Nga Alban Daci
Është pothuajse e pamundur të rrokësh me logjikë të ftohtë dhe analizë racionale përmasën e dëshpërimit që qytetari shqiptar është i detyruar të përtypë çdo ditë, si një racion mbijetese shpirtërore, duke u përballur me një model politik që më shumë se demokraci, ngjan me një dënim kolektiv pa afat skadence.
Jemi dëshmitarë të një pengmarrjeje të stërzgjatur ku koha ka ndaluar në vitin 1990 për sa i përket mentalitetit të udhëheqjes, ndërkohë që kalendari shënon vitin 2026, duke na lënë si të vetmin vend në Ballkan – se me pjesën tjetër të Europës çdo krahasim është tashmë i pamundur dhe fyes – që numëron plot tri dekada e gjysmë përplasje sterile, brutale dhe banale mes Pozitës dhe Opozitës, një luftë llogoresh ku i vetmi qëllim është kontrolli i pakufizuar mbi burimet e shtetit.
Kjo panoramë e degraduar na ka sjellë në një pikë kulminante të krizës sonë ekzistenciale, ku skena politike është shndërruar në një teatër absurd aktorësh që ndërrojnë vetëm kostumet, por asnjëherë skenarin e tyre të vjetër të sundimit përmes konfliktit.
Sot kemi një Pozitë që ka shteruar çdo rezervë morali për të qeverisur, duke e shndërruar shtetin në një zgjatim të egos dhe arrogancës së saj institucionale, ku llogaridhënia shihet si dobësi, kritika trajtohet si armiqësi dhe propaganda e fasadave ka zëvendësuar shërbimin real ndaj publiku.
Nga ana tjetër, gjendemi përballë një Opozitë që nuk zotëron asnjë kredibilitet apo autoritet moral për të qenë alternativa që frymëzon besim, pasi ajo është e gatshme të bëjë çdo gjë, pa asnjë skrupull dhe pa asnjë reflektim mbi gabimet e veta të rënda të së shkuarës, vetëm e vetëm për të rimarrë atë karrige që e sheh si një të drejtë pronësie të patjetërsueshme.
Kjo klasë politike e ka humbur tërësisht busullën dhe në thelb palët janë shndërruar në dy anë të së njëjtës monedhë; i vetmi dallim mbetet fakti se njëra anë është në pushtet dhe përdor çdo resurs e mjet të shtetit, financiar apo administrativ, për ta mbrojtur atë me thonj e me dhëmbë, ndërsa tjetra luan rolin e shpëtimtarit të rremë, duke pritur radhën për të ricikluar të njëjtën arrogancë që dikur e dënonte.
Në këtë vakum të frikshëm etike, qytetari shqiptar mbetet një jetim politik që nuk gjen më strehë tek ata që janë në zyrë dhe nuk shikon asnjë dritë shprese tek ata që premtojnë rotacionin, pasi sistemi është dizajnuar në mënyrë djallëzore për të ushqyer konfliktin e lartë artificial që mban gjallë statuskuonë e një elite të pandryshueshme.
Modeli i politikanit gangster dhe i qeveritarit arrogant nuk është më një incident i izoluar apo një lapsus i çastit, por është shndërruar në portretin zyrtar të Shqipërisë së sotme, ku forca e muskujve, lidhjet e dyshimta dhe paprekshmëria peshojnë shumë më tepër se forca e ligjit, merita profesionale apo argumenti intelektual.
Ky është realiteti i hidhur ku një brez i tërë, përfshirë edhe mua, ka konsumuar thuajse gjysmën e jetës, duke parë sesi rinia, talenti dhe energjia krijuese e një kombi treten nëpër korridoret e errëta të një lufte politike që nuk prodhon asgjë përveç zhgënjimit, vrasjes së shpresës dhe emigrimit masiv të atyre që nuk pranojnë të bëhen pjesë e këtij korrupsioni moral galopant.
Kjo tragjedi, që zanafillën e pati në fillim të viteve ’90 si një shpresë e madhe për liri dhe integrim evropian, është shndërruar në një rreth vicioz që po zgjatet në pafundësi pa asnjë fund të qartë apo horizont ndryshimi, duke na lënë të gjithëve me pyetjen torturuese se edhe sa breza duhet të flijohen në altarin e egos së një grushti njerëzish përpara se ky teatër i pistë të mbyllë perdet njëherë e mirë.
Ne po jetojmë në një vend ku politika nuk bëhet për të zgjidhur problemet e njerëzve, por për të menaxhuar krizat që vetë politika krijon, duke e mbajtur shoqërinë në një gjendje ankthi të përhershëm, ku skandalet e sotme mbulojnë ato të djeshmëve dhe ku arroganca e pushtetit ushqehet nga pafuqia e një opozite që nuk ka kurajo të reformojë veten.
Ndërsa bota nxiton drejt sfidave të reja teknologjike, zbulimeve shkencore dhe integrimeve globale, ne mbetemi të gozhduar në një të shkuar që nuk pranon të vdesë, duke ricikluar të njëjtat figura, të njëjtat akuza dhe të njëjtën gjuhë urrejtjeje që helmon çdo qelizë të shoqërisë sonë.
Pritja jonë për normalitet është shndërruar në aktin më të madh të vetëflijimit njerëzor, ku durimi qytetar trajtohet nga elita si dobësi dhe ku heshtja jonë interpretohet si miratim. Politikanët tanë sillen si zotër të jetës dhe vdekjes, si pronarë të së ardhmes sonë, duke harruar me dashje se pushteti i tyre legjitim buron vetëm nga qytetari dhe jo nga forca e gangsterizmit të tyre të veshur me kostume të shtrenjta.
Shqipëria meriton më shumë se kjo zgjedhje mbytëse mes dy të këqijave që ushqehen nga njëra-tjetra; ajo meriton një përmbysje radikale të të gjithë modelit të të bërit politikë, një reformim të thellë moral që tejkalon emrat dhe përqendrohet tek vlerat e humbura të shërbimit publik.
Pa këtë ndryshim, ky tranzicion i përjetshëm do të mbetet dëshmia e vetme dhe më e dhimbshme e një kombi që pa veten të vdiste çdo ditë nga pak, duke pritur një të nesërme që elita e tij politike nuk kishte ndërmend t’ia jepte kurrë, sepse në një Shqipëri normale, ata nuk do të kishin më asnjë vend.
Është koha që ky cikël shkatërrimtar të marrë fund, jo përmes premtimeve të radhës, por përmes një zgjimi qytetar që refuzon të jetë më ushqim për egon e politikanëve që kanë humbur çdo kontakt me realitetin e njerëzve të thjeshtë.
Ne nuk mund të lejojmë që 35 vitet e ardhshme të jenë një kopje e shëmtuar e këtyre që lamë pas, sepse ky vend nuk ka më as kohë dhe as njerëz për të humbur në rrugët e pakrye të një politike pa shpirt dhe pa atdhe.







