Ballina Politika Nga “nuk mbrojmë askënd” tek përplasja me drejtësinë! ISP: Si ndryshoi qëndrim...

Nga “nuk mbrojmë askënd” tek përplasja me drejtësinë! ISP: Si ndryshoi qëndrim Rama për imunitetin. Rasti “Balluku” dhe standardi europian që duhet të ndjekë Kuvendi

74
0

Deklaratat e përsëritura ndër vite të kryeministrit Edi Rama se mazhoranca “nuk do të bëhet pengesë për hetimin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë”, se “nuk jemi zyrë avokatie e askujt” dhe se “kush ka probleme me drejtësinë të përballet vetë me të”, rikthehen sot në vëmendje përballë zhvillimeve të fundit në Kuvend, ku në diskutim është imuniteti i Belinda Ballukut, të cilën SPAK kërkon ta arrestojë për korrupsionin miliona euro me tenderat publikë.

Instituti i Studimeve Politike ka krahasuar qëndrimet e artikuluara publikisht për vite me radhë të kryeministrit Edi Rama dhe duket se ka pësuar ndryshim në vitet 2023–2024, kur Parlamenti u përball me çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të ish-ministres Olta Xhaçka.

“Çështja Xhaçka u arkivua, por më shumë se ajo, parlamenti ka hyrë në një fazë të re, ku nga retorika e mëparshme për respektimin e të drejtës është kaluar tek retorika anti SPAK për refuzimin e hetimeve. Rasti më flagrant është ai i zv/kryeministër Balluku, proces që pas konsumimit të vendimmarrjes parimore në Gjykatën Kushtetuese, vijuan prej muajsh në parlament”, shkruan ISP.

Në rastin Balluku mazhoranca ende nuk ka një vendim, por indirekt është paralajmëruar refuzimi i kërkesës së SPAK. “Pa hyrë në interpretime lidhur me fajësinë ose jo të zonjës Balluku, shqetësimi kryesor lidhet me rolin dhe qasjen e parlamentit dhe partive politike ndaj imunitetit dhe zyrtarëve të tyre të akuzuar për korrupsion ose shpërdorim të detyrës”, thekson ISP.

Në 5 raste, Kuvendi ka votuar për heqjen e imunitetit të ligjvënësve, konkretisht për Tom Doshin, Mark Frrokun, Armando Prengën, Arben Ahmetajn dhe Sali Berishën.

3 janë dorëheqje, Saimir Tahiri, Alqi Bllako dhe Jurgis Çyrbja.

Deri tani, rasti i vetëm i refuzimit nga Kuvendi është për Saimir Tahirin në vitin 2017, kur Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi autorizim për heqjen e imunitetit, por që mazhoranca e konsideroi
kërkesën e akuzës të pabazuar në fakte e prova. Disa muaj më pas, në maj 2018, Tahiri hoqi dorë nga mandati i deputetit.

Instituti i Studimeve Politike (ISP), i cili po monitoron procesin dhe vendimmarrjet institucionale, rekomandon që Kuvendi të aplikojë standardet e vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë praktikat e Parlamentit Europian, ku zyrtarët nën hetim përballen me drejtësinë pa mburojë politike. Sipas ISP-së, nëse një zyrtar shpallet i pafajshëm, ai fiton kredibilitet publik; nëse shpallet fajtor, përballet me pasojat ligjore – ndërsa në të dy rastet forcohet besimi te demokracia.

Instituti i Studimeve Politike
“Ne nuk do të bëhemi pengesë për hetimin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të akuzuar nga drejtësia”, “ne nuk jemi zyrë avokatie të askujt”, “kush ka probleme me drejtësinë të përballet vetë me të”, “partia nuk mbron të akuzuarit”. Këto janë disa nga deklaratat ndër vite të kryeministrit Rama lidhur me raste flagrante të zyrtarëve të akuzuar nga drejtësia. Megjithatë ai ndryshoi qëndrim në 2023 dhe 2024 kur Kuvendi duhej të vendoste lidhur me papajtueshmërinë e mandatit për ish-ministren O.Xh., deputete edhe në legjislaturën aktuale. Kur Gjykata Kushtetuese i kërkoi Kuvendit zbatimin e Kushtetutës kryeministri e refuzoi, “Gjykata Kushtetuese nuk mund të urdhërojë se si votojnë deputetët, është e pamundur. Është teorikisht dhe teknikisht e pamundur. Sepse vota e çdo deputeti është sovrane”. Vendimi i tij ishte edhe vendim i shumicës parlamentare.

Çështja Xhaçka u arkivua, por më shumë se ajo, parlamenti ka hyrë në një fazë të re, ku nga retorika e mëparshme për respektimin e të drejtës është kaluar tek retorika anti SPAK për refuzimin e hetimeve. Rasti më flagrant është ai i zv/kryeministër Balluku, proces që pas konsumimit të vendimmarrjes parimore në Gjykatën Kushtetuese, vijuan prej muajsh në parlament.

Tabela ilustron rastet më të njohura të heqjes së imunitetit, – në aspektin procedural dhe politik rasti Tahiri duket se ngjan me rastin Balluku, mazhoranca e mori në mbrojtje disa muaj para se akuzat të përshkallëzoheshin dhe ai të dorëhiqej për të përfunduar i dënuar me burg.

Në rastin Balluku mazhoranca ende nuk ka një vendim, por indirekt është paralajmëruar refuzimi i kërkesës së SPAK. Pa hyrë në interpretime lidhur me fajësinë ose jo të zonjës Balluku, shqetësimi kryesor lidhet me rolin dhe qasjen e parlamentit dhe partive politike ndaj imunitetit dhe zyrtarëve të tyre të akuzuar për korrupsion ose shpërdorim të detyrës.

Nëse në një demokraci deputetët refuzojnë të hetohen, sidomos nëse refuzimin vjen nga mazhorancat qeverisëse, mesazhi që marrin qytetarët është se koncepti i barazisë para ligjit nuk vlen dhe se më të pushtetshmit janë imun ndaj hetimeve. Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar ecurinë e procesit të hetimit dhe vendimmarrjet institucionale, si pjesë e angazhimit të tij për jetësimin e parimeve të dekriminalizimit dhe integritetit në politikë, për zyrtarë të pastër dhe politikë të pastër.

Nisma mbështetet nga National Endowment for Democracy (NED). Në këtë rol ISP rekomandon që Kuvendi i Shqipërisë të aplikojë standardet e vendeve të BE-së, përfshirë ato të parlamentit europian, ku çdo zyrtar nën akuzë përballet me drejtësinë, pa përfituar nga mbrojtja politike dhe imuniteti parlamentar. Nëse zyrtari i akuzuar del i fajshëm përballet me ligjin, nëse del i pafajshëm fiton kredibilitet dhe në të dy rastet demokracia bëhet më e besueshme, më funksionale.

Refuzimi apriori i hetimit, barazisë përpara ligjit dhe standardit të llogaridhënies, përbën devijim serioz nga konceptet e shtetit të së drejtës, dhe një akt minues për besimin te demokracia.