Ballina Sport Arsenali hap bisedimet për transferimin e Rafael Leaos nga Milani

Arsenali hap bisedimet për transferimin e Rafael Leaos nga Milani

62
0

Arsenali raportohet se ka nisur kontaktet për transferimin e anësorit të Milanit, Rafael Leao, në një lëvizje surprizë gjatë merkatos së verës.

Sipas mediave angleze, klubi londinez ka zhvilluar bisedime fillestare me përfaqësuesit e ndërkombëtarit portugez, duke shqyrtuar seriozisht mundësinë e transferimit pas përfundimit të sezonit.

Leao do të hyjë në dy vitet e fundit të kontratës së tij me Milanin në qershor, ndërsa drejtuesit e klubit italian besohet se janë të hapur për një shitje në rast të një oferte të konsiderueshme.

Gazetari Steve Kay raporton se kuqezinjtë mund ta lënë të lirë për rreth 80 milionë euro.

Interes për sulmuesin 26-vjeçar ka shfaqur edhe Manchester United, por Arsenali duket momentalisht në avantazh.

Drejtori sportiv i “Topçinjve”, Andrea Berta, thuhet se ka zhvilluar bisedime direkte me kampin e lojtarit.

Leao, i cili iu bashkua Milanit nga Lille OSC në verën e vitit 2019, ka qenë një nga figurat kyçe të skuadrës, me 79 gola dhe 64 asistime në 280 paraqitje në të gjitha garat.

Këtë sezon në Serie A, ai është golashënuesi më i mirë i përbashkët i ekipit së bashku me ish-sulmuesin e Chelsea FC, Christian Pulisic, me nga tetë gola në 18 paraqitje.