Ballina Aktualitet Prej 3 javësh protestë kundër resortit të Bashkim Ulajt, banorët e Rrjollit...

Prej 3 javësh protestë kundër resortit të Bashkim Ulajt, banorët e Rrjollit përplasen ashpër me policinë, të moshuarit i bie të fikët në mes të turmës

49
0

Prej 3 javësh, banorët e Rrjollit në Velipojë protestojnë kundër ndërtimit të resortit “Blue Borgo” të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj. Përplasjet me banorëve dhe policinë kanë qenë të ashpra ndërsa një i moshuar ka rënë pa ndjenja në mes të turmës që po shtyhej me efektivët.

Policia sot mori masa duke rrethuar të gjithë zonën e ndërtimit me qëllim për të mos lejuar përsëri banorët të pengojnë punimet. Fillimisht ata janë përplasur me gratë e fshatit dhe kjo ka rritur më tepër tensionet. Vendasit janë të vendosur për të mos lejuar ndërtimin e resortit luksoz të Bashkim Ulajt në zonë me pretendimin se prona i përket atyre. Për këto pretendime, banorët kanë hapur dhe procese gjyqësore ku kërkojnë që t’iu njihet e drejta e pronësisë.

Ndërkohë dy ditë më parë familjes Malaj i është njohur e drejta e pronësisë mbi një sipërfaqe prej 20,700 m², rreth 2.1 hektarë, në fshatin Rrjoll në Velipojë, në një zonë kufitare me vendin po ndërtohet resorti “Blue Borgo”.

Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila pranoi pjesërisht padinë e Nikollë Malajt kundër Agjencisë së Trajtimit të Pronave, një proces gjyqësor i nisur që në vitin 2018 dhe që zgjati 8 vite.

Duke qenë se beteja është fituar për 2.1 hektarë, banorët shpresojnë se do të merret një vendim pozitiv nga Gjykata edhe për zonën ku Ulaj po ndërton. Kjo pasi sipas tyre, Fatmir Shpellzaj, ish-drejtor kadastre dhe eksponent i Partisë së Lirisë, i cili pretendon se zotëron tokën ku Ulaj po ndërton, ka falsifikuar dokumentet për marrjen e saj në pronësi.

Punimet për ndërtimin e “Blu Borgo”-s në një sipërfaqe prej 146 hektarësh, Bashkim Ulaj i nisi në fillim të shkurtit pasi mori lejen e ndërtimit. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”, me statusin e investitorit strategjik.