Nga Fatos Çoçoli
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë(BSH) përbën organin më të lartë vendimmarrës të bankës sonë qendrore, institucionit qendror financiar të vendit. Ai ka në dorë orientimin e politikës monetare, garantimin e stabilitetit financiar dhe mbikëqyrjen e sistemit bankar.
Në këtë kuadër, përbërja e Këshillit është thelbësore për besueshmërinë, profesionalizmin dhe pavarësinë e Bankës së Shqipërisë. Dy nga personalitetet që u bënë nga mbrëmë pjesë e këtij organi janë Ervin Mete dhe Profesor Selami Xhepa, figura me profile të ndryshme, por me peshë në ekonominë dhe financat tona publike.
Ervin Mete – eksperiencë e vyer ekzekutive dhe njohje e financave publike
Ervin Mete njihet si një ekonomist me përvojë në administratën publike dhe në sektorin financiar. Ai ka mbajtur poste të rëndësishme në menaxhimin e financave publike, përfshirë drejtimin e institucioneve kyçe në fushën e financave publike, si Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoritetin e Mbykqyrjes Financiare (AMF).
Eksperienca e tij në politikëbërjen fiskale dhe në administrimin e institucioneve shtetërore e bën një profil me njohuri të thella mbi ndërthurjen mes politikës monetare dhe asaj fiskale.
Prania e një figure me sfond ekzekutiv në Këshillin Mbikëqyrës të BSH është e rëndësishme për disa arsye. Së pari, ndihmon në koordinimin e politikave makroekonomike. Së dyti, ofron perspektivë praktike mbi ndikimin e vendimeve monetare në ekonomi reale dhe, së treti, forcon komunikimin institucional mes Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë, pa cënuar parimin e pavarësisë.
Në një periudhë sfidash financiare dhe ekonomike si kjo e sotmja, me presionet mbi inflacionin, kursin e këmbimit dhe mbi borxhin publik, eksperienca në financat publike është një aset i rëndësishëm në tryezën e vendimmarrjes monetare.
Selami Xhepa – profil akademik dhe ekspertizë makroekonomike
Profesor Selami Xhepa është një nga ekonomistët më të njohur në Shqipëri, me një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore. Ai rikthehen ndryshe tashmë në bankën qendrore të vendit, pasi rreth tre dekada më parë ka kontribuar me vrojtimet, studimet dhe analizat e thella dhe profesionale të tij.
Profesor Xhepa ka kontribuar në analizën e zhvillimeve makroekonomike, reformave strukturore dhe integrimit europian të vendit. Përvoja e tij si pedagog universitar dhe studiues i politikave ekonomike e pozicionon si një zë me qasje analitike dhe të pavarur në diskutimet e Këshillit Mbikëqyrës.
Roli i një akademiku në një organ të tillë është thelbësor për disa arsye. Së pari, për thellimin e analizës mbi efektet afatgjata të politikave monetare. Së dyti, për nxitjen e debateve profesionale mbi normat e interesit, stabilitetin e çmimeve dhe kreditimin bankar efektiv dhe efiçient. Së treti, për ruajtjen e një ekuilibri mes pragmatizmit institucional dhe rigorozitetit teorik.
Në një ekonomi të vogël e të hapur si Shqipëria, ku ndikimet e jashtme janë të forta, një analizë e bazuar në modele ekonometrike dhe studime krahasimore ndërkombëtare është e domosdoshme.
Balanca mes përvojës praktike dhe analizës teorike
Prania e Ervin Metes dhe Selami Xhepës në Këshillin Mbikëqyrës përfaqëson një kombinim të rëndësishëm mes përvojës ekzekutive dhe ekspertizës akademike. Një institucion si Banka e Shqipërisë ka nevojë për këtë balancë, për të marrë vendime më të bazuara në të dhëna dhe analiza shkencore, për të kuptuar ndikimin konkret të këtyre vendimeve në buxhet, biznes dhe familje, si dhe për të forcuar besimin e publikut dhe të tregjeve financiare.
Kredibiliteti i Bankës së Shqipërisë nuk varet vetëm nga instrumentet monetare që përdor, por edhe nga cilësia dhe integriteti profesional i anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. Prandaj dhe Ervin Mete dhe Selami Xhepa përfaqësojnë dy profile të ndryshme, por komplementare, në drejtimin strategjik të Bankës së Shqipërisë. Njëri me eksperiencë të drejtpërdrejtë në administrimin e financave publike dhe institucioneve shtetërore, tjetri me një bagazh të gjerë akademik dhe analitik në fushën e makroekonomisë.
Së bashku, figura të tilla kontribuojnë në forcimin e profesionalizmit, pavarësisë dhe stabilitetit të institucionit më të rëndësishëm të politikës monetare dhe të stabilitetit financiar në vend.







