procedurën e pezullimit të zyrtarëve të lartë shtetërorë me vendim gjykate, duke përfshirë edhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Varianti final pritet të kalojë fillimisht në Konferencën e Kryetarëve dhe më pas në komisionet parlamentare për diskutim të detajuar.

Zhvillimi po ndiqet me vëmendje nga Delegation of the European Union to Albania. Dy ditë më parë, kreu i delegacionit, Silvio Gonzato, deklaroi se BE monitoron nga afër çdo nismë që lidhet me shtetin e së drejtës dhe theksoi pritshmërinë që autoritetet shqiptare të konsultohen për iniciativa që mund të prekin parimet e Reformës në Drejtësi të vitit 2016. Opozita e ka kundërshtuar fort propozimin gjatë seancës parlamentare të së enjtes, duke e cilësuar atë si një “mburojë” të mundshme ndaj hetimeve të ardhshme nga SPAK.

Debati pritet të vijojë në komisionet parlamentare në javët në vijim.