Ballina Aktualitet Gjykata shfuqizon masën disiplinore të Ilir Prodës ndaj ish-shefit të Komisariatit nr....

Gjykata shfuqizon masën disiplinore të Ilir Prodës ndaj ish-shefit të Komisariatit nr. 2, Ritvan Pali

97
0

Ish-shefi i Komisariatit nr. 2 në Tiranë, Ritvan Pali, ka fituar betejën ligjore në Gjykatën Administrative kundër masës disiplinore të vendosur nga strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, pas përplasjes me drejtorin e përgjithshëm, Ilir Proda.

Çështja lidhet me zhvillimet pas arrestimit të Altin Morina, ish-efektiv i RENEA-s, i kërkuar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dyshime mbi lidhje me grupe kriminale. Pas këtij operacioni, ndaj Palit u ndërmorën masa disiplinore, fillimisht ulje në gradë dhe më pas transferim në detyra të niveleve më të ulëta në rrethe.

Vendimi për uljen në gradë për një periudhë njëvjeçare u mor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, me argumentin se Pali nuk kishte mbajtur uniformën zyrtare më 11 maj, ditën e zgjedhjeve parlamentare, kur u regjistrua një incident i lidhur me pretendimet e kandidatit Belind Këlliçi për ekzistencën e një zyre të fshehtë patronazhimi të kandidatit Erion Braçe.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, Pali paraqiti prova se, në momentin e ndërhyrjes së policisë për sqarimin e situatës, ai ishte i pajisur me dokument identifikimi të Policisë së Shtetit dhe kishte vepruar në përputhje me ligjin “Për Policinë e Shtetit”.

Në përfundim, Gjykata Administrative vendosi të shfuqizojë vendimin nr. 150, datë 23 korrik 2025, të Komisionit Disiplinor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke rrëzuar masën “ulje me një gradë” për një vit ndaj Palit.

Megjithatë, edhe pse vendimi përbën një fitore ligjore dhe morale për ish-drejtuesin e komisariatit, ai ka zgjedhur të largohet me dorëheqje nga radhët e Policisë së Shtetit.