Ballina Dossier Protestat e 20 shkurtit 1991/ Zbulohen raportet sekrete: Pas vendosjes së bustit...

Protestat e 20 shkurtit 1991/ Zbulohen raportet sekrete: Pas vendosjes së bustit të shokut Enver Hoxha, forcat destruktive kryen një kundra miting

64
0

Nga Dashnor Kaloçi 

Plot 35 vite më parë, më 20 shkurt të vitit 1991, me mijëra qytetarë të Tiranës dhe nga rrethe të tjera anë e mbanë vendit, që kishin ardhur apo ndodheshin ato ditë në kryeqytet, pas përpjekjeve të shumta dhe përleshjeve me forcat e policisë e trupat speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Sheshin “Skënderbej”, në ora 14.10, arritën të rrëzonin monumentin madhështor prej bronxi të diktatorit Enver Hoxha dhe ta tërhiqnin atë zvarrë të lidhur pas një automjeti “IFA”, deri në “Qytetin Studenti”, ku vazhdonte greva e urisë e studentëve të Universitetit të Tiranës, të cilët i kërkonin qeverisë, heqjen e emrit të Enver Hoxhës, nga Universiteti Shtetëror i Tiranës.

Kjo ngjarje që bëri bujë të madhe në atë kohë në të gjithë rrethet e vendit, (pasi u transmetua direkt nga Radio-Televizioni Shqiptar), tashmë është mjaft e njohur, pasi që nga ajo kohë e në vijim, për tre dekada e gjysëm, janë publikuar me dhjetra shkrime, emisione, fot-ekspozita, dokumente arkivore, pamje filmike, libra, dokumentarë televizivë, etj., ku dëshmitarë okularë apo protagonist të asaj ngjarje, kanë dhënë dëshmitë e tyre, mbi gjthë çka ndodhi aty.

Rrëzimi i monumentit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë, pati efektin “domino”, pasi që atë ditë, apo dhe të nesërmen, nxiti mitingje dhe protesta të tjera në disa qytete e rrethe të vendit, ku gjithashtu ndodheshin monumente, shtatore dhe buste të tjera të diktatorit Enver Hoxha, si në Durrës, Fier, Korçë, Gjirokastër, Skrapar, Poliçan etj., por po ashtu, këto ngjarje ngjallën reagime të shumta jo vetëm nga ana e udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe qeverisë së asaj kohe, (të cilët përveç forcave të Ministrisë së Brendshme, kishin aktivizuar dhe forca speciale e reparte ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes), por edhe të shumë grupeve e fanatikëve të regjimit dhe ideologjisë komuniste, të cilët të grupuar në Shoqatën e “Vullnetarët e Enverit”, u ngritën dhe organizuan anti-mitingje, duke kërkuar rivendosjen e monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, si dhe busteve e shtatoreve të tij, në qytete dhe rrethe të tjera të vendit, ku ato ishin hequr.

Si rezultat i këtyre ngjarjeve, ato ditë pati përplasje fizike të shumta, jo vetëm midis forcave të rendit dhe turmave të irrituara të protestuesëve që kishin hequr monumentin, shtatoret dhe bustet e Enver Hoxhës, por edhe me “Vullnetarët e Enverit”, apo me studentët e pedagogët e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, të cilët u organizuan dhe kërkonin që shtatoren e Enver Hoxhës që ishte në shkollën e tyre, ta vendosnin në Sheshin “Skënderbej”, pikërisht në vendin ku kishte qenë monumenti i bronxit.

Kjo gjë shkaktoi irritim të dhjetëra banorëve të kryeqytetit që kishin marrë pjesë në protestën e 20 shkurtit ku u rrëzua monumenti i Enverit në qendër të Tiranës, të cilët rrethuan Shkollën e Bashkuar, me qëllim për të penguar daljen e studentëve jashtë portave të saj dhe rivendosjen nga ana e tyre të shtatores së Enver Hoxhës.

Nga kjo përplasje, fatkeqësisht aty pati disa të vrarë dhe të plagosur, si dhe me dhjetra të arrestuar nga protestuesit në mitingjet për rrëzimin e monumentit apo shtatoreve dhe busteve të Enver Hoxhës. Po kështu, kërkesa e studentëve ushtarakë të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, për rivendosjne monumentit të Enverit, ngjalli reagimin e Partisë Demokratike, e cila përveç angazhimit të saj, disa ditë më pas, shpërndau një komunikatë në të gjithë Tiranën, ku ftonte të gjithë qytetarët e kryeqytetit, për të mbajtur pesë minuta heshtje, në shenjë homazhi dhe nderimi për të vrarët te Shkolla e Bashkuar.

