Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ka deklaruar se të paktën 956 milionë euro nga taksat e shqiptarëve janë investuar në projekte rrugore që, sipas saj, sot po shfaqin probleme serioze strukturore, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve.
Në një deklaratë publike, Vangjeli theksoi se projektet e prezantuara si “vepra madhore” po rezultojnë, sipas opozitës, simbol i keqmenaxhimit, mungesës së standardeve dhe i dyshimeve për abuzim me fondet publike. “Në vend të infrastrukturës së qëndrueshme, qytetarëve po u serviren investime që dëmtohen vetëm pak muaj apo vite pas inaugurimit,” u shpreh ajo.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Të paktën 956 milionë euro nga taksat e shqiptarëve janë hedhur në asfalt që sot po shembet, po rrëshqet dhe po rrezikon jetën e qytetarëve.
Projektet rrugore të propaganduara si “vepra madhore” po rezultojnë simbol i keqmenaxhimit, mungesës së standardeve dhe i dyshimeve serioze për abuzim me fondet publike.
Në vend të infrastrukturës së qëndrueshme, qytetarëve po u serviren investime që dëmtohen vetëm pak muaj apo vite pas inaugurimit.
Vetëm në muajt e fundit janë raportuar shembje apo dëmtime në këto akse:
Rruga e Arbrit – Tuneli i Murrizit, inauguruar 1 vit më pare, kosto: mbi 300 milionë euro
Tuneli i Llogarasë – inauguruar 19 muaj më parë
Kosto: mbi 200 milionë euro
Tuneli i Skërficës rruga Kardhiq-Delvinë– hapur 3 vite më parë, kosto: rreth 145 milionë euro
Rruga Qukës–Qafë Plloçë – inauguruar 5 muaj më pare, kosto: rreth 260 milionë euro
Aksi Librazhd – Pogradec kosto: rreth 50 milionë euro
Aksi Maqellarë – Peshkopi (Luzni) – inauguruar 9 muaj më parë kosto: 10 milionë euro
Unaza e Burrelit – inauguruar 6 muaj më parë
Kosto: 1.2 milionë euro
Aksi Usojë – Mallakastër – inauguruar 5 muaj më parë kosto: 650 mijë euro
Aksi Kuç – Qeparo (segmenti që lidh lumin e Vlorës me Himarën) – inauguruar para 6 vitesh
Kosto: 35.4 milionë euro
Aksi Vllahinë – Poçem – çarje 2 vite pas ndërtimit , kosto: 4.7 milionë euro
Prej më shumë se 5 ditësh, qarkullimi në juglindje të vendit ka qenë i bllokuar, duke dëmtuar qytetarët dhe ekonominë lokale.
Kjo nuk është thjesht çështje infrastrukture.
Kjo është çështje përgjegjësie.
Kur rrugët shemben, nuk shembet vetëm asfalti — shembet besimi i qytetarëve, dëmtohet ekonomia kombëtare dhe rëndohet barra mbi taksapaguesit.
Ne kërkojmë:
Hetim të plotë për përgjegjësit teknikë dhe administrativë të këtyre projekteve.
Garanci reale sigurie për qytetarët që përdorin këto akse rrugore.
Edi Rama dhe qeveria e tij kanë pasur 13 vite kohë për t’u treguar shqiptarëve se çfarë mund të bëjnë për vendin.
Pas 13 vitesh, bilanci është i qartë: rrugë të shembura, kosto të fryra, korrupsion dhe mungesë llogaridhënieje.
Shqiptarët meritojnë rrugë të sigurta, jo projekte që rrëshqasin bashkë me dherat.
Koha e llogaridhënies nuk mund të shtyhet më.
Të shtunën, në orën 18:00, të gjithë në shesh.







