Ballina Aktualitet Dyndja e të huajve në 2025, çfarë rrezikon Shqipëria?

Dyndja e të huajve në 2025, çfarë rrezikon Shqipëria?

67
0

Në fund të vitit 2025, Shqipëria hyri në një territor të panjohur për historinë e saj moderne: 27,514 shtetas të huaj me leje qëndrimi të vlefshme, një rekord absolut që përfaqëson rritje prej 22% (+4,800 persona) vetëm në një vit dhe një dyfishim krahasuar me vitin 2020.

Aplikimet u rritën me 47% (19,321 kërkesa), duke konfirmuar se nuk kemi më të bëjmë me një fenomen kalimtar, por me një ndryshim strukturor në profilin demografik dhe ekonomik të vendit. Punësimi përbën 65% të arsyeve, bashkimi familjar 15%, ndërsa studimet vetëm 5%, çka e zhvendos imigracionin nga dimensioni social në atë ekonomik. Në krye janë kosovarët (6,076, +32%), pasuar nga italianët (+75%), indianët (+47%), filipinasit (+130%), egjiptianët (pothuajse +100%), turqit, amerikanët (+164%) dhe grupe të tjera aziatike si mianmarasit dhe kinezët.

Shqipëria, një vend që historikisht ka qenë simbol i emigracionit masiv, po kalon gradualisht nga “eksportuese e njerëzve” në destinacion imigracioni. Në thelb mbetet dilema reale midis numri dhe tendencës së ardhme.

Nga këndvështrimi ekonomik, imigracioni po shfaqet si një zgjidhje emergjente për një treg pune gjithnjë e më të zbrazur. Sektorë kyç si turizmi, ndërtimi, IT, hotelet, restorantet, bujqësia dhe tekstili po përballen me mungesë të theksuar fuqie punëtore, pasi 28 mijë shqiptarë largohen neto çdo vit.

Në këtë boshllëk, indianët dhe filipinasit mbushin shërbimet, egjiptianët bujqësinë, ndërsa amerikanët sjellin modele remote work dhe konsum më të lartë, duke krijuar një cikël të ri kërkese në treg. Megjithatë, kontributi real ekonomik i të huajve nuk është i njëtrajtshëm dhe as plotësisht i brendshëm. Një pjesë e madhe e punëtorëve migrantë, sidomos nga Azia dhe Afrika, nuk e shpenzojnë të gjithë të ardhurën në Shqipëri, por kursejnë maksimalisht dhe dërgojnë remitanca për familjet në vendet e origjinës.

Kjo do të thotë se, ndonëse ata prodhojnë vlerë dhe mbajnë në këmbë sektorë të caktuar, efekti i tyre neto në konsum, në qarkullimin e parasë dhe në taksat indirekte është më i ulët nga sa sugjerojnë statistikat bruto të punësimit.

Të huajt kontribuojnë në PBB përmes konsumit, taksave dhe në disa raste investimeve, sidomos në qytete turistike dhe urbane, por ky kontribut është i polarizuar. Digital nomadët dhe pensionistët amerikanë apo italianë e shndërrojnë Shqipërinë në “destinacion jetese” me kosto të ulët, duke rritur qiratë, shpenzimet lokale dhe aktivitetin ekonomik. Në të kundërt, punëtorët me paga të ulëta kanë një sjellje ekonomike mbijetese, ku prioritet mbetet dërgimi i parave jashtë vendit dhe jo integrimi në ekonominë vendase.

Nga ana demografike, imigracioni shihet si një zbutje simbolike e plakjes së popullsisë, pasi shumica e të huajve janë 25–45 vjeç, ndërsa Shqipëria ka fertilitet rreth 1.3 dhe një popullsi rreth 2.4 milionë që rrezikon të bjerë nën 2 milionë deri në 2050. Por në praktikë, ky efekt është i kufizuar, sepse shumica e migrantëve nuk vendosen përfundimisht, nuk sjellin familjet dhe nuk kontribuojnë realisht në riprodhimin demografik dhe në stabilizimin e skemës së pensioneve.

