Ballina Aktualitet Tre sigurime për mbrojtjen e investimeve publike dhe rritjen e llogaridhënies

Tre sigurime për mbrojtjen e investimeve publike dhe rritjen e llogaridhënies

64
0

Ngjarjet e përsëritura të dëmtimit dhe shembjes së veprave infrastrukturore, si rrugë, ura dhe projekte publike, kanë hapur një debat mbi cilësinë e ndërtimit, përdorimin e fondeve publike dhe ndikimin e tyre në buxhetin e shtetit. Rasti i rrugës Librazhd–Pogradec, i bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme të dherave në zonën e Arrat e Gurrës, si dhe problematikat e përsëritura me segmente të tjera rrugore, e kanë rikthyer në vëmendje domosdoshmërinë për mekanizma më të fortë kontrolli dhe garantimi financiar të veprave publike.

Në këtë kontekst, roli i sigurimeve në projektet infrastrukturore përbën një instrument thelbësor për garantimin e interesit publik, mbrojtjen e buxhetit të shtetit dhe rritjen e standardeve profesionale në sektorin e ndërtimit. Gjjthashtu sigurimet, si mekanizëm i transferimit të riskut, shërbejnë si amortizues dhe mbrojtës i fondeve publike.

ROLI I SIGURIMEVE NË NDËRTIMIN E VEPRAVE PUBLIKE

Sipas standardeve ndërkombëtare të ndërtimit, veprat infrastrukturore projektohen për një jetëgjatësi që varion nga 50 deri në 80 vjet. Për rrjedhojë, shfaqja e dëmtimeve serioze brenda një periudhe më të shkurtër se 10 vjet tregon qartë probleme që lidhen me projektimin, zbatimin ose mbikëqyrjen teknike të punimeve.

Për të adresuar këtë risk, në vitin 2019 u miratua Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 693, i cili parashikon sigurimin e detyrueshëm të përgjegjësisë së ndërtuesit për një periudhë 10-vjeçare, për defekte të fshehura, si kusht për pajisjen me certifikatë përdorimi.

Megjithatë, zbatimi praktik i këtij detyrimi ka qenë i kufizuar, duke u fokusuar kryesisht në objektet e banimit, ndërkohë që parimi i sigurimit duhet të shtrihet mbi të gjitha veprat publike dhe private me ndikim shoqëror, përfshirë shkolla, kopshte, spitale, ura, rrugë, vepra hidroteknike dhe sisteme ujësjellës-kanalizimesh.

Mungesa e zbatimit të plotë të këtij mekanizmi ka sjellë si pasojë që kostot e riparimeve dhe rikonstruksioneve të përballohen nga buxheti i shtetit, duke transferuar barrën financiare te taksapaguesit, në vend që përgjegjësia të mbulohej përmes instrumenteve të sigurimit.

Zbatimi i këtij detyrimi do të garantonte mbulim financiar të plotë për defektet ndërtimore, do të rritej llogaridhënia e aktorëve të përfshirë në ndërtim dhe do të përmirësohej ndjeshëm cilësia e investimeve publike.

SIGURIMET QË MINIMIZOJNË RREZIKUN FINANCIAR

Në praktikën ndërkombëtare, menaxhimi i riskut në ndërtim bazohet në kombinimin e disa instrumenteve të sigurimit, të cilat sigurojnë mbrojtje financiare gjatë gjithë ciklit jetësor të një vepre infrastrukturore.

Në rastet e dëmtimeve të parakohshme të rrugëve dhe urave, tre sigurime bazë do të kishin minimizuar ndjeshëm ndikimin financiar mbi buxhetin e shtetit:

1. Sigurimi i përgjegjësisë së ndërtuesit. I parashikuar në VKM nr. 693, ky sigurim mbulon defektet e fshehura që shfaqen pas përfundimit të punimeve dhe përpara marrjes së certifikatës së përdorimit, duke garantuar riparimin e tyre pa kosto për buxhetin e shtetit.

2. Sigurimi i përgjegjësisë profesionale të arkitektëve dhe inxhinierëve. Ky sigurim mbulon dëmet e shkaktuara si pasojë e gabimeve në projektim, llogaritje teknike ose neglizhencës profesionale, duke garantuar standarde më të larta sigurie dhe korrektese teknike.

3. Sigurimi i përgjegjësisë profesionale të supervizorit. Supervizimi teknik është hallka kyçe për garantimin e cilësisë së ndërtimit. Për këtë arsye, mbulimi i sigurimit duhet të jetë në përpjesëtim me vlerën reale të veprës, në nivele që sigurojnë mbulim efektiv të riskut dhe jo thjesht formal.

SIGURIMI SI INSTRUMENT I LLOGARIDHËNIES PUBLIKE

Zbatimi i këtyre tre instrumenteve të sigurimit do të sillte një përfitim të dyfishtë, ku në njërën anë do të ishte mbrojtja financiare e fondeve publike dhe në tjetrën, rritja e standardeve profesionale dhe disiplinës teknike në sektorin e ndërtimit.

Në të njëjtën kohë, sigurimi krijon një mekanizëm real llogaridhënieje, duke detyruar të gjithë aktorët – projektues, ndërtues dhe supervizorë – të zbatojnë standardet më të larta profesionale, pasi çdo devijim përkthehet drejtpërdrejt në kosto financiare dhe përgjegjësi ligjore.

Në këtë kuadër, qytetarët, media dhe shoqëria civile kanë të drejtën legjitime të ngrenë pyetje themelore:

A janë blerë këto polica sigurimi për veprat publike? Nëse jo, përse? Dhe kush mban përgjegjësi për mungesën e tyre?

Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve janë thelbësore për ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm investimesh publike, të bazuar në transparencë, eficiencë dhe mbrojtje të interesit publik.

SIGURIMI NUK ËSHTË THJESHT NJË FORMALITET KONTRAKTOR

Sigurimi nuk është thjesht një kontratë. Ai përfaqëson një mekanizëm thelbësor mbrojtjeje për qytetarët, financat publike dhe qëndrueshmërinë e investimeve infrastrukturore.

Forcimi i kulturës së sigurimit, rritja e ndërgjegjësimit institucional dhe zbatimi rigoroz i kuadrit ligjor ekzistues janë elementë kyç për ndërtimin e një modeli modern të zhvillimit, të bazuar në përgjegjësi, transparencë dhe standarde të larta profesionale.