Një shpatë mesjetare, rreth një metër e gjatë, e cila dikur mund t’i ketë takuar një kalorësi kryqtar francez, është rishfaqur pas tetë shekujsh në fund të Mesdheut.
Ajo u zbulua rastësisht pranë bregdetit verior të Izraelit, në plazhën Dor, nga një i ri që po notonte në këtë pjese dhe i cili studion Qytetarimet Detare në Universitetin e Haifas.
Ky fakt e ka habitur një profesoreshë të këtij institutioni të lartë arsimor, pasi shpatat, sipas saj, nuk liheshin pas, asnjëherë nga luftëtarët, e sidomor kryqtarët.
“Këto artefakte janë shumë të rralla dhe të vështira për t’u gjetur. Ato ishin objekte personale shumë të çmuara dhe simbolike për kalorësit kryqtarë. Gjithashtu ishin shumë të shtrenjta,” tha doktor Sara Lantos nga Departamenti i Qytetërimeve Detare në Universitetin e Haifës për Press Service of Israel.
“Kjo është padyshim një shpatë e tipit evropian e një kalorësi frank. Ajo mund të ketë rënë nga një anije ose të jetë humbur gjatë një beteje. Është një tjetër dëshmi që pasuron njohuritë tona për periudhën e Kryqëzatave dhe për sendet personale të kalorësve që erdhën këtu,” shtoi ajo, raporton agjencia izraelite e lajmeve, përcjellë KosovaPress.
Me leje të posaçme, shpata u nxor me kujdes për të parandaluar dëmtime të mëtejshme dhe u transferua në një laborator konservimi, përpara se t’i nënshtrohej imazherisë së avancuar në një spital aty pranë.
E mbuluar me shtresa të trasha depozitimesh detare të formuara gjatë shekujve, gjendja e shpatës nuk mund të vlerësohej nga jashtë. Mjekët dhe studiuesit iu drejtuan imazherisë me tomografi kompjuterike (CT) në Spitalin Medica Elisha në Haifa për të parë nën shtresat e fortësuara pa dëmtuar reliktin.
“CT-ja është një metodë jo-invazive dhe jo-shkatërruese për të ekzaminuar shpatën, e cila ishte e mbuluar me guaska dhe gurë, prandaj ishte e vështirë të shihej forma dhe gjendja reale e hekurit poshtë… por CT-ja na jep mundësinë të shohim brenda dhe të kuptojmë formën dhe dizajnin,” tha Lantos.
Ajo shtoi se shtresa e guaskave nuk mund të hiqet, sepse çdo ekspozim ndaj ajrit do ta përkeqësonte më tej gjendjen e hekurit nën të.







