Ballina Kulturë Frederik Rreshpja – Poeti që e humbëm dy herë…

Frederik Rreshpja – Poeti që e humbëm dy herë…

61
0

Nga Ilir Çumani 

Ka një mënyrë të heshtur me të cilën shoqëritë i vrasin poetët e tyre.

Jo me plumba. As me varje publike.

Por me indiferencë. Me harresë…

Po — me harresën më vrastare.

Frederik Rreshpja ishte një nga ata që u dënua të jetonte në kohën e gabuar, të vdiste në kohën e gabuar po ashtu. Në një sistem që e përndoqi dhe e persekutoi si shpirt të lirë, ai u trajtua si i rrezikshëm vetëm pse besonte te fjala.

Sepse shkruante ndryshe. Sepse nuk pranonte të këndonte në korin e gjinkallave të rreme të optimizmit ideologjik. Ngase poezia e tij nuk ishte dekor, por plagë. Plagë dhe gjak…

E kështu, ai u shtyp. U përndoq. U burgos. U la në harresë.

Por ironia më e madhe nuk ishte kjo.

Ironia më e hidhur erdhi më vonë — kur gjithçka duhej të kishte ndryshuar.

Në kohën kur fjala “liri” nisi të shqiptohej me zë të lartë dhe me frikën e vrarë, poeti bohem nuk ishte më armik i regjimit, por u bë i padukshëm.

Fare i padukshëm për shoqërinë. Nuk kishte më censurë zyrtare, por kishte diçka edhe më të rrezikshme: shpërfilljen. Miopinë institucionale dhe harresën që po e vdiste pak nga pak në sytë tanë.

Nuk kishte më as hetues, por hetues, prokurorë dhe inkuizitorë të djeshëm të konvertuar në pseudodemokratë dhe pseudosocialistë, të cilët kishin krijuar parti dhe partiçka duke zaptuar të gjitha pikat kyçe të administratës publike nën sloganin: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Nuk kishte më burgje politike, por kishte përjashtim, varfëri dhe mjerim për poetin e paepur të fjalës së lirë…

Dhe në këtë heshtje të re, ai u dënua për herë të dytë.

Jetoi në mjerim. Në vetmi. Në një qytet që kalonte pranë tij pa e parë. Vdiq pa zhurmë. Pa ceremoni. Pa pendesë kolektive.

Sepse ne kemi një zakon të vjetër: i duartrokasim poetët vetëm pasi nuk janë më. I shpallim të mëdhenj kur nuk na dëgjojnë dot.

U ngremë piedestale kur nuk kanë më nevojë për strehë. Dhe kështu, ndërtojmë monumente të rreme për poetët që i kemi vrarë me heshtjen tonë kur ata ishin gjallë.

Ndoshta, më tragjikja nuk është se poetët tanë vuajnë, por se ne mësohemi me vuajtjen e tyre.

Dhe vazhdojmë të pyesim veten:

Çfarë kombi jemi ne që i humbasim poetët tanë për të dytën herë?