Ballina Bota Vrau pronaren e dyqanit në 1986 – ekzekutohet me injeksion vdekjeprurës në...

Vrau pronaren e dyqanit në 1986 – ekzekutohet me injeksion vdekjeprurës në Floridë

66
0

Një burrë i dënuar për vrasjen e pronarit të një dyqani gjatë një grabitjeje në fund të viteve 1980 u ekzekutua sot në Floridë, duke u bërë ekzekutimi i dytë i vitit në këtë shtet amerikan.

Melvin Trotter (65) u dënua për vrasje të shkallës së parë pasi në vitin 1986 mbyti dhe qëlloi me thikë Virgie Langford në dyqanin e saj në Palmetto, shkruan Sky News.

Dënimi me vdekje për Trotter u dha për herë të parë në vitin 1987, por Gjykata Supreme e Floridës konstatoi disa gabime të gjykatës së shkallës së parë dhe urdhëroi rigjykim për dënimin. Ai u dënua sërish me vdekje në vitin 1993. Ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës është caktuar për sot në orën 18:00 sipas kohës lokale në Burgun Shtetëror të Floridës.

Avokatët bënë apel, duke argumentuar se zyrtarët e burgut menaxhuan keq protokollet për ekzekutimin e dënimit me vdekje dhe se Trotter, për shkak të moshës së tij, duhet të përjashtohej nga ekzekutimi. Gjykata Supreme e Floridës hodhi poshtë apelimet, ndërsa vendimi për përpjekjen e fundit për ndryshimin e dënimit pritet nga Gjykata Supreme e SHBA-ve, vetëm disa orë para ekzekutimit të caktuar.

Sipas dokumenteve gjyqësore, Virgie Langford u gjet e gjallë nga një shofer kamioni pas sulmit. Para se të vdiste në spital, ajo arriti të përshkruante sulmuesin e saj. Përveç pamjes fizike, Langford tha se sulmuesi mbante një shenjë identifikimi të kompanisë Tropicana me emrin Melvin.

Policia më vonë gjeti në shtëpinë e Trotter një bluzë me gjurmë gjaku që përputhej me grupin e gjakut të viktimës, ndërsa në frigoriferin për mish të dyqanit u gjet gjurmë dore e tij. Ky është ekzekutimi i dytë në Floridë këtë vit.

I pari ishte Ronald Palmer Heath (64), i dënuar për vrasje të shkallës së parë dhe akuza të tjera pasi në vitin 1989 vrau tregtarin Michael Sheridan, të cilin ai dhe vëllai i tij e kishin takuar në një bar. Për muajin e ardhshëm, në Floridë janë caktuar edhe dy ekzekutime të tjera.

Guvernatori i shtetit, Ron DeSantis, mbikëqyri një numër rekord ekzekutimesh gjatë vitit 2025. Në total, 19 persona morën injeksion vdekjeprurës, më shumë se çdo vit tjetër që nga rihyrja e dënimit me vdekje në Shtetet e Bashkuara në vitin 1976. Rekordi i mëparshëm ishte tetë ekzekutime në një vit.