Në shifra, me vetëm 1.1–1.2% të popullsisë, imigracioni mbetet ende i vogël, por rritja 102% në vetëm 5 vjet tregon një trend që, nëse menaxhohet keq, mund të krijojë një ekonomi të varur nga fuqi punëtore e përkohshme, me konsum të dobët të brendshëm dhe me ndikim të kufizuar në zhvillimin afatgjatë. Në këtë kuptim, imigracioni aktual po funksionon më shumë si amortizator i krizës së tregut të punës, sesa si motor real i një modeli të ri zhvillimi.

Pas numrave pozitivë fshihet një realitet shumë më kompleks dhe më i tensionuar sesa sugjerojnë statistikat zyrtare. Dumping social dhe paga të ulëta janë shqetësimi kryesor: punëtorët aziatikë pranohen shpesh për paga më të ulëta se shqiptarët në ndërtim, tekstile dhe shërbime, duke krijuar konkurrencë të padrejtë, ulje të standardeve të punës dhe në praktikë një zëvendësim të pjesshëm të fuqisë punëtore vendase.

Paradoksi është se të rinjtë shqiptarë largohen pikërisht për shkak të pagave të ulëta, ndërsa tregu mbushet me punëtorë që pranojnë të njëjtat kushte të dobëta. Në të njëjtën kohë, Tirana dhe Saranda po përjetojnë presion të drejtpërdrejtë mbi tregun e banesave dhe shërbimet publike. Qiratë rriten me ritme të shpejta, spitalet dhe shkollat ndjejnë mbingarkesë, ndërsa integrimi social i të huajve mbetet pothuajse inekzistent. Mungesa e programeve serioze të gjuhës, kulturës dhe orientimit institucional rrit rrezikun e izolimit komunitar dhe krijimit të mikro-getove sociale.

Edhe pse shumica e migrantëve vijnë legalisht, perceptimi publik po formësohet nga pasiguria: shqetësime për kriminalitet të vogël, informalitet, dhe mospërputhje kulturore. Në diskursin politik dhe mediatik po forcohet narrativa e “zëvendësimit”, një frikë simbolike por e fuqishme në një vend që ka humbur qindra mijëra banorë në tri dekada dhe që e sheh tkurrjen demografike si kërcënim ekzistencial.

Problemi më i madh, megjithatë, mbetet mungesa e një politike afatgjatë imigracioni. Lejet e punës lëshohen shpejt për të zgjidhur nevoja emergjente të biznesit, por pa mekanizma realë për mbrojtjen e pagave, pa kuota sektoriale, pa kritere cilësore dhe pa strategji integrimi. Vetëm 40 persona aplikuan për leje të përhershme, çka tregon qartë se shumica e migrantëve nuk po ndërtojnë jetë në Shqipëri, por po funksionojnë si fuqi punëtore e përkohshme dhe e qarkullueshme.

Në këtë kuptim, demografia nuk shpëtohet me 27 mijë të huaj, të cilët nuk munden të kompensojnë 28 mijë shqiptarë që largohen çdo vit. Por, as munden të stabilizojnë skemën e pensioneve, as të rikthejnë ekuilibrin e tregut të punës. Në fakt duhet nxitur kthimi i diasporës dhe nevojiten politika që e bëjnë Shqipërinë tërheqëse për qëndrim afatgjatë, të cilat janë sfidë dhe punë e vështirë për qeveritë që në vend të adresimit të sfidave ndjekin rrugë afatshkurtra, të lehta dhe me pasoja të panjohura për efektet afatgjata.

Shqipëria nuk duhet të mbetet thjesht “vend i lirë pune”, por të bëhet vendi ku shqiptarët duan të kthehen dhe të huajt duan të integrohen. Në fakt, imigracioni aktual mbetet më shumë “aromë kozmetike”, një zgjidhje sipërfaqësore që maskon, por nuk zgjidh, krizën strukturore demografike dhe sociale./  ALTAX