Ballina Europë Spanja hap dosjet e grushtit të shtetit të 45 viteve më parë/...

Spanja hap dosjet e grushtit të shtetit të 45 viteve më parë/ Çfarë zbulojnë dokumentet sekrete për rolin e mbretit

69
0

Qeveria e Spanjës ka bërë publike dhjetëra dokumente që tregojnë tentativën për grusht shteti të ndodhur 45 vite më parë , një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit.

Më 23 shkurt 1981, një grup oficerësh të armatosur hynë me forcë në sallën kryesore të parlamentit spanjoll, duke kërcënuar deputetët në momentin kur po betohej qeveria e re. Synimi i tyre ishte rikthimi i autoritarizmit, vetëm gjashtë vite pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco.

Përpjekja për grusht shteti dështoi pasi mbreti i atëhershëm, Juan Carlos I, refuzoi t’i mbështeste komplotistët. Megjithatë, gjatë dekadave që pasuan, nuk munguan teoritë konspirative, sipas të cilave monarku mund të kishte pasur dijeni paraprake për planin, apo madje të kishte qenë i përfshirë në të.

Publikimi i 153 dosjeve të klasifikuara ngjalli pritshmëri të jashtëzakonshme në vend. Interesi ishte aq i madh, saqë faqja zyrtare e qeverisë, ku do të publikoheshin dokumentet, u ‘rrëzua’ përkohësisht për shkak të fluksit të lartë.

Dosjet përfshijnë raporte policore dhe gjyqësore, transkripte bisedash mes zyrtarëve, si dhe reagime të qeverive të huaja lidhur me ngjarjen. Megjithatë, sipas autoriteteve, dokumentet nuk përmbajnë zbulime tronditëse.

Pas vdekjes së Francisco Franco në vitin 1975, Spanja nisi tranzicionin drejt një monarkie parlamentare. Gjashtë vite më vonë, demokracia e brishtë e vendit u vu në pikëpyetje për disa orë, teksa tentativa për grusht shteti ishte në zhvillim.

Kriza mori fund pasi mbreti Juan Carlos I iu drejtua kombit dhe forcave të armatosura përmes një mesazhi televiziv, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj rebelëve dhe duke urdhëruar ushtrinë të qëndronte në kazerma.

Për shumë spanjollë, ky moment vulosi imazhin e mbretit si shpëtimtar i demokracisë së re dhe si simbol i refuzimit të trashëgimisë frankiste. Megjithatë, me kalimin e viteve, roli i tij “heroik” është vënë shpesh në dyshim.

Disa teori alternative kanë pretenduar se ngritja ishte e inskenuar nga elita politike për të testuar dhe forcuar demokracinë e vendit.

Qeveria aktuale socialiste e udhëhequr nga Pedro Sánchez deklaroi se mbajtja e këtyre dokumenteve të mbyllura përbënte një “anomali historike” që duhej korrigjuar dhe se publikimi i tyre nuk paraqiste rrezik për askënd. Sipas saj, deklasifikimi do të ndihmojë në rrëzimin e teorive të rreme që qarkullojnë prej vitesh.

Megjithatë, dosjet përmbajnë disa detaje me interes. Mes tyre, zbulohet se gjashtë anëtarë të shërbimeve sekrete ishin të përfshirë në komplot. Një dokument tjetër tregon se forcat e sigurisë vlerësonin se një ndërhyrje e një njësie speciale policore në parlament mund të sillte “mes 80 dhe 110 viktima”.

Ndër dokumentet e publikuara gjenden edhe mesazhe mbështetjeje nga qeveri të huaja pas dështimit të grushtit të shtetit. Në një mesazh në spanjisht drejtuar mbretit Juan Carlos I, Elizabeth II shkruante: “Të gjithë ne në Britaninë e Madhe jemi të lehtësuar që dimë rezultatin përfundimtar.”