Por të gjitha sa më sipër, përveç asaj çka u transmetua nga Radio-Televizioni Shqiptar në mesditën e 20 shkurtit 1991, ku u pasqyrua pothuaj e gjithë ngjarja e rrëzimit të monumentit në Sheshin “Skënderbej”, apo dhe ndonjë kronike të shkurtër në ditët më pas, të gjitha ngjarjet e tjera që ndodhën më pas deri në fund të shkurtit, si në Tiranë dhe në rrethe të ndryshme të vendit, apo ato në burgun e Burrelit, etj., pothuaj janë fare të panjohura.

Nisur nga ky fakt, në këtë shkrim po publikojmë dokumentet arkivore sekrete të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë të deklasifikuara), ku me anë të komunikatave operative, janë pasqyruar pothuaj pjesa më e madhe e ngjarjeve të atyre ditëve, si dhe emrat e të gjithë të vrarëve, të plagosurve e të dhjetëra të arrestuarve, të akuzuar si pjesëmarrës në mitingjet dhe protestat për rrëzimin e monumentit, shtatoreve dhe busteve të Enver Hoxhës, si në Tiranë, ashtu dhe në rrethe të tjera të vendit. Me ndonjë përjashtim të vogël, të gjitha këto dokumente publikohen për herë të parë (dhe me faksimilet përkatëse), nga Memorie.al

KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 21 SHKURT 1991, LIDHUR ME NGJARJET E NDODHURA NË 20 SHKURT Në QYTETET E DURRËSIT, FIERIT, VLORËS E KRUJËS, KU U ZHVILLUAN MITINGJE PËR HEQJEN E BUSTEVE TË ENVER HOXHËS

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                             SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                     Ekzemplar Nr.1

DEGA E PËRGJITHSHME                                                        Tiranë, më 2i.2.1991

KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 42

TIRANË

– Më datën 20.2.1991, u ndalua Krenar Shefik Aliu, vjeç 26, puëntor, për arsye se ka goditur me gurë punëtorin e policisë.

DURRËSI

– Më datën 20.2.1991, të gjitha ndërmarrjet u grumbulluan në qendër të qytetit, duke hedhur parrullla. Më vonë shkuan në Port dhe hoqën bustin e Enver Hoxhës.

FIER

– Më datën 20.2.1991, gjatë veprimeve të forcave të errta për heqjen e bustit të Enver Hoxhës që u ndeshën me policinë, u plagosën dy policë.

VLORA

– Më datën 20.2.1991, u organizua një miting i paligjshëm nga disa nxënës të shkollës së mesme “Halim Xhelo”, i cili vazhdoi 1 orë.

KRUJA

– Më datën 20.2.1991, para Pallatit të Kulturës, afro 200 veta, dogjën një sasi librash që i kishin marrë në shtëpitë e tyre. Mbas dy orësh u shpërndanë.

PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT

FLORIAN KOLANECI

KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 22 SHKURT 1991, LIDHUR ME NGJARJET E NDODHURA NË RRETHIN E SKRAPARIT ME “VULLNETARËT E ENVERIT’, DHE ATO ME TË BURGOSURIT POLITIKË NË BURGUN E BURRELIT

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                           SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                   Ekzemplar Nr.1

DEGA E PËRGJITHSHME                                                   Tiranë, më 22.2.1991

KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 43

SKRAPARI

– Më datën 21.2.1991, rreth orës 10.00, në Çorovodë, Poliçam dhe Helmës, u grumbulluan njerëz dhe kërkonin armë, duke thënë: “Duam armë të shpëtojmë mëmëdhenë”. Hidhnin parrulla kundër presidentit. Ushtarët rezervistë që u mobilizuan për t’i prurë në Tiranë me shërbim, nuk pranonin të hipnin në makina duke thënë se s’kemi kë mbrojmë”.

BURRELI

– Më datën 21.2.1991, të dënuarit e burgut të Burrelit, kanë marrë veprat e shokut Enver dhe i kanë djegur në mënyrë demonstrative në mjediset e brendshme të burgut, kanë nxjerrë jashtë personelin dhe kanë thyer tulla për të qëlluar policët e shërbimit. Kërkojnë të dalin jashtë duke thirrur: “qeveria është rrëzuar, pse na mbani brenda”!? Nga këta të burgosur ka që janë bërë listat për lirim.

