Ballina Kulturë Narrativa e mitit dhe historisë në romanin “…drejt Arbërisë”

Narrativa e mitit dhe historisë në romanin “…drejt Arbërisë”

53
0

Nga Petrit Bezhani 

Alternimi i ngjarjeve historike, miteve dhe legjendave, me një ambient që në fakt nuk mund të preket dhe të shikohet realisht, por që është ndërtuar dhe realizuar mjeshtërisht e që preferon dhe ndërton autori Gjon Marku në romanin e tij “…drejt Arbërisë”, bën që të kemi një ekspozim të ngjarjeve sikur këto të ishin vëzhguar realisht dhe të vijnë në një vizion të qartë në shpërfaqjen dhe interpretimin mahnitës.

Ndërgjegjësimi se të shkruash për të kaluarën, e aq më tepër në një roman historik, e ta sjellësh atë si të ishte në të tashmen, apo për t’u lexuar dhe vlerësuar e për të qenë i mirëpritur edhe nga lexuesi i ardhshëm, nuk është e lehtë. Por autori ia del me sukses dhe gjen një mënyrë tërësisht të vetën të të rrëfyerit, duke bërë që ekspozimi i ngjarjeve të vijë si të ishte krejt real e i sjellë me pamje vizionesh të qarta të personazheve dhe ambientit të ndërthurur me ngjarjen historike.

Autori hyn në mënyrë të vetëdijshme në kohën, duke e vështruar këtë njëkohësisht, duke bërë të gjallë e në ndryshim lëvizjen e ngjarjes, pikërisht sepse ka aftësi të veçanta për t’u spostuar e për të realizuar një lëvizje të vazhdueshme përgjatë zhvillimit të ngjarjeve. Në të njëjtën kohë, identiteti i disa personazheve të sjella nga e kaluara përbën prirjen e autorit, i cili në një pikë të caktuar shpërthen dhe kulmon në realizimin e një ngjarjeje pa e mbyllur përfundimisht, apo duke lënë të nëntekstuar ardhjen më tej të një tjetër kulmimi apo ngjarjeje po aq interesante, por duke e ruajtur me kujdes ekuilibrin ekzistencial midis personazhit dhe ngjarjes, apo midis personazheve në tërësi, midis ekuilibrit ekzistencial të së vjetrës dhe vështrimit në një këndvështrim të ri.

Në këtë mënyrë, procesi i rrëfimit nuk përbën një mënyrë kontraverse midis fakteve të vogla private dhe traditave të mëdha publike, të lidhura me ndryshimet në kohë, ku ky variabilitet i kohës i jep edhe kuptimin si disponim segmentimit të rrëfimit në raport me korrespondimin e tij me faktin apo personazhin, e madje arrin edhe ta modifikojë atë. Prej atij momenti, me një regji narrative që synon ta arrijë vetë Gjon Marku nëpërmjet veprës së vet, duke i dhënë formë faktit të ndërthurur me personazhin, regjia narrative merr progres dhe bëhet edhe më interesante.

Tensioni narrativ që krijohet midis fakteve dhe personazheve, apo midis së shkuarës dhe ambientit, është i dukshëm. Këtë e bën të mundur edhe arkitektura narrative që ka zgjedhur vetë autori, i cili e rimerr të djeshmen në një dialog apo vështrim të largët dhe me një teknologji të jashtëzakonshme të të shprehurit, që herë është në një bilanc të kthjellët, por edhe në një zhvillim të vazhdueshëm e të pandërprerë, me kulme dhe zbritje të herëpashershme, por gjithnjë me një mënyrë të zgjedhur të të shprehurit.

