Nga Desada Metaj
PS duket se po shkon e qartë drejt vendimit për të mos dorëzuar imunitetin e Belinda Ballukut. Pavarësisht zvarritjeve proceduriale me datën e mbledhjes së Këshillit të Mandateve apo justifikimeve për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca e ka vendosur që nuk e toleron kërkesën e Prokurorisë së Posaçme. Ky është një vendim i pastër politik dhe, sado të mundohen “juristët” e PS apo dhe ata afër saj, nuk e fshehin dot të vërtetën e pastër se mazhoranca e blinduar me 83 mandate nuk do të dorëzohet përpara hetimeve të SPAK. Aq i qartë është ky qëndrim sa duket se dhe projektligji i shkruar shkel e shko nga Ulsi Manja për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale në nenin 242 ka mbetur nëpër sirtarët e Kuvendit për t’ia lënë vendin qasjes tërësisht politike të PS.
Edhe pse duket paradoksale, i vetmi i sinqertë në këtë përplasje finale me Prokurorinë e Posaçme është Edi Rama. Që kur SPAK i vuri prangat Erion Veliajt, kryeministri u shfaq i vrerosur duke u skërmitur se Shqipëria po shndërrohej në republikë prokurorësh. Edhe më agresiv ai u duk në rastin e zëvendëses së tij. Jo vetëm për SPAK, por dhe për Gjykatën Kushtetuese, Edi Rama nuk kurseu sharjet publike, kërcënimet, madje dhe lëvizjet për t’ua kufizuar veprimtarinë me ndryshimin e ligjeve apo të vetë reformës. Edhe pse kjo e fundit është një lëvizje e stisur, pasi më mirë se të gjithë Edi Rama e di se për shkak të integrimit në BE nuk mund ta prekë reformën, kërcënimet dhe presionet ai nuk i kurseu në asnjë moment.
Më kot vasalët e tij në Kuvend dhe grupin parlamentar u munduan ta qetësojnë me premtimet se e gjithë turbullira do të kthjellohet nëse vonohet në procedurat e ngatërruara të Kuvendit për heqjen e imunitetit apo dhe më herët në analet e Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse i tentoi të dyja variantet, Edi Rama sot më shumë se kurrë e ka të qartë se shpëtimi i vetëm i qeverisë së tij nga ngërçi është politika. Dhe këtë herë jo lojërat meskine, kërcënimet dhe presionet, por përballja direkte me Prokurorinë e Posaçme.
Të enjten, kur grupi parlamentar do të presë me kureshtje verdiktin e Edi Ramës, në nderin e këtij të fundit do të ishte t’u thoshte qartë deputetëve atë që disa herë e ka artikuluar qartas në publik. Që lufta me SPAK tashmë është konsoliduar në nivele nga ku nuk ka më kthim pas. Dhe se PS nuk do të dorëzojë më asnjë imunitet për asnjë deputet apo ministër të sajin.
Me këtë rast Taulant Balla dhe Ulsi Manja do të merrnin frymë të qetë që tashmë nuk do kenë më sikletin të hartojnë ligje apo të gjejnë kleçka në rregulloren e Kuvendit për të shpëtuar shokët. Një mazhorancë me 83 vota e ka të shtruar rrugën për të ndryshuar çdo ligj, madje, nëse punon seriozisht, mundet të ndryshojë dhe Kushtetutën. Ata që ka përballë janë të zënë për momentin me molotovë dhe fishekzjarrë. Si e tillë, kjo mazhorancë mund të mbrojë nëpërmjet ligjeve që do miratojë këdo që ajo mendon se po hetohet padrejtësisht.
Dhe më në fund nuk do kemi më ca të nënës që lavdërojnë SPAK dhe ca të njerkës që ankohen se po shndërrohemi në republikë prokurorësh. Edi Rama duhet ta udhëheqë këtë betejë finale me drejtësinë e re dhe besoj se nuk e ka të vështirë të mundë dhe krijesën e tij. Siç e pëlqen ta quajë reformën.
Kështu pra duket se do të jetë. Edi Rama ka njoftuar se mbledhjen e grupit parlamentar do ta zhvillojë në ambientet e Pallatit të Brigadave – një zgjedhje që nuk është as logjistike dhe as protokollare. Ajo është simbolike. Kumton vendime të rëndësishme, me natyrë solemne. Dhe në klimën aktuale politike, një vendim i tillë mund të përkthehet vetëm si paralajmërim për përshkallëzim. Si shpallje lufte ndaj drejtësisë, pavarësisht se si do të lëmohet gjuha në deklarim.
Në çdo pragbetejë bëhet llogaria e fundit e forcave: numrat, resurset, raportet e pushtetit, aleancat dhe plani strategjik – afatshkurtër e afatmesëm. Historia politike na mëson diçka elementare: përplasjet e tilla nuk shuhen vetvetiu. Ato përfundojnë me tërheqjen ose dorëzimin e njërës palë. Deri atëherë, dëmi prodhohet gradualisht. Dhe kur mbyllet cikli, njëra palë zakonisht del e rrënuar institucionalisht. Fituesi hap një epokë të re – shpesh të ashpër, të papërmbajtur, sidomos në momentet e para të pasbetejës.
