Ballina Europë Itali/ I riu hyn të vjedhë kasafortën e bankës, por mbetet i...

Itali/ I riu hyn të vjedhë kasafortën e bankës, por mbetet i bllokuar brenda

84
0

Autoritetet italiane arrestuan në orët e para të mëngjesit të së premtes (20 shkurt) një 24-vjeçar me shtetësi nga Bangladeshi, pasi e gjetën të bllokuar brenda kasafortës së një dege banke në Milano.

Sipas njoftimeve nga autoritetet, i riu kishte hyrë në ambientet e kasafortës me qëllim hapjen e kasetave të sigurisë gjatë natës. Plani i tij dështoi kur mbeti i izoluar brenda hapësirës së blinduar, pa mundësi daljeje.

Prania e tij u zbulua nga kamerat e sigurisë, të cilat regjistruan një person me xhup të zi dhe çantë shpine brenda sallës së kasafortës. Pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën forcat e zjarrfikëses dhe karabinierët për të realizuar nxjerrjen e tij.

Operacioni rezultoi kompleks dhe përfundoi rreth orës 06:00. Fillimisht, ekipet ndërhynë duke hapur një kasafortë tjetër ku ruheshin çelësat e kasafortës kryesore, e cila sipas procedurës nuk do të hapej para orës 08:00. Më pas, autoritetet konstatuan se edhe brava e kasafortës kishte pësuar dëmtime nga brenda, çka sipas vlerësimit paraprak lidhet me përpjekjen e 24-vjeçarit për t’u larguar.

Sipas mediave italiane, 24-vjeçari kishte arritur të hynte në kasafortën gjatë orarit të hapjes së bankës pa u vënë re. Sipas të njëjtave informacione, askush nuk e vuri re praninë e tij edhe kur objekti ishte i mbyllur.