Ballina Europë Zvicra bllokon më shumë se 880 milionë $ të Maduro-s!

Zvicra bllokon më shumë se 880 milionë $ të Maduro-s!

63
0

Zvicra njoftoi më 5 janar se do të bllokojë “çdo pasuri” të ish-presidentit venezuelian Nicolas Maduro, pas arrestimit dhe akuzave për trafik droge nga Shtetet e Bashkuara.

Masa u mor si një “parandalim” për të shmangur largimin e mundshëm të fondeve jashtë vendit dhe ka përfshirë gjithashtu 36 qytetarë të tjerë venezuelianë.

Siç shkruan Business Recorder, bëhet fjalë për më shumë se 880 milion dollarë që janë bllokuar në Zvicër.

Megjithatë, ekspertët ligjorë sugjerojnë se pas sanksioneve të mëparshme zvicerane, të pakta janë bankat lokale që mund të mbajnë fonde të tilla.

Masat zvicerane ndaj Venezuelës

Siç shkruan Swissinfo, që nga viti 2018, Zvicra ka ndjekur sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Venezuelës, duke përfshirë ndalimin e furnizimit me pajisje ushtarake, pajisje për represion ose survejim, si dhe vendosjen e bllokimeve të pasurive dhe ndalesave për udhëtim.

Sipas ligjit zviceran, fondet e individëve të quajtur “politically exposed persons” ose të afërmve të tyre mund të bllokohen, konfiskohen dhe rikthehen tek pronarët legjitimë në rast rreziku të transferimit jashtë vendit.

Eksperti Mark Pieth thekson se mbajtja e fondeve të Maduro-s ka qenë e ndaluar për vite me radhë, dhe njoftimet e fundit nuk përbëjnë një veprim të ri mbi sanksionet ekzistuese.

Vendimi i fundit lidhet me faktin se Maduro tani është arrestuar dhe akuzuar nga SHBA-të. Autoritetet zvicerane po sigurohen që të jenë të gatshme për çdo kërkesë të ardhshme nga prokurorët ose qeveritë e huaja për ndihmë ligjore.

Në praktikë, pavarësisht se Maduro rezulton me pasuri në Zvicër, kjo nuk do të thotë se fondet janë të paligjshme.

Ligji nuk detyron Zvicrën të ndjekë sanksionet e SHBA-ve ose të Bashkimit Europian, por bankat zvicerane janë të kujdesshme për të shmangur rrezikun e sanksioneve sekondare ose veprimeve nga autoriteti i tregut financiar FINMA.

Çfarë ndodh me paratë nëse janë të paligjshme?

Nëse zbulohet se ndonjë fond i Maduro-s është i lidhur me korrupsion ose aktivitete kriminale, Zvicra mund të negociojë me një shtet tjetër për marrëveshje rikthimi.

Paratë duhet të shkojnë për përfitimin e popullsisë dhe nuk duhet të kthehen në kanale korrupsioni.

Zvicra ka përvojë me këtë qasje që nga vitet 1980, duke filluar me pasuritë e diktatorit filipinas Ferdinand Marcos, më pas me Jean-Claude Duvalier të Haitit apo Mobutu Sese, duke vendosur bllokime dhe konfiskime të përkohshme për pasuri të lidhura me regjime autokratike të rrëzuara.

Eksperti Pieth thekson se shumica e këtyre pasurive do të mbeten të bllokuara derisa të ketë një qeveri të stabilizuar në Venezuelë, dhe nuk ka bazë ligjore të qartë për t’i transferuar ato në SHBA.