Ballina Lifestyle SHBA/ I akuzuar për vrasjen e prindërve të tij, djali i regjisorit...

SHBA/ I akuzuar për vrasjen e prindërve të tij, djali i regjisorit Rob Rainer shpallet i pafajshëm

64
0

Djali i regjisorit Rob Rainer u deklarua i pafajshëm sot, gjatë gjykimit të tij në një gjykatë të Los Anxhelosit ku u akuzua për vrasje të prindërve të tij.

32-vjeçari Nick Rainer akuzohet për vrasje të dyfishtë, një rast që tronditi Hollivudin në dhjetor. Regjisori i njohur i filmit “When Harry Met Sally” dhe gruaja e tij, Michelle Singer Rainer, u gjetën të vdekur në rezidencën e tyre në Brentwood të Los Anxhelos më 14 dhjetor.

Regjisori 78-vjeçar dhe gruaja e tij 70-vjeçare ishin goditur disa herë me thikë.

Shëndeti mendor i djalit të tyre, i cili u diagnostikua me skizofreni shumë vite më parë, si dhe varësia e tij nga droga, pritet të jenë në qendër të gjyqit.

Nick Rainer rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm dhe madje edhe me vdekje, pasi ky dënim nuk është shfuqizuar në Kaliforni, por nuk është zbatuar që nga viti 2019.

Në këtë fazë, është e zakonshme që të akuzuarit të deklarohen të pafajshëm, cilado qoftë linja e mbrojtjes që do të ndjekin në të ardhmen. Duhet theksuar se avokati i tij dha dorëheqjen papritur dhe pa asnjë shpjegim muajin e kaluar dhe është zëvendësuar nga një mbrojtës publik.

Nick Rainer do të mbetet në paraburgim pasi iu mohua lirimi me kusht dhe do të sillet përsëri para gjykatës më 29 prill.