Por para se të arrihet aty, duhet analizuar konfigurimi aktual i forcave.
Në njërën anë është Edi Rama, me në krah Belinda Ballukun. Ata do të udhëheqin betejën e PS. Pas tyre qëndrojnë 83 mandate – një shumicë solide, brenda së cilës gjasat për disonancë janë minimale. Në situata të tilla, çdo zë kritik etiketohet si dezertim. Disiplina e shumicës funksionon si refleks mbijetese.
Përtej grupit parlamentar, ekziston një rreth i gjerë interesash ekonomike dhe financiare që kanë përfituar nga qeverisja. Një pjesë e konsiderueshme e tyre disponon edhe mbështetje mediatike. Dhe Rama e di mirë se një përplasje e përmasave institucionale kërkon domosdoshmërisht makineri propagandistike. Narrativa është po aq e rëndësishme sa akti juridik.
Së fundi, ai do të kërkojë amortizim ndërkombëtar. Përmes lobimeve, marrëdhënieve personale apo shfrytëzimit të divergjencave taktike midis BE-së dhe SHBA-së, synimi do të jetë minimalisht neutralizimi i reagimit të jashtëm. Edhe një heshtje diplomatike do të interpretohej si tolerim.
Në anën tjetër të barrikadës është SPAK-u – një strukturë e formatuar në logjikë ligjore, jo politike. Prokurorë dhe gjyqtarë të mësuar me norma, jo me kalkulime elektorale. Ata mund të mos e peshojnë impaktin politik të çdo mase sigurimi apo aktakuze, por pikërisht aty qëndron forca e tyre: veprojnë mbi bazën e ligjit në fuqi. Dhe për sa kohë mjeti normativ mbetet i pandryshuar, ata kanë kapacitet real të tronditin çdo hierarki pushteti.
Nëse beteja zhvendoset në terrenin e ndryshimeve ligjore për t’ua kufizuar instrumentet, atëherë forca e tyre dobësohet. Por këtu hyn një aktor tjetër: Bashkimi Europian.
BE-ja – së bashku me SHBA-në – ishte promotori kryesor i reformës në drejtësi dhe i krijimit të SPAK-ut. Jo vetëm politikisht, por edhe financiarisht e përmes asistencës teknike. Për BE-në, çështja nuk është thjesht funksionimi i një institucioni, por stabiliteti i arkitekturës së sundimit të ligjit në kufirin e saj të jashtëm. Nëse perceptohet se kjo arkitekturë rrezikohet, reagimi mund të jetë proporcional.
Instrumentet ekzistojnë: ngadalësim apo ngrirje e procesit të anëtarësimit, pezullim fondesh, presion politik i drejtpërdrejtë. Shembujt e përplasjeve të BE-së me qeveritë e Hungarisë dhe Polonisë tregojnë se mekanizmat e kushtëzimit janë realë, madje edhe ndaj shteteve anëtare. Për një vend kandidat si Shqipëria, i varur ndjeshëm nga financimi i jashtëm, vulnerabiliteti është edhe më i madh.
Miqësitë e deklaruara me Turqinë apo raportet e mira me Italinë nuk mjaftojnë për të balancuar një përplasje strukturore me Brukselin.
Dhe ekziston një faktor i tretë: publiku shqiptar. I majtë apo i djathtë, me parti apo pa parti, ai shfaq një mbështetje të qartë për drejtësinë e re. Mund të jetë i lodhur nga tranzicioni 35-vjeçar, por entuziazmi ndaj ndëshkimit të korrupsionit është real – madje me nuanca emocionalisht radikale. Aktualisht beteja do të zhvillohet në plan retorik e institucional, në zyra politike dhe kancelari perëndimore. Por nëse përplasja eskalon në masa që prekin drejtpërdrejt lëvizjen e lirë apo financat publike, publiku nuk do të mbetet spektator. Impakti ekonomik individual prodhon reagim politik.
Në këtë skakierë forcash nuk po përfshij opozitën. Arsyeja është e thjeshtë: ajo është e dobët numerikisht dhe e paqartë strategjikisht. Sidomos PD-ja, e perceptuar gjerësisht si pjesë e sistemit që sot kritikon. Protestat e saj duken më shumë oportuniste sesa alternative. Ndërkombëtarët nuk e trajtojnë si faktor përcaktues. Kështu, në këtë pragpërplasje, opozita mbetet periferike, e zënë me krizën e identitetit të vet.
Kjo është panorama në ditën kur Rama mbledh grupin parlamentar në Pallatin e Brigadave. Ai duket i përgatitur për përballje. Ende nuk dihet me saktësi plani operacional i kampit tjetër – drejtësi, ndërkombëtarë, publik – por është e qartë se instrumentet në dispozicion të këtij kampi janë, potencialisht, më të forta dhe më strukturore.
Çështja tani nuk është kush ka armë. Çështja është kush do t’i përdorë, kur dhe deri në çfarë mase.







