Mario Mërkuri, babai i 20-vjeçarit shqiptar Rikardo Mërkuri, i cili dhunoi brutalisht nënën e tij në Itali dhe më pas u mbyt në det ka treguar detaje mbi ngjarjen e rëndë.
Për mediat italiane, ai ka treguar se djali i tij ndërmori aktin fatal pasi mendoi se kishte shkaktuar vdekjen e nënës gjatë një konflikti të ashpër në banesë.
“Ka menduar se nëna kishte vdekur dhe e bëri atë gjest. Ishte i vendosur”, ka deklaruar babai i tij.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 22 shkurtit, vetëm pak orë pasi familja kishte festuar së bashku ditëlindjen e të riut.
Pas darkës, babai ishte larguar nga shtëpia dhe, sipas familjarëve, mes nënës dhe djalit kishte shpërthyer një debat i fortë që përfundoi në dhunë fizike. Albana Kastriot u gjet më pas nga bashkëshorti e shtrirë pa ndjenja në banjë, me dëmtime të rënda në fytyrë.
Ajo u transportua fillimisht në spitalin e Macerata dhe më pas u transferua në spitalin rajonal Torrette në Ankona, ku pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të kirurgjisë maksilofaciale. Sipas bashkëshortit, gjendja e saj është përmirësuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“E ëma e donte marrëzisht. Edhe kur kishte gabim, ajo gjithmonë e mbronte”, ka shtuar babai, duke theksuar se edhe më parë kishte pasur debate mes tyre, por asgjë që të linte të kuptohej se situata mund të përfundonte në tragjedi.
Trupi i 20-vjeçarit ndodhet në morgun e spitalit të Civitanovës që prej së dielës, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Familja, me origjinë shqiptare dhe prej shumë vitesh e vendosur në Pollenza, është e njohur në komunitetin lokal. Përveç prindërve, Rikardo lë pas vëllain e madh Alessio dhe gjyshen Bedrie. Ngjarja ka lënë të tronditur qytetin dhe ka hapur një debat të gjerë mbi shkaqet që çuan në këtë fund tragjik.







