“Mbështetja e SHBA-së është jashtëzakonisht e rëndësishme për përpjekjet luftarake të Ukrainës, por është e vështirë të kuptohet qëndrimi i presidentit Donald Trump për paqen”, tha Vitali Klitschko për Sky News.
Kryebashkiaku i Kievit tha se ishte “e rëndësishme” që Uashingtoni të ishte në anën e vendit të tij në luftën e tij kundër Rusisë.
I pyetur nëse është i bindur se presidenti amerikan do të mbështesë përpjekjet e Ukrainës për të mbajtur sa më shumë territor të jetë e mundur gjatë negociatave të paqes, Klitschko tha: “Janë Shtetet e Bashkuara, është shumë e rëndësishme. Është jashtëzakonisht e rëndësishme. Është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të jenë në anën e Ukrainës”.
Ish-kampioni botëror në boks për peshat e rënda, i cili u zgjodh kryetar i Kievit në vitin 2014, argumentoi se SHBA-të mund të siguronin stabilitet më të gjerë duke mbështetur Ukrainën.
Klitschko vazhdoi: “Nëse mbrojmë interesin tonë kombëtar, nëse flasim për paqen, nëse flasim për demokracinë, administrata Trump duhet të jetë në anën e Ukrainës, sepse Ukraina është vendi më i madh në Evropë dhe stabiliteti në vendet më të mëdha në Evropë mund të sjellë stabilitetin e të gjithë rajonit”.
Kryebashkiaku u pyet më pas nëse i besonte Trumpit.
Pas një pauze të gjatë, ai u përgjigj: “Përpiqem t’i besoj, por ndonjëherë nuk i kuptoj qartë mesazhet e presidentit Trump në lidhje me paqen në Ukrainë. Paqja në Ukrainë është shumë e rëndësishme”.
“Por çdo marrëveshje paqeje padyshim nuk duhet të jetë një marrëveshje kapitullimi midis Ukrainës dhe Rusisë”, shtoi ai.
Bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të midis Moskës dhe Kievit janë duke vazhduar, dhe raundi i fundit u zhvillua në Gjenevë në fillim të kësaj jave.







