Mijëra qytetarë që duan të shesin pronat e tyre apo të blejnë një pronë janë bllokuar nga Ministria e Financave. Ky dikaster nuk po zbaton ligjin për rivlerësimin e pasurive, i cili u miratua në dhjetor të vitit të kaluar, duke krijuar një ngërç të madh në tregun imobiliar. Edhe pse ligji ka hyrë në fuqi që prej 22 janarit, mungesa e akteve nënligjore e bën atë totalisht të pazbatueshëm. 20 shkurti shënoi skadimin e afatit për nxjerrjen e udhëzimit dhe sot qytetarët që presin të shesin apo blejnë prona e kanë të pamundur.
“Ligji për rivlerësimin ka hyrë në fuqi më 22 janar dhe aktualisht është totalisht i pazbatueshëm për shkak të mungesës së akteve nënligjore. Në kalkulimet që ne bëjmë, data 22 shkurt do të duhej të sillte udhëzimet, por në dijeninë tonë nuk do të dalin, çka do ta mbajë peng gjithë tregun në kalvarin e dy viteve të fundit”, thotë Reinaldo Pipiria, kreu i Shoqatës së Ndërmjetësuesve.
Ministria e Financave e justifikon vonesën me pritjen e çmimeve të reja të referencës nga Këshilli i Ministrave. Por për ekspertët, ky argument nuk qëndron. Pasojat sipas tyre janë të rënda, pasi tregu është tkurrur me gati 40%, ndërsa mijëra familje që kanë marrë kredi apo kanë lidhur kontrata porosie, nuk po finalizojnë dot strehimin e tyre.
“Barra kryesore bie mbi qytetarët, tregu tkurret 30-40%, transaksionet janë ngrirë, statistikat tregojnë se 2025 është larg me vitet e tjera, do të jetë e pamundur që të strehohet popullata me kontrata porosie që ka rezervuar tek shitësi dhe presin rivlerësim. 6 mijë kontrata, kontrata për kreditë e miratuara që paguajnë barrën fiskale, dhe rritet informaliteti që s’është në favorin e askujt”, shton Pipiria.
Përveç bllokimit të transaksioneve, papërgjegjshmëria institucionale e Ministrisë së Financave po i shkakton një dëm të madh edhe buxhetit të shtetit. Teksa qytetarët presin udhëzimin për të paguar detyrimet me tarifën e re, rreth 50 milionë euro mbeten të paarkëtuara.
“Rreth 40-50 milionë euro do t’i mungojnë arkës së shtetit kur nuk bëhet rivlerësimi. Përgjegjësia për vonesën bie mbi institucionet përgjegjëse, pasi afatet në ligj janë të qarta. Fatkeqësisht, krijohen pritshmëri tek qytetarët dhe më pas procesi nuk zbatohet”, shprehet Pipiria.
Qytetarë të shumtë janë në pritje që Ministria e Financave të bëjë detyrën e saj ligjore. Por fatkeqësisht, përvoja me këtë dikaster tregon se pritja e tyre mund të jetë e gjatë, pasi ky nuk është i vetmi ligj për të cilin Financat nuk nxjerrin aktet nënligjore.







