Ballina Aktualitet Toka e Drandes bëhet investim strategjik

Toka e Drandes bëhet investim strategjik

80
0

Një sipërfaqe toke 390 dynymësh në Velipojë, e regjistruar në emër të një 90-vjeçareje, u përfitua nga nipi Pëllumb Gjoka dhe kompanitë e tij, ndërsa qeveria i dha statusin e investitorit strategjik për të realizuar projektin “Silver Sand Resort”.

Në bregdetin e Velipojës, një sipërfaqe toke prej 390 dynymësh në fshatin Pulaj u regjistrua në emër të një 90-vjeçareje.

Pavarësisht se fëmijët e saj nuk kishin dijeni për pronën, një prokurë për Ardian Becin në janar 2012 nisi procedurat ligjore në Agjencinë e Kthimit të Pronave dhe gjykatat. Pas certifikimit të pronës në emër të saj, Drandeja lëshoi një testament ku pasurinë ia la nipit Pëllumb Gjoka, i cili përmes kontratave të nënshkruara nga Beci nisi tjetërsimin e pronës përfituesve të tjerë, duke përfshirë kompani të lidhura me Gjokën dhe ish-deputetin Agron Çela.

Procesi i tjetërsimit u bë objekt hetimi nga Prokuroria e Shkodrës në vitin 2022, e cila dyshonte për falsifikim dokumentesh. Megjithatë, ekspertizat e saj treguan se dokumentet nuk ishin të falsifikuara dhe procedimi penal u pushua. Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) konkluduan se dokumentet ishin të falsifikuara, duke theksuar përfshirjen e noterëve dhe aktorëve të lidhur me kompanitë e Gjokës.

Në korrik 2021, toka në bregdetin e Velipojës u shpall pjesë e projektit “Silver Sand Resort” nga kompania Imperial Grup e Pëllumb Gjokës, si investitor strategjik. Projekti përfshinte ndërtimin e dy hoteleve me 5 yje, 23 vila dhe 204 apartamente, me vlerë 52 milionë euro. Pavarësisht shqetësimeve të Bashkisë së Shkodrës dhe kritereve ligjore, qeveria dhe Komiteti i Investimeve Strategjike miratuan projektin.

Analistët ekonomikë dhe ligjorë vënë në dukje se tjetërsimi i pronave dhe statusi i investitorit strategjik u përdorën për të legjitimuar fonde me origjinë të dyshimtë. Ligji për investimet strategjike, ndërsa në letër synonte zhvillimin e sektorëve prodhues dhe infrastrukturorë, praktikisht favorizoi turizmin bregdetar dhe investitorë të lidhur politikisht. Raporti i DASH 2025 konfirmon se pastrimi i parave në Shqipëri lidhet shpesh me trafikimin e drogës, kontrata qeveritare dhe investime të paluajtshme, duke u dhënë mundësi investimeve të tilla të funksionojnë si skema për të legjitimuar kapitalin e dyshimtë.

90-vjeçarja që u bë pronare në letra
Drande Hotaj, e lindur në Malin e Jushit dhe banuese në Bajzë, u njoh nga Gjykata e Shkodrës pronare e një sipërfaqeje prej 390 dynymësh (39 ha), në fshatin Pulaj, në bregdetin e Adriatikut.

91-vjeçarja zor se ka dalë nga shtëpia dhe asnjë prej 4 fëmijëve të saj nuk kishin dijeni se posedonte një pasuri kaq të madhe buzë detit, por procedurat ligjore kanë nisur pas një prokure që ajo ka lëshuar për Ardian Becin, në janar të 2012.

Fill pas kësaj prokure është Beci ai që, në emër të 90-vjeçares, ka nisur procedurat në Agjencinë e Kthimit të Pronave, por edhe hapjen e proceseve gjyqësore.

6 muaj pasi u “shpall” pronare nga Gjykata e Shkodrës, Drandeja lëshon më 20 dhjetor të 2012 një testament ku thuhet se të gjithë pasurinë e fituar në fshatin Pulaj ia lë trashëgimi nipit të saj, Pëllumb Gjoka.

Pretendimet e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, se nuk ekzistonin prova të mjaftueshme që të vërtetonin pasurinë e 91-vjeçares, u rrëzuan nga gjykatat dhe pronësia e Drande Hotajt u certifikua nga Gjykata e Lartë më 18 maj të 2017.