PËRGJEGJESI I GRUPIT TË DREJTIMIT

MAKSIM PINCI

KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 23 SHKURT 1991, LIDHUR ME NGJARJET E NDODHURA NË SHKOLLËN E BASHKUAR TË OFICERAVE “ENVER HOXHA” NË TIRANË MË DATËN 22 SHKURT, KU PATI CIVILË E POLICË TË VRARË E TË PLAGOSUR

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                       SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                               Ekzemplar Nr.1

DEGA E PËRGJITHSHME                                              Tiranë, më 23.2.1991

KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 44

TIRANË

– Më datën 22.2.1991, një pjesë e grupeve të errta, të armatosura iu kundërvunë forcave të rendit dhe të Shkollës së Bashkuar të  Oficerave “Enver Hoxha”, ku gjetën vdekjen ushtari polic, Lulëzim Sulollari, efektiv i Repartit 326 dhe dy shetas. U plagosën 22 persona nga forcat tona dhe 13 shtetas. Pretendohet se numëri i tyre duhet të jetë më i madh. Nga forcat kundërshtare, janë ndaluar 62 persona.

– Më datën 22.2.1991, u ndalua Fatmir Brahush Meta, i cili u paraqit si antar i Partisë Demokratike dhe donte të hynte me forcë ne selinë e kësaj Partie. Në këtë kohë ai goditi policin e shërbimit.

PËRGJEGJESI I GRUPIT TË DREJTIMIT

MAKSIM PINCI

KOMUNIKATA OPERATIVE SEKRETE E E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 24 SHKURT 1991, LIDHUR ME NGJARJET E NDODHURA NË RRETHE TË NDRYSHME, KU U ARRESTUAN ME DHJETRA PERSONA SI PJESMARRËS NË RRËZIMIN E MONUMENTIT DHE BUSTEVE TË ENVER HOXHËS

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                                SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                                          Ekzemplar Nr.1

DEGA E PËRGJITHSHME                                                        Tiranë, më 24.2.1991

KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 45

RRETHET

– Prej orës 08, deri në 14.00., në rrethet Tropojë, Kukës, Pukë, Dibër, Rrëshen. Mat, Librazhd, Pogradec, Kolonjë, Lushnje, Fier, Sarandë, si dhe në qytetin e Bilishtit e të Leskovikut, u bënë mitingje në përkrahje të emrit dhe veprës së shokut Enver Hoxha. Me përjashtim të atij të Fierit, të tjerat kaluan pa incidente dhe shqetësime.

FIER

– Datë 22.2.1991, pas vendosjes së bustit të shokut Enver Hoxha, forcat destruktive kryen një kundra miting, goditën me gurë dhe armë zjarri forcat e rendit, të cilat ju përgjigjën me zjarr, nga i cili janë plagosur 6 veta: Edmond Baki Hasani, vjeç 26, Albert Bahri Dervishi, vjeç 24, Rrapi Rrapo Gjika, vjeç 24, Sami Gremi, Viron Pilo Naçi dhe Artur Stroni, pesë të parët nga forcat destruktive, ndërsa Arturi, pjesëmarrës në vendosjen e bustit, i dëmtuar me mjete të forta. Krahas tyre, janë ndaluar Sotir Nako, vjeç 56, Gëzim Myzafer Kokalari, vjeç 26, Mandi Nazif Xhafa, vjeç 27, dhe Luftar Alush Senka, vjeç 26.

– Më datën 23.2.1991, në ora 18.30, u ndalua nga Policia e Ballshit, Ylli Ramiz Isufi, vjeç 25, nga Kavaja, Sali Isuf Çela, vjeç 27, nga Kavaja, Shpëtim Galip Shehi, vjeç 27, Aleksandër Naim Pashollari, vjeç 25 nga Kavaja, dhe Spiro Vangjel Komino, shofer nga Tirana, sepse në ora 12.00 të kësaj date, në fshatin Fratar, kanë kërcënuar fshatarët, duke u thënë se kush është me Partinë dhe Enver Hoxhën, do t’i lidhim mbas makinës siç tërhoqëm Enver Hoxhën.

TIRANA

– Datë 23.2.1991, ora 21.25, nga pallati përballë hyrjes kryesore të Shkollës “Skënderbej”, është goditur dy herë me armë zjarri, në drejtim të shkollës dhe mandej tre herë me pistoletë. Datë 23.2.1991, ora 11.00, u ndalua Edmond Nasi Nano, vjeç 26 nga Tirana, Altin Rodolf Curi, vjeç 23 nga Tirana, Engjëll Beg Shalari, vjeç 24 nga Fush-Bardha, dhe Luan Elmaz Shkoza, vjeç 19 nga Tirana, sepse duke qarkullkuar me automjetin “Zis”, UP 06672, kanë kryer sjellje të padenja në shoqëri, dhe u është gjetur një krehër automatiku me fishekë, cop 30.