Figurat e shumta letrare, fjalori i pasur plot harmoni me detaje të goditura përmes një loje mitike me realitetin ndër shqiptarë para dy-tre shekujsh, e bëjnë lexuesin të rrugëtojë së bashku me personazhin në një aksion të dramatizmit arbëror, midis vdekjes dhe jetës, mes realitetit dhe surrealitetit, duke eksploruar ndërlidhjen midis dy botëve. Përmes detajeve jetësore, autori duelizon dhe vë përballë të mirën me të keqen, duke lozur bukur e me mençuri artistike, sa reale aq edhe artistike apo mitike, fantastike herë-herë dhe misterioze. Këtë dualitet autori e përhap nëpërmjet një thirrjeje të zëshme e shpirtërore, e cila në absurdin e kohës vjen nëpërmjet nënës së Nikës, ku nuk merret fort vesh nëse flet vërtet me Gjergjin apo ndodhet në një hapësirë mitike. Me mjeshtërinë e të shkruarit, duke folur me disa tipe njerëzish, ai arrin të krijojë prototipe artistike, duke perceptuar gjithçka dhe duke arritur në një perceptim të plotësuar artistik, ku gjithnjë gjuha e zgjedhur është mjeti i tij kryesor i të shprehurit.

Herëpashere, kjo gjuhë e zgjedhur artistike ngrihet mbi një kompleks elementësh artistikë, siç janë metaforat, simboli, parabola, paralelizmi dhe krahasimi artistik. Fjalori i pasur, i harmonizuar mrekullisht me figuracionin letrar, në thelb është një risi e modernitetit bashkëkohor, mbështetur fort në traditën e krijimit letrar, ku mjeshtëria, teknika narrative e shkrimtarisë, mesazhet në të cilat lexuesi inspirohet përmes një dramatizmi arbnoro-tragjik, e bëjnë romanin të kryejë më së miri funksionin dhe t’ia arrijë qëllimit edhe në konceptin estetik të modernitetit, duke ardhur si pjesë e zhvillimit kulturor, historik e social. Në këtë sens, proza e tij fiton emocionin e ngjarjes dhe përcjell mendimin te lexuesi. Kështu, komunikimi gjuhësor, si forma kryesore dhe më e rëndësishme e komunikimit letrar, përmbushet dhe afrohet mbi bazën e strukturës gjuhësore dhe raportit të saj me strukturën jogjuhësore, përkatësisht me përvojën jetësore e kulturore në përgjithësi dhe me përvojën konkrete të vetë autorit. Në këtë rast, ai është një nga autorët shqiptarë që i siguron prozës shqipe një nivel të lartë artistik, edhe pse gjithnjë mbeti brenda shtresave të vetëdijes së tij dhe identitetit të tij letrar.

Shtjellimi i mitikes nuk ndodh të jepet me personazhe të ngurtësuara a në mermer, siç jemi mësuar t’i shohim në mjaft botime të njësuara në letërsinë e sotme.

Shpesh, jetësorja në substancë duket edhe në binjakëzimin e personazheve, dhe kjo më së miri vjen nëpërmjet Gjergjit, personazh në libër që në fakt është kushëriri i Nikës me Gjergj Kastriotin. Por edhe çdo personazh në shpalimin e diksionit shpirtëror, ku përjetimi është magjia ku mbruhet e ruhet shpirtërorja dhe njerëzorja. Kështu, ky libër mund të lexohet në aspektin moral dhe etik, që denoncon veprimtaritë e ulëta dhe veprimet e tejsakëshme të pushtuesve osmanë.

Qysh herët në rrugën e gjatë të krijimtarisë, Gjon Marku ia mbërrin të kristalizojë profilin e tij të pangatërrueshëm dhe njëkohësisht, brenda kësaj hullie, nga një vepër në tjetrën ai arrin të ridimensionojë veten përmes krijimit të risisë dhe të elementeve të formës dhe të mjeteve të ligjërimit narrativ. Ngjarja prej nga ngjizet rrëfimi duket se është projektuar në një strukturë narrative, të mbushur me mjegull për vetë kohën kur ai i sposton ngjarjet. Romani vjen mrekullisht bukur edhe për vetë gjuhën e përpunuar. Shpesh rrëfimi narrativ të krijon përshtypjen e një rrjedhe të ngadalësuar si në një ëndërr, por që shpejt, përmes fakteve dhe dëshmive të mbledhura dhe intensitetit të ngjarjeve, e fut lexuesin në një atmosferë herë ankthi e herë në qasje filozofike apo arsyetime njerëzore, sa të krijohet përshtypja se je në një realitet konkret që e sheh dhe e jeton praktikisht.