Por 91-vjeçarja kurrë nuk gëzoi pasurinë që u regjistrua në emër të saj. Prona, me t’u regjistruar në hipotekë, u shit nëpërmjet kontratave të realizuara nga Beci. Fillimisht ai ia shiti kompanisë “Xhenis-Sh” sh.p.k., një kompani kjo e lidhur me ish-deputetin e Partisë Socialiste Agron Çela, një sipërfaqe prej 61 470 m², në vlerën e 9 milionë e 30 mijë lekëve.

Një kontratë të dytë ai e nënshkroi me kompaninë “Imperial Construction” të Pëllumb Gjokës, ku i shiti për 17 milionë lekë një sipërfaqe prej 113 500 m². Ndërsa pjesa tjetër e pronës së Drandes u regjistrua në emër të Kolë Gjokës, nëpërmjet një kontrate dhurimi që sërish Beci nënshkroi në emër të Drandes.

Regjistrimi i një sipërfaqeje të konsiderueshme prone në emër të 91-vjeçares dhe tjetërsimi i saj u bë objekt i hetimit të Prokurorisë së Shkodrës në vitin 2022.

Prokuroria lokale dyshonte se pronësia u përfitua nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, por pavarësisht të dhënave që ngrinin dyshime për origjinalitetin e dokumenteve të përdorura gjatë procesit të njohjes dhe kthimit të pronës, çështja u pushua.

Ekspertizat e kryera nga prokuroria treguan se dokumentet arkivore të përdorura gjatë procesit të njohjes dhe kthimit të pronës nuk ishin të falsifikuara.

Asokohe, prokuroria e Shkodrës drejtohej nga Xhevahir Lita dhe hetimet e mëvonshme treguan se pikërisht në këtë kohë ka pasur komunikime të shpeshta mes tij dhe Pëllumb Gjokës në aplikacionin “SkyECC”.

“Në një prej komunikimeve gjenden katër fotografi të një dokumenti që ngjason shumë me atë të atij akti ekspertimi, përveçse është konstatuar edhe përfshirja dhe angazhimi i atyre shtetasve për komprometimin e konkluzioneve të këtij akti. Në këtë akt ekspertimi është arritur në konkluzionin se dokumentet arkivore të përdorura gjatë procesit të njohjes dhe kthimit të pronës nuk konstatohen të jenë të falsifikuara”, – thuhet në dosjen hetimore.

Në korrik të 2022, Prokuroria e Shkodrës kërkoi pushimin e procedimit penal dhe për statusin e këtij vendimi nuk jepen të dhëna, ndërkohë që në dy aktet e tjera të realizuara nga Prokuroria e Posaçme është arritur në një konkluzion të kundërt.

Sipas ekspertizave të kryera nga SPAK, ato dokumente janë të falsifikuara. Po kështu, hetimet zbuluan se si noterja që ka përpiluar aktet e testamentit dhe të dhurimit, si dhe prokurën e posaçme, në fakt punonte për kompanitë e lidhura me Gjokën.

Investitor strategjik
Prokuroria e Shkodrës ende nuk kishte mbyllur hetimet për një tjetër tjetërsim të pronës në bregdetin e Velipojës, kur në korrik të 2021 Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve shpalli kompaninë e Pëllumb Gjokës “investitor strategjik”.

Pikërisht në tokën e Drande Hotajt, nëpërmjet kompanisë Imperial Grup, do të realizohej projekti “Silver Sand Resort”, një investim me vlerë 52 milionë euro, ku përfshihet një sipërfaqe prej 11.3 hektarësh, me 1.4 hektarë ndërtim: 2 hotele me 5 yje, 23 vila 2–3 kate secila dhe 204 apartamente.

Toka e Drandes bëhet investim strategjik

Resorti Silver Sand

Projekti ka marrë edhe firmën e kryetarit të Komitetit të Investimeve Strategjike, Edi Rama. Gjetjet e “shteg.org” tregojnë se në procedurat që qeveria ndoqi në miratimin e resortit nuk janë anashkaluar vetëm hetimet e prokurorisë lokale, por edhe argumentet e Bashkisë së Shkodrës, të cilat kanë refuzuar projektin.