– Datë 23.2.1991, ora 16.00, u ndaluan Hasan Osman Ballunga, vjeç 24, nga Golemi i Durrësit. Ndalimi u bë se me datën 23.2.1991, në bashkëpunim me shokët e tij, Skënder Kadria dhe Altin Kulikani, ushtruan presion mbi shoferin Engjëllush Shalari, duke e detyruar këtë që të prishë tubin e ujit të pijëshëm të Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha”.

– Datë 23.2.1991, ora 09.00, u ndalua Edmond Flatun Kumbulla, vjeç 22, sepse para shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha”, ka kundërshtuar dhe goditur punëtorin e Policisë dhe është larguar.

– Datë 23.2.1991, ora 10.00, është ndaluar Sadik Ismail Buci, vjeç 29, banues në fshatin Shalldimat, sepse u ndesh me forcat e rendit më datë 22.2.1991 dhe ju gjet një copë mermer i monumentit.

– Datë 23.2.1991, ora 20.00, nga prita e organizuar në Rrugën “5 Maji”, u kapën në flagrancë me armë zjarri (pistoletë dhe me armë të ftohta, thika) Gjin Pashk Luka, 49 vjeç, nga Luzi i Krujës, Ndoc Tom Velaj, vjeç 21, nga Koreja e Krujës (bëhet fjalë për fshatin Gorre e rrethit të Krujës, që ndodhet 5 km. në perëndim të qytetit të Laçit, që në atë kohë ishte nën administrimin e rrethit të Krujës. Shënimi ynë, D.K.), Preng Gjok Sokoli, vjeç 29, nga Koreja e Krujës, dhe Lec Tom Velaj, vjeç 29, nga Luzi i Krujës.

– Datë 23.2.1991, u kapën në flagrancë me armë të ftohta, Pelivan Tare Kapo, vjeç 22, nga Orikumi i rrethit të Vlorës, Frederik Mihal Lula, vjeç 29 nga Lezha, dhe Adem Zenel Taçi, vjeç 30 nga Tirana.

– Datë 23.2.1991, u ndalua Luigj Jak Vata, vjeç 33, nga Gruda e Re e Shkodrës, sepse ka fyer e goditur Punëtorin e Policisë tek Stacioni i Trenit.

– Datë 23.2.1991, u ndalua Fatmir Shefqet Bushi, vjeç 35, banues në lagjen 61, shofer në Parkun e Autobuzëve, sepse ka marrë pjesë në mintingun e paligjshëm dhe ka vënë autobuzin në shërbim të mitingut.

GRAMSHI

– Datë 23.2.1991, u ndalua qytetari Viktor Xhemal Qenami, vjeç 23, sepse në orën 20.15, ka kryer sjellje të padenjë në shoqëri.

KORÇA

– Datë 23.2.1991, u ndaluan Vladimir Sefedin Kanani, vjeç 31, nga Korça, Spiro Robert Peçi, vjeç 29 nga Korça, Profi Pano Gjoka, vjeç 37, nga Korça (9 dënuar 7 herë), Ritvan Hasan Kulari, vjeç 31, nga Korça, dhe Mikail Tonin Lika, vjeç 30, nga Korça, sepse në bashkëpunim kanë goditur forcat e rendit, kanë hequr bustin e shokut Enver, të cilin e kanë tërhequr zvarrë dhe i kanë vënë zjarrin një librarie.

– Datë 23.2.1991, u ndalua Kujtim Ferit Çuçka, vjeç 27 nga Sula e Korçës dhe Valter Mynyr Pajo, vjeç 25, po nga Sula e Korçës, sepse kanë shkallmuar derën e Vatrës së Kulturës së fshatit Sulë dhe kanë marrë e djegur veprat e shokut Enver.

POGRADECI

– Datë 23.2.1991, ora 20.00, u ndaluan shtetasit; Dritan Fahri Hoxhallari, vjeç 17, Albert Muhamer Mançellari, vjeç 18, Lirim Irfan Mançellari, vjeç 21, të tre nga qyteti i Pogradecit, sepse kanë goditur në krye të detyrës ushtarin roje të Degës së Punëve të Brendshme./Memorie.al