Vepra prek dhe trajton dilemën e ekzistencës. Kjo dilemë, që stilistikisht ndërtohet mbi një figuracion të pasur, ku përmes metaforave, simbolit, analizës, ironisë etj., shpërfaqen emocionet e shkrimtarit të spikatur, i cili dramën jetësore të tij e kthen në art përmes vuajtjes.

Nëse romanin “…drejt Arbërisë” e vështrojmë në strukturën dhe ndërtimin e tij, ku funksioni i rrëfimit është themelor, kemi të bëjmë me një regji të mirëstrukturuar, mirëorganizuar dhe të vështruar e analizuar të ngjarjeve që vijnë e dalin në dritë njëra pas tjetrës. Atëherë fabula e këtij romani, në tërësi, është e ndërthurur logjikisht dhe pjesët harmonizohen me njëra-tjetrën në një arkitekturë të krijuar për të mbajtur ekuilibrin nga fillimi deri në fund të romanit, ku të veçantat narrative, që në fakt janë si qeliza në një organizëm, ndërthuren me faktet historike në përputhje me ambientin. Kjo pasqyrohet me një frazë dhe fjalor të mirëartikuluar e të përzgjedhur nga fillimi në fund të kësaj vepre.

Gjon Marku është një vëzhgues i vëmendshëm dhe, me njohjen e thellë që disponon, një kulturë të gjerë, që nuk e fsheh zemërimin e tij të ndjeshëm për mënyrën se si po zvogëlohet shpirti te njerëzit.

Romani në vetvete spikat për thellësinë tematike dhe për vetëdijen dhe nënvetëdijen, ku personazhet, të vizatuara me kujdes, marrin vlerë nëpërmjet identifikimit të rrëfimit.

Narrativja në këtë roman mbahet në dy linja të veçanta, të cilat në fund japin një zgjidhje në mënyrë të përkryer. Vetë romani është i mbushur me vëzhgime plot vërtetësi për krijesat mitike, por jo në mënyrë paradoksale. Autori është i vetëdijshëm se Arbëria, ku njerëzit e vërtetë besojnë në mënyrë të vërtetë se bota jonë e dukshme është e ndërthurur me magjinë – një tokë në të cilën ngjarjet, edhe pse janë të vërteta, kapin kufijtë e legjendave. Gjon Marku gjen mënyrën dhe krijon një botë në të cilën asgjë nuk qëndron e njëjtë; gjithçka është në fokus, ngjarjet ndryshojnë në formë, por edhe në mënyrën e të shprehurit të tyre nga njëri kapitull në tjetrin.

Ngjarjet në roman bëjnë që pasojat e drejtpërdrejta të rrethanave ku gjejnë vend, pa diskutim, një gjykim dhe analizim i fuqishëm psikologjik, t’i japin atij një vlerë të shtuar në këtë drejtim.

Në fakt, në tërë krijimtarinë e Gjon Markut spikat trajtimi i elementeve të traditës dhe, me theks të veçantë, ngre lart kultin e të parëve, fisin dhe genin prej nga vjen. Ky është një tregues i qartë se autori nuk shpërfaq vetëm ndjenjën personale, por ai aludon edhe për fatin dhe pikëpamjet universale mbi jetën, vdekjen, traditën, qëndresën dhe etninë. Autori shkon në hullinë e traditës së hershme dhe më të mirë të trashëguar.

