Bllokimi i akseve rrugore që lidhin juglindjen me pjesën tjetër të vendit po reflektohet drejtpërdrejt në ekonomi, duke prekur bizneset që operojnë në furnizimin dhe shkëmbimin e mallrave me pjesën tjetër të vendit.
Tregtarët theksojnë që koha e transportit është rritur ndjeshëm për shkak të devijimeve dhe kufizimeve në qarkullim. Si pasojë, janë shfaqur vonesa në furnizime dhe rritje e kostos së transportit çka ka reflektuar edhe në rritjen e çmimeve për konsumatorët.
“Vonesa ka sa të duash. Ka raste për furnizimin flenë andej. Me bllokimin që ndodhi është katastrofë. Nëse nuk hapet rruga do detyrohemi të rrimë pushim”, thotë njëri nga tregtarët.
“Na ka ndikuar shumë, nuk ku shkon më keq se kaq. Nuk lëvizim fare as nga Gramshi, vetëm nga Përmeti-Tepelenë. Është rrugë shumë e gjatë. Kostoja është dyfish. Kjo ka ndikuar edhe në koston e produkteve që shesim. Rriten kostot do të rriten edhe çmimet. Edhe produktet nuk janë të shumta në numër. Rruga zgjat vajtja-ardhje 12 orë. Trafik ka shumë sepse është vetëm rruga alternativa. Nëse kjo vijon do rrimë pa punë”, shprehet një tjetër.
Më pas ndikimi është ndjerë edhe në sektorin e turizmit. Operatorët turistikë në Korçë dhe Pogradec raportojnë anulime rezervimesh në hotele dhe bujtina, ndërsa restorantet flasin për rënie të ndjeshme të xhiros ditore. Sipas tyre, pasiguria në qarkullim dhe zgjatja e kohës së udhëtimit nga zona e Gramshit kanë bërë që shumë vizitorë të anulojnë udhëtimet, duke ndikuar negativisht në të ardhurat e këtij sezoni turistik.
“70 përqind e rezervimeve janë anuluar, njëjtë edhe në restorant. Ka pasur rënie të të ardhurave këto ditë. Duhet të rregullohen rrugët, është e treta herë këtë sezon që përsëritet”, shprehet një prej tyre.
Sipërmarrësit shpjegojnë se nëse situata vijon me të njëjtin ritëm, rënia e të ardhurave mund të çojë deri në mbylljen e një pjese të bizneseve. Sipas tyre, kostot janë tashmë shumë të larta dhe, në kushtet e vonesave në furnizime dhe rritjes së shpenzimeve të transportit, bëhen të papërballueshme.







