Ballina Aktualitet Kuvendi voton 4 anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të BSH, shtyn...

Kuvendi voton 4 anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të BSH, shtyn votimin për Matilda Shehun

62
0

Kuvendi i Shqipërisë votoi në fund të një seance të gjatë që u mbyll rreth orës 4:15 pas mesnate 4 anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ndërsa shtyu votimin për një nga kandidaturat.

Deputetët mbështetën me votë kandidaturat e Selami Xhepës dhe Holta Zaçajn, si edhe propozimet e qeverisë, ish-ministrin e Financave Ervin Mete dhe bankieren Jonida Prifti. Kandidatura e Matilda Shehut u shty për një seancë tjetër. Ndërkohë që tani pritet edhe një propozim i tretë nga Këshilli i Ministrave, për të cilin është rihapur sërish thirrja për aplikime.

Z. Selami Xhepa u zgjodh anëtar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me 74 vota pro, 16 kundër dje 0 abstenim.

Znj. Holta Zaçaj u zgjodh anëtare në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me 72 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim.

Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, konkretisht të znj. Matilda Shehu, me kërkesë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, do të votohet në një seancë tjetër plenare.

Z. Ervin Mete u zgjodh anëtar në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me 74 vota pro, 17 kundër, 0 abstenim. .

Znj. Jonida Prifti u zgjodh anëtare në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me 73 vota pro, 18 kundër, 0 abstenim.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është organi më i lartë vendimmarrës i institucionit, përgjegjës për miratimin e politikës monetare, mbikëqyrjen e administrimit dhe garantimin e stabilitetit financiar. Përbërja e tij ka ndikim të drejtpërdrejtë në drejtimin strategjik të bankës, sidomos në një kontekst ku ekonomia shqiptare përballet me sfida të jashtme, presione inflacioniste dhe nevojë për koordinim të kujdesshëm mes politikës fiskale dhe asaj monetare.

Ervin Mete, i shkëputur nga politika në vitin 2024, është vlerësuar pozitivisht nga institucionet ndërkombëtare. Gjatë periudhës kur drejtoi Ministrinë e Financave, vendi shënoi ulje të borxhit publik, forcim të disiplinës fiskale dhe ruajtje të stabilitetit makroekonomik, në një kohë kur ekonomitë europiane përballeshin me presione të forta inflacioniste dhe fiskale. Në të njëjtën periudhë, Shqipëria doli nga lista gri për pastrimin e parave, ndërsa u ndërmorën hapa konkretë për mbylljen e disa kontratave koncesionare, në funksion të uljes së rreziqeve fiskale dhe rritjes së transparencës në financat publike.

Më herët, Mete ka drejtuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, ku ka pasur përgjegjësi për zhvillimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve financiare jobankare, përfshirë fondet e investimit, tregjet e kapitalit dhe fondet e pensioneve private, me theks në përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian dhe modernizimin e kuadrit rregullator.

Holta Zaçaj ka një përvojë të gjerë profesionale prej më shumë se 25 vitesh, të ndërtuar mbi angazhimin e saj si juriste, avokate dhe eksperte e të drejtave të njeriut. Ajo e ka nisur karrierën në vitet 1999–2001 në Qendrën “Paqe nëpërmjet Drejtësisë”, në projektin për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë. Më pas ka vijuar si avokate, ku ka kontribuar në programe të ndihmës ligjore falas për të miturit, qytetarët dhe refugjatët. Krahas angazhimit në shoqërinë civile, ajo ka ushtruar profesionin e avokates në “Delegibus”, ndërsa nga viti 2018 ka praktikuar avokatinë edhe në Massachusetts, SHBA, pranë zyrave “Ligris and Associates” dhe “Zaçaj Law”.

Në periudhën 2009–2013 ka qenë lektore në Shkollën e Magistraturës në fushën e së drejtës familjare dhe të drejtave të fëmijëve, si edhe pedagoge e së drejtës bankare dhe financiare në universitete private (2009–2014). Kontributet e saj si eksperte ligjore shtrihen në projekte të UNICEF-it në Shqipëri, Kosovë dhe Gjeorgji, si dhe të Këshillit të Evropës, Bankës Botërore dhe FMN-së. Gjatë viteve 2013–2018 ka punuar si Drejtore e Departamentit të Shërbimeve Ligjore të Alpha Bank. Nga janari i vitit 2023 deri në nëntor të vitit 2025 ka ushtruar detyrën e anëtares dhe Kryetares së Gjykatës Kushtetuese.

Selami Xhepa ka punuar si akademik për më shumë se dy dekada në fusha të tilla si financat publike, politika monetare dhe bankingu qendror, ekonomia e integrimit evropian etj. Ai ka punuar si ekonomist i lartë në Bankën e Shqipërisë (1998–2002) në Departamentin e Kërkimit dhe më pas si menaxher kërkimi në Qendrën Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare (2002–2005). Kandidati ka mbajtur gjithashtu disa detyra në institucione shtetërore: si Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Promovimit të Investimeve të Huaja, Këshilltar i Kryeministrit për Çështjet Ekonomike, Deputet i Kuvendit të Shqipërisë etj. Ai është autor dhe bashkautor librash dhe kontribuues i rregullt në media për çështje të reformave dhe politikave ekonomike.

Jonida Prifti është bankiere dhe rregullatore financiare me mbi 20 vite përvojë të konsoliduar në bankë qendrore dhe në financë zhvillimore ndërkombëtare. Që prej vitit 2016 është pjesë e Bankës së Zhvillimit të Këshillit të Europës (CEB) në Paris, ku aktualisht shërben si Përfaqësuese për Shqipërinë, Lituaninë dhe Gjeorgjinë. Më herët ka qenë Menaxhere e Rrezikut të Kredive. Nga viti 2005 deri në vitin 2016 ka qenë pjesë e Bankës së Shqipërisë, duke mbajtur pozicione kyçe në Mbikëqyrjen Bankare. Ajo është e diplomuar me Bachelor në Biznes Ndërkombëtar dhe mban një MBA në Menaxhim Biznesi nga Wright State University (SHBA).

Tashmë, edhe pse mungojnë dy anëtarë, Këshilli e ka kuorumin e nevojshëm për t’u mbledhur. /ekofin.al