“Propozimi për këtë investitor strategjik është në kundërshtim me planin e përgjithshëm vendor të Bashkisë Shkodër”, – thuhet në një shkresë të ish-kryetares së Bashkisë, Voltana Ademi, sipas së cilës të vetmet ndërtime të lejuara janë ato në shërbim të ruajtjes dhe mirëmbajtjes së gjendjes aktuale.

Për ekspertin e ekonomisë, Armand Mala, tjetërsimi i pronave është një proces që bashkëshoqëron zhvillimin e projekteve turistike, duke u shndërruar në një skemë të favorshme për pastrimin e parave.

“Zhvillimi i resorteve shpesh shoqërohet me ndryshime të përdorimit të tokës, përfitim nga prona publike ose bregdetare dhe rritje të menjëhershme të vlerës së investimit. Këto elemente e bëjnë skemën edhe më të favorshme për pastrim parash, pasi rritja e vlerës së asetit justifikon financiarisht kapitalin e futur, pavarësisht origjinës së tij fillestare”, – thotë eksperti Armand Mala për “shteg.org”.

Në kuadër të hetimeve të nisura në janar të 2023 për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të parave, në tetor Gjykata e Posaçme miratoi sekuestrimin e 390 mijë m² pyll, të ndodhur në Pulaj-Plazh të Velipojës, në Shkodër.

Pëllumb Gjoka, shoqëria “Imperial Group” dhe si palë e interesuar kompania “XHENIS-SH” e dërguan çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ku kundërshtuan masën e sekuestrimit duke argumentuar se ajo shkel parimin e proporcionalitetit dhe përbën një ndërhyrje ekstreme.

Sipas tyre, pronarët e ligjshëm janë zhveshur faktikisht nga çdo e drejtë mbi pasuritë, ndërsa shoqëria “Imperial Group” është penguar të zhvillojë pronën në bazë të një lejeje të miratuar nga autoritetet shtetërore. Ata pretendojnë se dëmi ekonomik i shkaktuar është i tepruar dhe i pajustifikuar, sidomos në raport me interesin publik për zhvillimin e turizmit në zonë.

Nga ana e saj, Prokuroria e Posaçme ka kundërshtuar këto pretendime, duke theksuar se bëhet fjalë për një masë sigurimi pasuror të përkohshme, e cila mund të verifikohet dhe rishikohet në çdo fazë të procedimit.

Sipas SPAK, pretendimi se Pëllumb Gjoka nuk ka lidhje me pasuritë e sekuestruara është i pabazuar dhe bie ndesh me provat e administruara gjatë hetimit, të cilat janë paraqitur edhe në shqyrtimin kushtetues të çështjes.

Hetimi përfshin edhe dëshmi që hedhin dyshime mbi mënyrën se si janë realizuar aktet juridike.

Vajza e Drande Hotajt ka deklaruar se nëna e saj nuk dinte të lexonte, të shkruante apo të firmoste dhe se maksimumi që mund të bënte ishte të vendoste gishtin në letër. Ajo ka pohuar se familja nuk kishte dijeni për ekzistencën e një prone prej qindra dynymësh në Velipojë, e cila rezultonte në regjistrat e vitit 1935, por që në praktikë ishte poseduar dhe administruar prej vitesh nga Pëllumb Gjoka.

Sipas Prokurorisë, lidhjet mes përfaqësuesve me prokurë, noterëve dhe kompanive përfituese nuk janë rastësore. Persona që kanë kryer veprime në emër të pronarëve formalë kanë rezultuar të punësuar në shoqërinë “Imperial Group”, ku Gjoka zotëron shumicën e aksioneve.

Po ashtu, komunikimet e zbuluara në aplikacionin SkyECC mes Gjokës dhe ish-prokurorit të çështjes sugjerojnë përpjekje për të ndikuar në përfundimet e një akti ekspertimi grafik, duke ngritur dyshime serioze mbi integritetin e procesit hetimor dhe ligjshmërinë e përfitimit të pronës.

Në maj të 2025, Gjykata Kushtetuese nuk pranoi kërkesën e Gjokës dhe kompanisë “XHENIS-SH” për heqjen e masës së sekuestrimit.

Në një përgjigje, përfaqësuesit e kompanisë “XHENIS-SH” deklarojnë se prona që ata kanë blerë nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin e resortit dhe sipas tyre blerja e tokës ka qenë legale.