Veçantia e këtij integriteti qëndron se gjithçka që bën ai është e udhëhequr nga ndjenja e përgjegjësisë për të bërë sa më shumë të jetë e mundur në shërbim të një kauze të drejtë. Autori secilit personazh apo fragmenti narrativ i jep ngarkesën kuptimore, dhe kjo e fundit është kaq e madhe sa shpesh lexuesi identifikohet me karakterin, dhe ky identifikim kthehet në emocion, duke krijuar përshtypjen se jemi në një ngjarje reale. Procesi i zhvillimit të të menduarit artistik dhe realizimit të një figure apo personazhi është i ndërlikuar, por mjaft i larmishëm gjatë kalimit përmes strukturës së brendshme dhe të jashtme të rrëfimit.

Te Gjon Marku kemi të bëjmë me një rend të përkryer, që asnjëherë nuk e humbet natyrshmërinë dhe, mbi të gjitha, këtë natyrshmëri të përhershme e ruan pa thirrur në ndihmë zgjidhje dhe zgjedhje të sforcuara.

Nuk ka shkrimtar që nuk tërhiqet nga motivet erotike, por ai ka mënyrën e tij të të shprehurit. Ndërsa shohim veprën e këtij autori, konstatojmë se kemi të bëjmë me një njohës të mirë të gjuhës shqipe dhe sidomos me kujdesin e tij për ta përpunuar dhe për të operuar me të sa më hijshëm.

Krijimtaria e tij është e veçantë për nga brendia e saj. Duket sikur autori jep në secilin varg të kaluarën e vendit të tij, konkretisht duke u përballur pambarimisht me fatin intim të kolektivit.

Brenda llojit të tekstit si strukturë, teksti letrar dhe jo letrar paraqesin ndërlidhshmërinë më të madhe. Për këtë arsye, çështja zgjon interesimin e përhershëm të studiuesve të fjalës. Në këtë mënyrë, teksti letrar përfitohet dhe lexohet ndryshe, prandaj edhe ndikimi estetik që bën është i përsosur: ai përcakton qoftë mënyrën e tekstit letrar, qoftë procesin e perceptimit në secilin individ. Gjuha është arti më masiv dhe më përmbledhës që njohim. Qenësia dhe veçantia e fjalës poetike, përkatësisht estetike, qëndron para së gjithash në karakterin dhe aktin receptiv dhe në ndërlidhjen e së vërtetës me të vërtetat estetike. Nëse te komunikimi jo letrar qëllimi kryesor është informacioni, qartësia dhe saktësia e informatës dhe është i nevojshëm komunikimi sa më i drejtpërdrejtë, në tekstin letrar shumësia kuptimore është e dukshme dhe përbën elementin kryesor të tekstit artistik. Në tekstin letrar, pra, gjithçka që thuhet, shqiptohet dhe transmetohet nëpërmjet sistemit gjuhësor të veçantë nuk synon një kuptimshmëri të vetme, qoftë në rrafshin semantik, qoftë në atë paradigmatik, as saktësinë kuptimore, por qartësinë sa më të plotë të pjesëve dhe të tërësive.

Në tekstin letrar krijohet ajo strukturë gjuhësore, më saktësisht ai lloj të foluri, ku përjetimi artistik, mundësia e shumësisë së kuptimeve dhe ndikimi estetik dalin në plan të parë dhe të gjithë elementët përbërës tekstorë dhe jotekstorë shërbejnë dhe i nënshtrohen këtij qëllimi. Arti letrar është gjeneratori i jashtëzakonshëm i organizimit të një tipi të veçantë gjuhësor.

Fabula e dashurisë është universale, megjithëse rrymat diskursive të veprës janë të shumta. Autorit nuk i ka interesuar të ndërtojë një roman për një histori të jashtëzakonshme, çka lehtësisht do të ishte në gjendje ta bënte, por gjithsesi ndërton një roman me vlera të larta estetike dhe, si i tillë, bëhet një vepër e rëndësishme letrare në rang të gjerë.