Në përpjekje për të vendosur rregull në burgje, ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari përfundoi duke u përplasur jo me opozitën, por me deputetët e partisë së tij, të cilët i prenë hovin që në komision.
Shkak i debatit u bë krijimi i një agjencie të re për mbikëqyrjen e burgjeve dhe shërbimit të provës, e pajisur me kompetenca monitoruese, informative dhe hetuese. Një strukturë që, sipas projektligjit, duhet të shohë gjithçka, të dëgjojë gjithçka dhe të raportojë gjithçka. Pyetja ishte vetëm: i kujt është ai që drejton?
Lamallari insistoi se, meqë mban përgjegjësi politike për burgjet, duhet të ketë edhe timonin e emërimit të drejtorit të agjencisë. Logjikë e thjeshtë: përgjegjësi pa kontroll nuk ka.
“”Siç i kërkohet përgjegjësia politike, patjetër duhet të ketë dhe kontrollin dhe mekanizmat funksional efektiv për ushtrimin e këtij kontrolli,”-tha ai në komisionin e çështjeve të brendshme.
Por deputetët socialistë nuk u bindën. Ata vendosën që emërimi të mos kalojë nga zyra e ministrit, por të ngjitet një kat më lart, tek Kryeministri Edi Rama, duke ia kujtuar Lamallarit se në këtë shtëpi politike, çelësat i mban dikush tjetër.
Kryetari i komisionit, Bledar Çuçi, e shpjegoi shkurt: nuk ka sens që ministri të propozojë, të kontrollojë dhe të emërojë vetë.
“Të gjitha agjencitë kombëtare në Shqipëri kanë emërim titullarët ose nga Këshilli i Ministrave ose nga kryeministri”,-tha Çuçi.
Nga ana e tij, Lamallari u përpoq të mbrojë idenë se modernizimi i sistemit të burgjeve kërkon informacion në kohë reale dhe një zinxhir komandimi të qartë, por argumentet e tij u mbytën nga votat e shumicës.
Si përfundim, agjencia kaloi, por jo sipas dëshirës së ministrit. Për siguri, deputetët shtuan edhe filtra për mbrojtjen e të dhënave personale, mos vallë ndonjë vesh i padëshiruar dëgjonte më shumë seç duhet./vna