“”XHENIS-SH” ka blerë truallin për të cilin kërkohet informacion sipas procedurave të rregullta ligjore përmes akteve noteriale dhe transfertave bankare, proces i certifikuar ligjërisht nga zyrat hipotekore”, – sqaruan për “shteg.org” përfaqësuesit e kompanisë.

Ndërsa përfaqësuesi ligjor i Gjokës në Gjykatën Kushtetuese, sa i përket sekuestrimit të pronave, Gurali Brahimllari nuk iu përgjigj pyetjeve mbi gjetjet e “shteg.org”.

Për ekspertin e ekonomisë, Armand Mala, investimet strategjike po përdoren si një instrument që jo rrallë herë përfundon në pastrimin e parave.

“Statusi i investitorit strategjik, në parim, është konceptuar si një instrument për të tërhequr kapital serioz, për të zhvilluar sektorë prioritarë të ekonomisë dhe për të përshpejtuar projekte me interes publik, si turizmi apo infrastruktura. Megjithatë, mënyra se si ky status është zbatuar në praktikë, veçanërisht në fushën e ndërtimeve dhe resorteve turistike, ka ngritur shqetësime reale lidhur me rrezikun e përdorimit të tij për pastrim parash”, – thotë eksperti ekonomik Armand Mala për “shteg.org”.

Në maj 2015, qeveria e Partisë Socialiste miratoi me shpejtësi ligjin për investimet strategjike, një instrument tranzitor që premtonte të nxiste investimet vendase dhe të huaja në sektorët kyç të ekonomisë, nga energjetika dhe minierat, deri te bujqësia dhe peshkimi. Ligji ofronte lehtësira fiskale, administrative dhe procedurale, tokë publike për investitorët e certifikuar si “strategjikë” dhe mundësinë e ndërhyrjes shtetërore për shpronësim pronash private. Vendimmarrja u përqendrua në AIDA dhe Komitetin e Investimeve Strategjike, të drejtuar nga kryeministri dhe disa ministra.

Në letër, ligji dukej një rrugë e shkurtër për të thithur kapital të huaj dhe për të zgjeruar ekonominë prodhuese. Në praktikë, gjërat morën një tjetër drejtim. Vetëm dy investime të huaja u realizuan – një prodhim pjesësh makinash nga Koreja dhe një port jahtesh nga një kompani arabe.

Sektori i bujqësisë, që ligji synonte të zhvillonte, u përfshi vetëm sporadikisht, ndërsa turizmi bregdetar mori më shumë se 80% të përfitimeve, shpesh në zona natyrore dhe arkeologjike të mbrojtura.

Procedurat e AIDA-s mbetën jotransparente, shpesh të udhëhequra nga një “OK nga lart” që nënkuptonte miratimin politik të investitorëve, pavarësisht aftësive financiare apo përvojës së tyre.

Ekspertët e ligjit vënë në dukje se ligji ka funksionuar si një instrument klientelist dhe favorizimi politik, duke shpërfillur konkurrencën, standardet e pronësisë dhe vizionin fillestar për zhvillim strategjik afatgjatë.

“Në shumë raste, procesi i verifikimit të burimit të kapitalit dhe i strukturës reale të pronësisë së kompanive që përfitojnë statusin e investitorit strategjik ka qenë i paqartë ose jo plotësisht transparent për publikun. Kjo krijon hapësirë që subjekte me kapital me origjinë të dyshimtë të ‘legjitimojnë’ para përmes projekteve të mëdha ndërtimore, veçanërisht në zonat turistike me vlerë të lartë”, – shprehet Mala.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), në raportin e 2025-s për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve, nënvizon se krimi shqiptar po i pastron paratë e drogës në ndërtimin e kullave dhe blerjen e pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe zona të tjera, sidomos në bregdet.

“Shumica e pastrimit të parave në Shqipëri lidhet me trafikimin e drogës dhe njerëzve, mashtrimin me kontratat qeveritare, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Ekonomia kryesisht e bazuar në para të thata, kontrollet e dobëta kufitare dhe ligjzbatimi i dobët doganor lehtësojnë një treg të zi për mallrat e kontrabanduara. Paratë e dërguara nga jashtë (remitancat) dhe investimet nga jashtë ndonjëherë fshehin burimet e fondeve. Kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, aseteve virtuale dhe zhvillimit të bizneseve”, – thuhet në raportin e DASH./shteg.org