Edi Rama ka dështuar. Qeverisja e tij është një leckë plot arna që nuk ka më vend ku të qepet, pasi është shqyer nga lukunia e qenve që ju turrën këtij pushteti. Sot ka ndodhur një nga ngjarjet më të rënda që mund ti ndodhin një shteti. Shqipëria është ndarë më dysh, ku juglindja nuk mund të vijë në qendër dhe dhjetëra mijëra njerëz janë bllokuar në skërkat që i drejtoi mjetet drejtoria e Rrugëve si alternativë për bllokimin e aksit të Librazhdit. Mjafton të shikosh terrorin e udhëtarëve të bllokuar në rrugën e Moglicës për të kuptuar dështimin e Edi Ramës. Dëmtimi i urës në Librazhd është rezultat i babëzisë për të grabitur dhe vjedhur paratë e shqiptarëve në rrugë të reja, investime pa sens të cilat janë prokuruar nga lubia e transporteve Belinda Balluku. Mirëmbajtjen e rrugëve e ka Arbri i Belës, pastrimin e qyteteve e ka Arbri, ndërtimet e autostradave i ka Arbri dhe gjithçka që rrjedh nga taksat e shqiptarëve është hedhur në investime për të mbushur paratë e Arbrit dhe bandës së Belës. Shkatërrimi i kësaj ure nuk është i pari dhe as i fundit, por vjen si rezultat i mungesës së kontrollit periodik të standardeve të rrugëve që është inekzistente.
Katastrofa me rrugën e Librazhdit është sinteza e papërgjegjshmërisë të një qeverie që nuk ka mision shërbimin ndaj qytetarit duke ndërtuar rrugë me standarde, për të facilituar lëvizjen e popullsisë në çdo cep të Shqipërisë. Edi Rama prioritet ka pasur shëndoshjen e xhepave të tij dhe bandës qeverisëse sesa investime cilësore në rrugë, autostrada, shkolla, spitale aeroporte dhe të tjera. Sistemi i qeverisjes së tij është një rrjet kapilar grabitjesh të parave nëpërmjet prokurimeve, investimeve, licencave, koncencioneve etj, ku parimi kryesor është gjoba 30 përqind.
Të gjendur në një situatë të tillë ndërtuesit dhe tendermarrësit gjenden në situatë të vështirë ku pagesa e gjobave ndaj qeverisë Rama konsiston në uljen e cilësisë, në përgjysmimin e lëndëve të para dhe shumë akrobacive që dëmtojnë cilësinë e punimeve.
Kudo ku kanë vënë dorë dyshja Rama-Balluku dështimi ka qenë evident. By passi i Vlorës, Tuneli i Llogarasë, tuneli i Muzinës, Qafë Plloça, Tuneli i Murrizit, autostrada Tiranë Durrës dhe shumë akse rrugore janë sot në ditë qametit. Të gjitha me probleme konstruktive dhe korruptive. Asnjë rrugë nuk e ka çuar në fund. Juglindja është kthyer në mision të pamundur për udhëtarët për shkak të dëmtimeve të shpeshta dhe rasti i shembjes së urës ishte një kronikë e paralajmëruar prej kohësh. Ajo që propagandohej si arritja e madhe e infrastrukturës shqiptare, ku distanca mes Tiranës dhe Korçës do të përshkohej për vetëm 1 orë e gjysmë, është kthyer sot në një makth kombëtar dhe në dëshminë më të pastër të rënies së shtetit përballë babëzisë. Sot, aksi kryesor që lidh kryeqytetin me juglindjen përmes Librazhdit nuk ekziston më, ai është i mbyllur, i gjymtuar dhe i dorëzuar përpara punimeve skandaloze.
Situata në terren i ngjan një zone lufte dhe jo një kantieri modern. Nga ana tjetër projekti i shumëpërfolur Qukës-Qafë Plloçë, që supozohej të ishte shpëtimi i udhëtarëve, sot numëron të paktën 7 pika kritike ku asfalte e dhera shemben pa pushim. Kjo rrugë, e mbetur në mes të rrugës prej vitesh, sot guxohet të shkelet vetëm nga “shoferë aventurierë” që sfidojnë fatin, ndërkohë që ndërhyrjet e ashtuquajtura për “Korridorin e NATO-s” po shkatërrojnë edhe ato pak pjesë të rrugës ekzistuese që kishin mbetur në këmbë.
Rruga Tiranë- Durrës, megjithëse u premtua se segmenti i parë do të dorëzohej brenda vitit 2025, jo vetëm që nuk ka përfunduar, por nuk ka një afat se kur do të mbarojë. Shqipëria e bandës Rama-Balluku ka një rrjet kapilar rrugësh të fragmentarizuar dhe amortizuar, ku nuk ka një segment që mund ti hipësh makinës dhe të zbresësh në destinacion.
Përpos rrugëve sot Shqipëria ka ngelur pa portin kryesor, hyrjen e korridorit 8. Pa hekurudhë, me investime të parealizuara dhe korrupsion galopant. Edi Rama ka treguar se kudo vë dorën dhe këmbën nuk mbin as bari. Gjithçka që ka nisur është një tragjedi më vete. Dështim skandaloz.
Edi Rama e ka shndërruar shtetin në një gërmadhë ku çdo ditë i plasin bombat e keqqeverisjes. AKSHI, Belinda, Kompania e Investimeve, Porti i Durrësit, tunelet e frikshme janë sinjal që duhet të ikë. Sa mbyll një vrime hapet një tunel problematik dhe nuk arrin të kuptojë shenjat e zotit, të cilat i dhanë oksigjen për qëndrimin e tij në pushtet dy mandatet e para. Fatkeqësia e këtij kryeministri është se është i dashuruar me pushtetin dhe jeton në një tjetër univers si rezultat i shkëputjes nga realiteti. Përpëlitjet e tij janë lufta e tij e brendshme me fatin e tij, fat që mesa duket e ka braktisur dhe i ka parashikuar një fund më të keq se të bashkëpuntorëve të tij. Në fund të fundit “Karma is a Bitch”!/sot







